Enj. Maj 23rd, 2024

Biden, Trump, në garë për votuesit e shqetësuar nga konflikti Izrael-Hamas

By Rtv Arbëria Pri 17, 2024

Kandidatët presidencialë Joe Biden dhe Donald Trump po mbështesin Izraelin në luftën kundër militantëve në Rripin e Gazës dhe përplasjet me Iranin. Ngjarjet në Lindjen e Mesme po ndikojnë zhvillimet e brendshme politike në Shtetet e Bashkuara.

Sulmi i Iranit ndaj Izraelit dhe roli i Amerikës në Lindjen e Mesme është shndërruar në një konkurrencë në fushatën presidenciale në Amerikë se cili kandidat e mbështet më shumë Izraelin.

Si president i vendit, Joe Biden ka udhëhequr përgjigjen e Shteteve të Bashkuara ndaj sulmit të Iranit dhe rikonfirmoi mbështetjen e Uashingtonit për Izraelin në një takim me kryeministrin irakian.

“Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për mbrojtjen e Izraelit. Ne jemi të angazhuar në përpjekjet për arritjen e një armëpushimi, që do të çonte në lirimin e pengjeve dhe do të frenonte përhapjen e konfliktit. Ne jemi gjithashtu të angazhuar për sigurinë e personelit dhe partnerëve tanë në rajon, përfshirë Irakun”, tha ai.

Presidenti Biden, nga pikëpamja politike, po ndeshet me dy thirrje konkurruese, shtimin e përpjekjeve për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe për një trysni më të fortë ndaj Izraelit lidhur me ofensivën ushtarake në Rripin e Gazës.

Rivali i tij, Donald Trump, thotë se dhuna në Lindjen e Mesme nuk do të kishte ndodhur nëse ai do të ishte ende president, por pa shpjeguar se si.

“Zoti e bekoftë popullin e Izraelit. Ai po sulmohet tani, sepse ne po tregojmë dobësi të madhe. Dobësia që kemi treguar është e pabesueshme. Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse unë do të isha president. Të gjithë e dinë këtë.”

Ndihmësit e zotit Trump po punojnë për ta portretizuar Presidentin Biden si të dobët ndaj Izraelit në platformën e mediave sociale të zotit Trump dhe përmes ligjvënësve republikanë, duke përfshirë Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson.

“Joe Biden është shndërruar në një president anti-izraelit. Në të vërtetë nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta karakterizuar atë. Ai duket se është më i shqetësuar për mbrojtjen e antisemitizmit në bazën e tij të mbështetësve sesa për mbështetjen e aleatit tonë historik dhe të rëndësishëm”, tha ligjvënësi republikan Mike Johnson.

Në shtetin perëndimor të Miçiganit, votuesja Carol Plisner thotë se Presidenti Biden duhet të vazhdojë mbështetjen për Izraelin.

“Në fillim, reagimi i Presidentit Biden ndaj situatës ishte i dobishëm dhe në mbështetje të Izraelit. Mendoj se me kalimin e kohës, kjo është bërë më e debatueshme. Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një qëndrim të fortë në mbrojtje të demokracisë në mbarë botën, dhe kjo nënkupton respekt më të thellë për Izraelin”, thotë ajo.

Mbështetja e Presidentit Bidenit për ofensivën e Izraelit në Rripin e Gazës është arsye për ta kundërshtuar atë, thotë votuesi nga Miçigani, Mohamed Mawri.

“Ai është bashkëpunëtor në një katastrofë që po ndodh mijëra kilometra larg. Njerëzit mendojnë se nuk po na dëmton, por kjo nuk është e vërtetë. Ne po e ndihmojmë me paratë tona”, thotë ai.

Sipas një ankete të muajit të kaluar nga organizata “Pew Research”, ekzistojnë ndasi të thella mbi këtë çështje. Rreth 20 për qind e të anketuarve thanë se Presidenti Biden po arrin ekuilibrin e duhur, 20 për qind të tjerë thanë se ai po favorizon Izraelin dhe 16 për qind thanë se ai po favorizon palestinezët. Grupi më i madh i të anketuarve nuk ishte i sigurt se sa mirë po e trajton Presidenti Biden këtë çështje.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *