Të premten seanca për shkarkimin e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se mos angazhimi i qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të Komunës së Deçanit, të cilët po dyshohet se janë helmuar nga uji, flet se sa është i rëndësishëm shëndeti i qytetarëve të Kosovës për qeverinë dhe kryeministrin Kurti.

Tahiri pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, tha se shpreh shqetësimin që numri i qytetarëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore në Deçan është duke u rritur.

Tahiri: Situata e krijuar tregon sa është i rëndësishëm jeta e qytetarëve për këtë qeveri

“Në radhë të parë dua t’i shpreh ngushëllime familjeve të dy qytetarëve të Republikës së Kosovës në Komunën e Deçanit që humbën jetën ende nga rrethana të panjohura, qoftë nga helmimi apo çfarë do qoftë që ka ndodhur që ka ardhur deri tek humbja e jetës së këtyre dy qytetarëve. Shpreh shqetësimin e madh që tashmë numri i qytetarëve të cilët janë të prekur qoftë nga ky helmim apo çfarëdo që është, është jashtëzakonisht i madh dhe po shkon duke u rritur, pra kanë shkuar deri në 1 mijë e 500. Në anën tjetër shpreh shqetësimin e madh për mos angazhimin e duhur të institucioneve tona të Republikës së Kosovës që t’iu dalin në ndihmë këtyre qytetarëve. Pra, po flasim për jetën e qytetarëve, po flasim për shëndetin e qytetarëve dhe kjo situatë e cila është krijuar nga dje pasdite e tani e tutje tregon qartë se sa është i rëndësishëm shëndeti i qytetarëve të Republikës së Kosovës për këtë qeveri dhe për këtë kryeministër”, tha Tahiri.

Tahiri ka kritikuar edhe mungesën e kryeministrit Albin Kurti në Kosovës, i cili po qëndron për Greqi. Ai tha se kryeministri po qëndron atje sikur të ishte deputetet i Kuvendit të Kosovës dhe jo kryeministër, derisa tha se nuk po i bëhet vonë për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës.

Tahiri: Kryeministër nuk e ka luksin me qëndrua 7 ditë kurrkund

“Në radhë të parë kryeministrin e kemi pa në bregdet duke mbajtur fjalime nga bregdeti grek, nuk e kemi pa në takime në Athinën zyrtare. Pra, për një vend si Republika e Kosovës që ballafaqohet me probleme të mëdha, me sfida të mëdha, me telashe të mëdha që ka shkaktuar pandemia një kryeministër nuk e ka lluksin me qëndru 7 ditë kurrkund. Vetëm një gjë arsyetohet, vetëm në vizitë në Shtëpinë e Bardhë në SHBA do të mund ta arsyetojë kryeministri i Republikës së Kosovës që të harxhoj kaq shumë kohë. Pra, me ndejtë 7 ditë në një vend, në një seminar me një rëndësi krejt jo të veçantë, pra kryeministri i një vendi siç është Kosova me plot halle, me probleme dhe e shihni që nuk po vërehet realisht edhe mungesa e tij, sepse prej fillimit ka qenë e pavërejtëshme. Kjo tregon më së miri si po qeveriset ky vend, 7 ditë nuk e ki kryeministrin në vend dhe nuk është e vërejtshme, sepse nuk ka ndryshuar kurrgjë prej se ka ardhë”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, bëri të ditur se seanca e radhës do të mbahet të premten, e ku tha se në këtë seancë pritet t’i jepet goditje edhe një institucioni të pavarur ku është iniciuar shkarkimi i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Ai tha se do t’i përdorin të gjitha mjetet demokratike për ta kundërshtuar një shkarkim të tillë të bordeve, ku tha se për të gjitha ato raste ku ka bazë kushtetuese për ta kundërshtuar një gjë të tillë do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Tahiri: Vendosi me i dhënë goditjen edhe një institucioni të pavarur

“Vendosi me i dhënë goditjen edhe një institucioni të pavarur, pra Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave që të iniciojë shkarkimin e tyre. Këto procese e kemi thënë dhe po e themi prapë janë procese të paligjshme, janë procese që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës…Ne si opozitë në vazhdimësi do të punojmë, do të angazhohemi dhe do t’i përdorim të gjitha mjetet demokratike në mënyrë që ta ndalim këtë hov të goditjeve të institucioneve të pavarura. Ne nuk e kemi problemin tek njerëzit të cilët kush është ose kush shkon, ne e kemi problemin tek praktikat e dëmshme dhe të dëmi që po iu bëhet institucioneve të pavarura të Kosovës. Sipas kësaj logjike, qysh po funksionon kjo qeveri dhe kjo mazhorancë nuk ka nevojë me pas institucione të pavarura, sepse po vjen një kryeministër po dashka me i emëru krejt bordet e mundshme, krejt agjencitë e mundshme dhe jo me shku siç ka shkuar tash e 13 vjet prej se është shpallur pavarësia”, tha ai.

Shkarkimi i Bordeve në këtë mënyrë, Tahiri tha se do të ketë edhe kosto financiare për shtetin e Kosovës, pasi të njëjtit tha se do t’i drejtohen Gjykatave për ta kundërshtuar një shkarkim të tillë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Komente Së Fundi