Enj. Pri 25th, 2024

Serbët kremtojnë betejën e humbur të Kosovës

By Rtv Arbëria Qer 28, 2021

Qytetarë serbë janë mbledhur sot në Gazimestan për të festuar betejën e humbur të Kosovës 632 vjet më parë.

Edhe kësaj radhe nuk munguan provokimet e serbëve, si pasojë e së cilave është arrestuar një person derisa janë konfiskuar edhe bluza me mbishkrime nacionaliste, por edhe thika e boks hekuri.

Të pranishmit në Gazimestan kanë mbajtur në duar flamuj të Serbisë të cilët u konfiskuan nga Policia e Kosovës.

Për sigurinë dhe respektimin e rendit u përkujdesen forcat e Policisë së Kosovës, përfshirë edhe njësinë speciale dhe pjesëtarë të KFOR-it, ndërsa nuk ishin të pranishëm askush nga përfaqësuesit politik serb nga Kosova, por as nga Serbia.

Liturgjitë u udhëhoqën nga mitropoliti i Malit të Zi, Joanikije i cili tha se sa herë që vijnë në Kosovë “ndihen si në shtëpinë e tyre”.

Joanikije: Ndihemi si në shtëpinë tonë

“Çdonjëri nga ne këtu mblidhen në shpirtin e shenjtë, rifillojmë betimin e Kosovës, dhe prapë i betohemi mbretërisë hyjnore sikur se Car Llazari i shenjtë. E është ajo mbretëri e cila na fisnikëron të bartim kryqin tonë dhe të jetojmë si krishterë. Të jetojmë dhe përhapim dashuri, bashkim së pari në shtëpitë tona të mos ndahemi, të pajtohemi, sepse sakrifica e Lazarit të shenjtë dhe të gjithë atyre që kanë qenë pas tij dhe ranë, nga Kosova, deri në ditën e sotme na obligon që të pajtohemi, t’i tejkalojmë mosmarrëveshjet tona të bashkohemi dhe të gjejmë fuqi të ecim përpara. Dhe e kemi parë që fuqia jonë është në bashkim e jo në grindje e mos marrëveshje, mos dashtë Zoti. Sot patriarku jonë tha shumë fjalë të mira, por një është e veçantë, disi më mire mbahet mend “Kudo që shkojmë dhe ku do që gjendemi, kur vijmë në Kosovë çdo njeri nga ne pa marrë parasysh se ku ka lindur, kur vjen në Kosovë e ndjen se ka ardhur në shtëpinë e vet, në vendlindjen e vet”, tha ai.

Kreu i Kishës Ortodokse për Mal të Zi u ka bërë thirrje serbëve që të jenë të bashkuar. Gjatë liturgjisë ai ka folur edhe rreth betejës së humbur për çka tha se morën një plagë të madhe.

Joanikije: Kemi humbur në betejën e Kosovës

“Ne në Kosovë këtë betejë, është folur qe nuk ka qenë e humbur, por ne këtu e morëm një plagë të madhe. Dhe thuhet që kemi humbur në Kosovë në njërën anë, por kemi marrë një fitore morale. Ashtu ndodhi që sakrifica e Kosovës e cila është mëshiruar në themelet e historisë serbe të behet tema kryesore edhe në mendimet tona, dhe të letërsisë, të artit tonë, kështu që ky betim për mbretërinë hyjnore, betim për liri dhe veprave, dhe bashkimit”, u shpreh ai.

Policia e Kosovës ndërkaq ka bërë të ditur se manifestimi në Gazimestan ka përfunduar me arrestimin e një personi nën dyshimin për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, si dhe janë konfiskuar fanella e mjete të ndryshme të mprehta si thika dhe një boks hekuri që mbanin serbët.

Sipas Policisë së Kosovë, në këtë manifestim kanë marr pjesë rreth 2 mijë persona, të cilët në mënyrë të organizuar kanë marrë pjesë në Graçanicë dhe Gazimestan.

“Policia e Kosovës gjatë manifestimeve ka ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor një person të dyshuar mbi dyshimin për vepër penale “nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, i cili është në procedurë të intervistimit, përderisa të gjitha veprimet lidhur me personin në fjalë do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin e rastit. Gjatë manifestimit zyrtarët policorë kanë vërejtur disa pjesëmarrës, të cilët kanë pasur të veshur fanella me mbishkrime provokuese, andaj me qëllim të shmangies së ndonjë keqkuptimi apo incidenti të mundshëm, fanellat e tilla të ekspozuara në automjete dhe të veshura iu janë larguar. Po ashtu, zyrtarët policorë të cilët kanë qenë të caktuar në lokacione të ndryshme, përfshirë pikat e kontrollit, gjatë kontrollit dhe verifikimit të tyre kanë gjetur dhe sekuestruar disa mjete të ndryshme të mprehta thika dhe një boks hekuri. Lidhur me këtë, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetentë ka hapur rastet për ’Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, thuhet në komunikatë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *