Die. Maj 5th, 2024

Drejtorët e burgjeve u shkarkuan sepse e fshehën një rast për ngacmim seksual

By Rtv Arbëria Dhj 22, 2021

Drejtori i Burgut të Prizrenit, Heset Loku dhe Drejtori i Burgut të Pejës, Arif Beqa janë shkarkuar sot nga detyra prej ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu.

IndeksOnline ka raportuar ekskluzivisht për këto shkarkime ku dhe ka siguruar vendimet.

Shkarkimet lidhen me një rast ngacmimi seksual të ndodhur në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan ku atë kohë Loku dhe Beqa ishin në krye të kësaj qendre dhe dyshohet se kishin mbyllur rastin pa u zhvilluar hetim përkatës.

Vendimi për shkarkimin e Lokut:

1. Z.Heset Loku shkarkohet nga detyra e drejtorit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

2. Obligohet Shërbimi Korrektues i Kosovës për zbatimin e këtij vendimi.

3. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.

Arsyetim

Pas informacioneve të pranuara për shkelje ligjore të pretenduara në Qendrën e Korrektuese për Femra në Lipjan (QKF), Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) ka formuar një komision hetimor për hetim të brendshëm administrativ lidhur me dyshimet për ngacmimin seksual të një të miture nga ana e një mësimdhënësi në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan gjatë procesit mësimor për vajza dhe gra që zhvillohet në Qendrën Korrektuese për Mitur në Lipjan.

Me datë 20.12.2021, Ministria e Drejtësisë ka pranuar raportin e hetimit nga ana e Komisionit hetimor përkitazi me ngacmimin seksual nga ana e mësimdhënësit të informatikës I.B ndaj të miturës SH gjatë procesit mësimor që është zhvilluar në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan. Bazuar në raportin e hetimit përkatës, rezulton se z . Heset Loku, në cilësi të Drejtorit të QKF-së në Lipjan, pas njoftimit për rastin e ngacmimit seksual në QKM në Lipjan ka emëruar një komision hetimor për hetim të këtij rasti. Komisioni i emëruar për hetim të këtij rasti është shuar menjëherë pas emërimit nga ana e z.Loku, me arsyetimin se pas ngacmimit seksual, z.Loku kishte biseduar me të miturën S.H dhe nënën e saj, me ç’rast ishin marrë vesh që rasti të mbyllet dhe të mos procedohet tutje. Krejt kjo me pretendimin e ruajtjes së integritetit të së miturës, rrethit shoqëror dhe familjar.

Me këtë rast z.Loku, sipas raportit të hetimit nuk kishte mbajtur asnjë shënim zyrtar. Në raportin e hetimit, konstatohet se e mitura S.H, në prezencë të zyrtares sociale ka deklaruar se gjatë orës së informatikës, mësimdhënësi i informatikës I.B e ka ngacmuar seksualisht duke pyetur fillimisht se “meqë lirohesh këto ditë a ka mundësi të pijmë kafe së bashku në Prizren” dhe më pastaj e ka pyetur “a po bëhesh nusja ime”.

E gjithë kjo, sipas raportit hetimor ka ndodhur gjatë procesit mësimor në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan dhe për këtë kanë qenë njoftuar Drejtori i QKF në Lipjan z.Loku dhe Drejtori i QKM-së në Lipjan z.Beqa.

Lidhur me këtë rast z.Loku, edhe pse ishte i njoftuar me rastin, nuk e ka njoftuar, Drejtorinë Komunale për Arsim në Lipjan, pasi që personi i supozuar për ngacmim seksual ka qenë punëtor i arsimit DKA-së në Lipjan. Po ashtu z.Loku nuk e ka njoftuar as Drejtorin për Trajtimin e të Miturve në kuadër të Drejtorisë Qendrore të SHKK-së lidhur me rastin. Për më tepër komunikimi i zyrtarëve përgjegjës, përkatësisht udhëheqësve të institucioneve korrektuese lidhur me këtë rast është zhvilluar pa protokoll përkatës dhe përmes formës jozyrtare. Kësisoj rasti është mbyllur nga z.Loku pa u zhvilluar hetim përkatës dhe pa njoftim të organeve kompetente.

Bazuar në të gjeturat e raportit të hetimit përkatës, konstatohet se z.Loku, ka kryer shkelje të rëndë të detyrave dhe përgjegjësive të punës, përkatësisht dispozitave të Ligjit për Zyrtarët Publik, nga neni 46 par.3 nën paragrafi 3.3 dhe 3.1 . Andaj , bazuar në rrethanat e lartcekura si dhe propozimin e Zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të SHKK – së u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.

Vendimi i Haxhiut për shkarkimin e Beqës

1. Z. Arif Beqa shkarkohet nga detyra e drejtorit në Qendrën e Paraburgimit në Pejë.

2. Obligohet Shërbimi Korrektues i Kosovës për zbatimin e këtij vendimi.

3. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.

Arsyetim

Pas informacioneve të pranuara për shkelje ligjore të pretenduara në Qendrën e Korrektuese për Femra në Lipjan (QKF) , Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) ka formuar një komision hetimor për hetim të brendshëm administrativ lidhur me dyshimet për ngacmimin seksual të një të miture nga ana e një mësimdhënësi në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan gjatë procesit mësimor për vajza dhe gra që zhvillohet në Qendrën Korrektuese për Mitur në Lipjan (QKM).

Më datë 20.12.2021 , Ministria e Drejtësisë ka pranuar raportin e hetimit të kryer nga Komisioni Hetimor përkitazi me ngacmimin seksual nga ana e mësimdhënësit të informatikës I.B ndaj të miturës S.H gjatë procesit mësimor në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan . Bazuar në raportin e hetimit përkatës , rezulton se z . Arif Beqa , në cilësi të Drejtorit të QKM – së në Lipjan, pas njoftimit për rastin e ngacmimit seksual në QKM në Lipjan nuk ka ndërmarrë asnjë veprim me qëllim të hetimit të rastit të ndodhur në këtë Qendër Korrektuese, respektivisht nuk ka themeluar komision hetimor për hetimin e këtij rasti. Në raportin e hetimit, konstatohet se z . Beqa nuk e kishte parë të arsyeshme të emëroj një komision hetimor lidhur me këtë rast, me arsyetimin se pas ngjarjes së ngacmimit seksual, kishte komunikuar përmes telefonit me Drejtorin e QKF – së, z. Loku, ku ky i fundit kishte deklaruar se janë marrë vesh me nënën e të miturës që të tërhiqen nga rasti dhe për të njëjtën procesi i hetimit të mos vazhdoj më tutje. Me këtë rast z . Beqa, sipas raportit të hetimit nuk kishte mbajtur asnjë shënim zyrtar. Në raportin e hetimit, konstatohet se e mitura S.H, në prezencë të zyrtares sociale ka deklaruar se gjatë orës së informatikës, mësimdhënësi i informatikës I.B e ka ngacmuar seksualisht duke e pyetur fillimisht se “meqë lirohesh këto ditë a ka mundësi të pijmë kafe së bashku në Prizren ” dhe me pastaj e ka pyetur ” a po bëhesh nusja ime ” . E gjithë kjo, sipas raportit hetimor ka ndodhur gjatë procesit mësimor në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan dhe për këtë kanë qenë të njoftuar Drejtori i QKF – së në Lipjan z.Loku dhe Drejtori i QKM – së në Lipjan z. Beqa. Lidhur me këtë rast z . Beqa, edhe pse ishte i njoftuar me rastin, nuk e ka njoftuar, Drejtorinë Komunale për Arsim në Lipjan, pasi që personi i supozuar për ngacmim seksual ka qenë punëtor i arsimit DKA – në Lipjan . Po ashtu, z.Beqa nuk e ka njoftuar as Drejtorin për Trajtimin e të Miturve në kuadër të Drejtorisë Qendrore të SHKK – së lidhur me rastin. Për më tepër, i tërë komunikimi i zyrtarëve përgjegjës, përkatësisht udhëheqësve të institucioneve korrektuese lidhur me këtë rast është zhvilluar pa protokoll përkatës dhe përmes formës jozyrtare.

Kësisoj rasti është mbyllur pa u zhvilluar hetim përkatës në QKM dhe pa njoftim të organeve kompetente nga ana e z.Beqës në cilësi të Drejtorit të kësaj qendre korrektuese. Bazuar në të gjeturat e raportit të hetimit përkatës, konstatohet se z.Beqa, ka kryer shkelje të rëndë të detyrave dhe përgjegjësive të punës, përkatësisht dispozitave të Ligjit për Zyrtarët Publik, nga neni 46 par . 3 nën paragrafi 3.3 dhe 3.1. Andaj, bazuar në rrethanat e lartcekura si dhe propozimin e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të SHKK – së u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *