Mër. Pri 24th, 2024

“Opozita ra në kurth, përpos Abdixhikut”, Bytyçi: Zgjidheni Vjosën presidente

By Rtv Arbëria Pri 3, 2021

Profesori universitar, Enver Bytyçi, ka reaguar pas zhvillimeve të djeshme në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se përpjekja e VV-së për ta ndryshuar ligjin për zgjedhjet është paralajmërim nga Kurti se është i gatshëm të shkojë në zgjedhje, nëse opozita nuk e voton Vjosa Osmanin për presidente, përcjell Bota sot.

Ai ka thënë se opozita ra në këtë kurth, përpos Abdixhikut, i cili formuloi një qëndrim gati perfekt, pa arrogancë, pa emocione destruktive.

Por, profesori thotë se i ka bërë përshtypje që PDK dhe media pranë saj, e trajtuan ligjin për votimin e emigrantëve si shans për t’i dhënë të drejtën 350-400 mijë serbëve për të votuar për zgjedhjet në Kosovë, një shifër e huazuar nga Beogradi.

Ai ka bërë thirrje që ta zgjedhin Vjosën presidente dhe t’i lënë diversionet politike midis vetes, duke shtuar se trimëria matet me takatin që ke, jo me ndonjë fuqi të imagjinuar!

Postimi i tij i plotë:

Dje dhe mbrëmë plasi një debat i ashpër midis mazhorancës dhe opozitës në Kosovë. Unë jam kundër çdo aksioni politik të përshpejtuar dhe të pakonsultuar me të gjithë grupet politike dhe të interesit. Këtë metodë politike të lidershipit ne në Shqipëri e vuajmë shumë në këto tetë vite.

Ndërkaq e shoh përpjekjen e VV për të imponuar ligjin elektoral të përmirësuar dhe që i jep diasporës të drejtën e votimit në ambasada, si një paralajmërim të Kurtit drejtuar opozitës, se ai është i gatshëm të shkojë menjëherë në zgjedhje të reja të parakohshme, nëse opozita nuk voton për presidente Vjosa Osmanin. Opozita ra në kurth në njëfarë mënyre. Përveç Abdixhikut, i cili formuloi një qëndrim gati perfekt, pa arrogancë, pa emocione destruktive.

Por më bëri përshtypje se PDK dhe media pranë saj, sidomos Express-i, e trajtuan ligjin për votimin e emigrantëve si shans për t’i dhënë të drejtën 350-400 mijë serbëve për të votuar për zgjedhjet në Kosovë. Kjo shifër është e huazuar nga Beogradi. Ata thonë se “duhet të kthehen në Kosovë edhe 250 mijë serbë”! Ndërkohë që në këtë vend jetojnë diku te 105-110 mijë serbë. Kjo do të thotë se shifrat e Beogradit për serbët që jetonin në Kosovë para 12 qershorit 1999 janë me mbi 350 mijë.

E vërteta është se kjo shifër nuk ekziston në asnjë statistikë serbe. Ishte Beogradi që ka regjistruar popullsinë në Kosovë, duke manipuluar me numrin e banorëve gjithnjë në favor të serbëve. Dhe para 12 qershorit 1999 asnjë statistikë zyrtare serbe në Beograd nuk ka regjistruar më shumë se 194 mijë e diçka serbë. Është për t’u çuditur pse opozita e PDK-së dhe media pranë saj përhapën shifrën 400 mijë serbësh, me të cilën manipulon Aleksandër Vuçiç?! Dhe jo vetëm për t’u çuditur, por edhe për të vënë alarmin se në Kosovë duket se segmente të caktuara vazhdojnë të shërbejnë në favor të tezave dhe projekteve serbe për Kosovën

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *