Die. Tet 6th, 2024

Drejtori i Policisë nuk pranon të përgjigjet për Dhomat e Specializuara

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka refuzuar të përgjigjet sot në pyetjen e deputetëve të Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje lidhur me Gjykatën Speciale.

Ishte deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, e cila pyeti Mehmetin nëse Policia e Kosovës është e gatshme t’iu përgjigjet Dhomave të Specializuara për kërkesat për mbrojtje në liri të personave të akuzuar.

Selimi-Mehmetit: A jeni të gatshëm t’u përgjigjeni kërkesave të Dhomave të Specializuara

“Mos të më merret se po e shfrytëzoj rastin pse jam unë këtu dhe e kam personin atje dhe po bëj pyetje por vlen të dihet dhe ne si komision ta dimë se a jeni të gatshëm t’iu përgjigjeni kërkesave të Dhomave të Specializuara për mbrojtjen në liri të personave të akuzuar atje”, tha ajo.

Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti nuk pranoi të përgjigjet në pyetjen për Gjykatën Speciale, madje as pas insistimit të deputetes Mehmeti Selimi se çfarë kushte ofron për mbrojtjen në liri të personave të akuzuar nga Specialja.

Mehmeti: Nuk mund të përgjigjem për Dhomat e Specializuara, pyetni ata

“Besoj që opinioni publik tashmë e din që neve na u janë bërë kërkesa nga avokatët mbrojtës dhe ne i kemi adresuar kërkesat nga avokatët mbrojtës. Ndërsa pyetjet rreth Dhomave të Specializuara kisha pasur dëshirë që të na kurseni neve dhe t’ua bëni dhomave të specializuara… Unë u përgjigja që avokatët mbrojtës kanë bërë kërkesa për kushtet për lirim me kusht. Ne i kemi dërgu kapacitetin, aftësinë tonë dhe mundësinë tonë për me siguru lirim me kusht. Ndërsa sa i përket çështjes rreth Dhomave të Specializuara kisha pas dëshirë me na kursy që atë pyetje me ua bë Dhomave të Specializuara dhe jo neve, për shkak se nuk mund të përgjigjemi në këtë pyetje, me keqardhje”, tha ai.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *