Enj. Dhj 5th, 2024

Çka shkruan mediumi zviceran për marrëveshjen Kosovë-Danimarkë për burgjet me qira

Ishin kohët kur Jean Gabin (aktor francez) donte ta kalonte dimrin në burg në rolin e një lypësi, por fatkeqësisht nuk kishte vend në qeli. Kështu ai dimëroi në Cote d’Azur (bregdeti mesdhetar i Francës juglindore).

Sot ai nuk do të kishte shans – të paktën jo në Danimarkë. Të gjitha qelitë atje janë të rezervuara. Kushdo që supozohet të vuajë dënimin me burg duhet të jetë i durueshëm. Kështu e nis tekstin mediumi zviceran, “Die Weltwoche”, duke shkruar me ironi për marrëveshjen e arritur në parim mes Kosovës dhe Danimarkës, që kjo e fundit t’i marrë 300 qeli me qira në qendrën korrektuese të Gjilanit.

Zgjidhja: Kopenhaga po i zhvendos gjithashtu të burgosurit në jug. Jo në plazh, por në burgjet e Kosovës. Aty janë marrë me qira 300 qeli, shkruan mediumi zviceran.

Nuk duhet të jesh ekspert i sistemit përkatës të burgjeve për të dyshuar se burgu i Ballkanit është më pak i këndshëm se burgu skandinav.

Dhe dikush gjithashtu dyshon saktë se pasardhësit e vikingëve nuk i mbushin burgjet e Danimarkës.

E drejtë. Ata janë të burgosurit “nga vendet e treta” të cilët evakuohen dhe deportohen menjëherë në vendet e tyre pasi janë ndaluar.

Sipas “Die Weltwoche”, Danimarka me këtë marrëveshje dëshiron të gjejë zgjidhje për emigrantët e paligjshëm.

Danimarka po tregon edhe një herë se si t’i ndalojë emigrantët e paligjshëm, shkruan ky medium.

Për ta, një qeli daneze është si një pushim në Club Med (rrjet i resorteve luksoze franceze).

Por në Kosovë ndihen si në shtëpinë e tyre.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi të enjten për marrëveshjen e arritur në parim që Danimarkës t’i jepen me qira 300 qeli në qendrën korrektuese të Gjilanit. Ajo do ta presë të hënën ministrin danez të Drejtësisë për të finalizuar gjithçka.

Haxhiu tha se janë marrë vesh që të burgosurit nuk do të jenë të dënuar për vepra të terrorizmit ose që kanë probleme mendore.

“Pra, ne kemi kërkuar që të mos përfshihen këta. Do të jenë persona të cilët do të jenë të dënuar për kirme të tjera. Nacionaliteti besoj që do të dihet nga ministri i Drejtësisë i Danimarkës kur do të vijë në Kosovë”, ka thënë ministrja.

Gjatë bisedimeve, Kosova është interesuar të dijë rreth vizitave të familjarëve të të burgosurve dhe për ligjet që do të vlejnë për trajtimin e tyre.

“Marrëveshja parasheh që për të gjitha këto do të kujdeset Danimarka. Do të vlejnë ligjet e aplikueshme në Danimarkë. Menaxhmenti do të jetë nga Danimarka, mirëpo oficerët korrektues do të jenë nga Republika e Kosovës. Mirëqenia, siguria do të jetë komplet në përgjegjësinë e tyre. Unë konsideroj që është një shenjë e mirë që Danimarka vlerëson se si trajtohen të burgosurit në Republikën e Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka treguar se marrëveshja përfshin edhe çështjen financiare dhe investim në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë nga ana e Danimarkës. Për këto më shumë detaje ka dhënë në Facebook zëvendësi i saj, Blerim Sallahu.

“Nga kjo marrëveshje ndërkombëtare Kosova për 10 vite përifton 60 milion euro investime në energji të ripërtritshme dhe 150 milion euro për nevojat tjera që ka Republika e Kosovës”, ka shkruar ai.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *