Hën. Shk 26th, 2024

Vitia lidhur me Covid-19, kërkon të vaksinohen sa më shumë njerëz

By Rtv Arbëria Kor 14, 2021

Përkundër lehtësimit të masave antiCOVID, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar se është e pashmangshme një valë e re e pandemisë në fund të muajit gusht. Për këtë ai ka kërkuar edhe njëherë nga qytetarët që të vaksinohen në mënyrë që varianti delta të mos ketë pasoja të mëdha për shëndetin dhe ekonominë e vendit.

Në një konferencë për media të mbajtur menjëherë pas mbledhjes së qeverisë, Vitia tha se varianti “Delta” është shumë i rrezikshëm dhe evidentimi i 2 rasteve në Kosovë paraqet rrezik për përhapjen e shpejt të tij.

Vitia: Një valë e re e pandemisë në çfarëdo varianti është e pashmangshme

“Varianti delta është një variant jashtëzakonisht i rrezikshëm, varianti delta tani po dominon edhe disa pjesë të mëdha të Evropës perëndimore. Me paraqitjen e dy rasteve të ne, natyrisht se ne kemi frikën që ky variant shumë shpejt do të dominojë edhe tek ne. Pavarësisht masave që i marrim, përhapja e variantit delta është aq e frikshme sa të gjitha masat konvencionale që janë përdorur deri tani kanë treguar se përkundër që mund ta ngadalësojnë ritmin e përhapjes nuk mund ta ndalin atë. Kjo është arsyeja pse ka tash e sa javë që bëjmë apel të gjithë qytetarëve tonë që vetëm vaksinimi është alternativa. Një valë e re e pandemisë në muajt fund gusht, shtator dhe tetor në çfarëdo varianti është e pashmangshme, në çfarë do varianti, me çfarë do masa mund të ngadalësohet, por është e pashmangshme. Lajm i mirë që vije nga shtetet të cilat kanë kryer me sukses vaksinimin tregon se të gjithë ata që janë vaksinuar janë të mbrojtur nga varianti delta dhe ata pak persona të cilët janë infektuar përkundër vaksinimit me variantin delta rastet fatale janë pothuajse të papërfillshme, kurse rastet e rënda janë jashtëzakonisht të vogla”, tha Vitia.

Para gazetarëve, Vitia foli edhe për situatën e krijuar në Deçan, ku ende ka qytetarë që po kërkojnë ndihmë mjekësore si rezultatet i helmimit, të cilin nuk dihet ende se çka e ka shkaktuar.

Ai potencoi edhe njëherë se janë marrë disa mostra koprokulturë nga disa pacientë, të cilat kanë rezultuar negative dhe për këtë arsye janë përgatitur edhe një numër tjetër i mostrave për analiza më specifike, të cilat do të dërgohen jashtë shtetit.

Për çdo zhvillim tjetër, Vitia tha se do të informojnë qytetarët me kohë.

Vitia: Mostrat e marra do të dërgohen për analiza në njërin nga vendet e rajonit

“Këto mostra të gjitha do të dërgohen për analiza specifike, të cilat për fat të keq një pjesë e tyre nuk bëhen tek ne. Besoj që gjatë kësaj jave do të dërgohen në njërën nga vendet e rajonit, mirëpo në momentin kur dërgohen dhe të marrim rezultatet, ashtu siç ju thash, informacioni do t’iu jepet të gjithë qytetarëve”, tha ai.

Kurse ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi se kjo ministri ka ndarë 150 mijë euro për Komunën e Deçanit, të cilat do shfrytëzohen për modernizimin e sistemit të ujësjellësit në fshatrat e kësaj komune.

Krasniqi: Do të mbështesim një projekt për modernizimin e sistemit të ujësjellësit në këto fshatra

“Është bërë edhe zotimi se ne do të mbështesim një projekt për modernizimin e sistemit të ujësjellësit në këto fshatra ku kemi pas probleme. 150 mijë euro do ndihmohet Komuna e Deçanit dhe Hidrodrini si mbështetje nga niveli qendror dhe këto mjete do t’i shfrytëzojnë për modernizimin e sistemit dhe t’i eliminojnë të gjitha këto probleme që i kanë vërejtur në këtë sistem”, u shpreh ai.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *