Pre. Dhj 6th, 2024

1 Maji, Gërmia sot kishte më pak vizitorë sesa viteve të kaluara

Për dallim nga vitet e kaluara, Parku Nacional Gërmia ishte shumë pak i vizituar.

Gërmia për festën e 1 Majit ishte e heshtur, pa vizitorë nga qytetet e tjera që zgjidhnin ta kalonin këtë ditë si çdo vit tjetër.

Disa qytetarë kanë thënë që arsyeja pse mungon atmosfera në këtë park, është edhe emigrimi e papunësia.

Qytetari Selman Pajaziti ka thënë për KosovaPress se edhe bukuria e parkut nuk duket pa qytetarë, ndërsa ka thënë që faktor i gjithë kësaj janë edhe kushtet e renda.

“Kam dalë po s’paska (qytetarë), zmbrapsur qenka Gërmia, po më vjen interesant se çfarë është bërë. Jemi mësuar si vitet e kaluara, ndërsa këtë vit shumë keq… Është bërë vështirë të ardhura, për rini s’ka të ardhura askund”, tha ai.

Po ashtu edhe Idriz Mehtolli shprehet i çuditur me numrin e vogël të qytetarëve që kanë frekuentuar sot parkun Gërmia.

“Pak popull paska. Nuk paska kallaballëk qysh e mbaj mend unë”, tha ai.

Ndërsa, Xhemshir Deliu ka thënë që nuk ka vizitor pasi që shumica kanë emigruar sepse nuk ka kushte të mira këtu.

“Gërmia ka ndryshuar shumë, shkaku i kushteve. Edhe njerëzit të papunë, rinia po ikin prej këtu”, tha ai.

Qytetari tjetër, Ali Aliu është shprehur po ashtu i habitur nga parku bosh.

“Edhe unë kur zbrita pritsha që të jetë plot, si çdo vit. U habita që është bosh”, tha ai.

Ndryshe gjatë ditës në kryeqytet janë mbajtur dy protesta, si ajo e Federatës Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës dhe e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist nga Blloku AntiKapitalist.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *