Sht. Tet 5th, 2024

Deputetja Vasfije Krasniqi reagon pas dënimit të serbit Zoran Vukotiq: Po ndihna si të ishin dënuar kryesit e veprës time

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi, e cila ka qenë viktimë e dhunimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë është shprehur shumë e lumtur pasi i akuzuari për kryerjen e krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Zoran Vukotiq u dënua sot me 10 vjet burgim.

E ftuar në emisionin Frontal, ajo ka thënë se edhe pse kanë kaluar shumë vite, drejtësia për viktimat e dhunimeve seksuale mund të vihet në vend.

Krasniqi është shprehur se edhe pse për rastin e saj nuk ka pasur drejtësi, ajo sot po ndihet sikur të jenë dënuar kryesit e veprës saj.

“Po ndihna si të ishin dënuar kryesit e veprës time. Është një ditë shumë e veçantë për të gjitha viktimat e dhunës. Pas sa viteve po dëgjohet një lajm që po dënohet një kriminel që ka kryer krime të tilla. 10 vite nuk janë të mjaftueshme, por është fillimi dhe shpresoj që rastet tjera të dënohet edhe më gjatë. Rastin tim e dinë gjithë Kosova por për mua kjo ditë është shumë e veçantë, shumë e gëzuar”, ka thënë ajo.

Tutje Krasniqi është shprehur se edhe pse kanë kaluar shumë vite nga lufta e fundit në Kosovë, viktimat mund të dëshmojnë për kryesit e krimeve të dhunës seksuale.

Ajo i ka inkurajuar të gjithë viktimat e dhunës seksuale që të kërkojnë drejtësi e të mos heqin dorë.

“Ka viktima që i dinë me emër mbiemër se kush janë kryesit e veprës. Rasti im nuk ka pasur drejtësi, të tjerat të kenë. Edhe pse nuk folin publikisht, viktimat të kërkojnë drejtës. Ato duhet që të mos ndalen. Pas 22 viteve ne sot po e dimë që drejtësia po del në vend. Edhe pse janë bërë shumë vite, ne mund të arrijmë drejtësi”, ka shtuar ajo.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *