Enj. Maj 16th, 2024

Balla: Asnjë kontroll të pasaportave në kufirin me Kosovën

By Rtv Arbëria Pri 29, 2024

Në konferencën e sotme “Për sigurinë e turizmit në Shqipëri”, një organizim i përbashkët i Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ministri Taulant Balla u shpreh se, këtë sezon turistik do të bëhet gjithçka për t’i garantuar çdo pushuesi pushime të qeta, të bukura dhe të sigurta në Shqipëri.

Policia e Shtetit ka gati një plan të madh masash, i cili shtrihet në gjithë territorin, e që ndërthuret me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe partnerët e qeverisjes vendore.

Ministri u shpreh se në 3 muajt e parë të vitit 2024, aeroporti “Nënë Tereza”, ka pritur rreth 900.000 pasagjerë më shumë se vitin e kaluar dhe në pritje të shifrave të muajit prill, shifrat shkojnë përtej çdo parashikimi apo pritshmërie.

Vetëm në komisariatin e Rinasit do të shtohen 100 punonjës të tjerë policie me qëllim përballimin e këtij fluksi.

Ministri shtoi se gjatë vizitave të tij, në të gjitha pikat e kalimit i ka kërkuar çdo punonjësi të Policisë së Shtetit ta shohë veten si kontakti i parë dhe i fundit i vizitorëve të huaj me Shqipërinë, sepse sjellja e tyre përbën përshtypjen e parë dhe kujtimin e fundit nga atdheu i shqiponjave.

Ministri Balla ka përmendur gjithashtu forcat zjarrfikëse, ekipet e kërkim-shpëtimit, dhe të emergjencave civile.

Në kuadër të këtij plani të madh masash, pas pak ditësh do të jenë ngritur edhe 6 stacione shtesë të Policisë së Shtetit në zona me fluks të shtuar turistik: në Theth, në Valbonë, në Tale, në Gjirin e Lalëzit, në Palasë si dhe në Ksamil.

Gjatë këtij sezoni turistik, do të angazhohen me shërbim në zonat turistike/plazhe në total 1635 punonjës policie, nga të cilët 362 punonjës policie të sektorit të rendit publik, 73 punonjës policie sektori për krimet, 100 punonjës të policisë rrugore, 185 punonjës policie të Njësive të SOS, si dhe 912 punonjës policie të kufirit dhe migracionit.

Ministri Balla përmendi si një sfidë e madhe që duhet fituar, monitorimin dhe parandalimin e ndotjes akustike.

Ndërkohë do të vazhdojnë edhe monitorimet dhe inspektimet në terren për identifikimin dhe çlirimin e hapësirave, ku deri tani janë çliruar hapësirat nga 334 objekte.

Gjithashtu do të merren masa për reduktimin e kohës së mbërritjes të policisë, urgjencës dhe forcave zjarrfikëse në vendngjarje.

Ministri Balla njoftoi gjatë kësaj konference se gjatë periudhës 1 maj – 30 shtator dhe 1 nëntor – 28 shkurt, nuk do të ketë asnjë kontroll të pasaportave dhe kartave të identitetit për shtetasit e të dy vendeve tona, Shqipëri-Kosovë.

Ai shtoi se po punohet gjithashtu për rishikimin e protokolleve për pikat e tjera kufitare me Kosovën (Valbonë dhe Shishtavec), për të lehtësuar turizmin dhe shkëmbimet e ngushta mes dy vendeve tona.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *