Mër. Nën 6th, 2024

Flasin nga Gjykata Speciale, a do të ketë arrestime të reja?

Po bëhet gati një vit që kur ka filluar gjykimi ndaj krerëve të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës, që nga nëntori i vitit 2020. Hashim Thaҫi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po akuzohen për krime lufte në Kosovë.

Gjykimi i tyre është fazën e mbledhjes së dëshmive. Ndërkaq, Salih Mustafa, i arrestuar më parë, si ish pjesëtar i UҪK-së, sot ka dalë në seancë gjyqësore për të cilin prokurori ka thënë se akuzohet për vrasje të shqiptarëve. Sipas tij, viktimat e tij kanë qenë fajtorë vetëm se ishin pjesë e LDK-së.

Cezary Michalczuk, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka paraqitur, sipas tij, faktet që e bëjnë Sali Mustafën përgjegjës për krimet e pretenduara të kryera në Zllash gjatë vitit 1999.

“I akuzuari dhe vartësit e tij akuzonin viktimat si spiunë dhe kolaboracionistë, ndërkohë që ishin të papabazuara këto akuza, ato ishin një hallkë midis konfliktit të armatosur dhe krimeve të kryera nga i akuzuari dhe vartësit e tij”, është shprehur Michalczuk.

Sipas prokurorit, asnjë nga provat e prezantuara nuk i hedhin poshtë akuzat, pasi mbrojtja pretendon se krimet nuk kanë ndodhur asnjëherë. Mirëpo, prokurori Michalczuk thotë se të gjithë viktimat ishin shqiptarë, “faji” i tyre ishte se i përkisnin një partie të caktuar politike – LDK-së”.

“Asnjë prej provave të mbrojtjes nuk i hedh poshtë akuzat, alibia nuk i hedh poshtë ato. Mbrojtja pretendon se krimet thjeshtë nuk kanë ndodhur fare, asnjëherë. Pretendojnë se nuk ka pasur as marrje në pyetje, rrahje, keqtrajtim apo abuzim. Sipas tyre asnjëra prej këtyre krimeve nuk kanë ndodhur. Provat do të dëshmojnë se këto krime kanë ndodhur dhe që Mustafa është përgjegjës për to. Të gjitha viktimat ishin shqiptarë të Kosovës. Askush nga burrat e ndaluar nuk përbënte kërcënim ushtarak për UÇK-në. Ata po përpiqeshin të siguronin jetesën duke bërë tregti nëpër tregje lokale. “Faji” i tyre ishte se i përkisnin një partie të caktuar politike – LDK-së”, tha ai.

Në Hagë po ashtu ndodhen edhe Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, ndaj të cilëve ende nuk ka filluar gjykimi.

Nëpër media është përmendur se edhe persona të tjerë mund të jenë në shënjestër të Gjykatës Speciale, derisa po vazhdon procesi ndaj këtyre personave të tjerë.

Mirëpo, të kontaktuar nga “Bota sot”, zyrtarë brenda kësaj gjykate nuk kanë dhënë informacione nëse do të ketë arrestime të reja, apo do të merren fillimisht me rastin ‘Thaҫi dhe të tjerët’.

Gjykata Speciale: Nuk japim informacione për hetimin

“ZPS nuk jep informacion në lidhje me hetimin dhe aktivitetet”, thuhet në përgjigjën e shkurtër nga Specialja.

Burjani: Kjo gjykatë duket se është orientuar vetëm në këta të arrestuar

ImageProfesori dhe njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim BurjaniFOTO GALERI
Profesori dhe njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani, thotë se kjo gjykatë duket se është orientuar vetëm në këta të arrestuar aktualisht dhe jo për arrestime të reja.

“Kjo gjykatë duket se ishte orientuar vetë, këtyre që janë arrestuar por jo edhe për të gjet ndonjë të vërtetë që nuk ekziston, pra kjo gjykatë po i bie që është orientuar kundër Thaҫit e Veselit dhe disa tjerëve. Deri tash nuk ndonjë sinjal se do të ketë arrestime të reja”, thekson Burjani.

Sipas tij, kjo gjykatë është koncentruar në gjykimet aktuale dhe jo të ndërmarrë edhe veprime të tjera.

“Së paku kjo Gjykatë është e koncentruar vetëm në gjykimet aktuale, por jo edhe për të ndërmarrë veprime tjera, pra kjo gjykatë mund të jetë e dështuar”, thekson Burjani.

Megjithatë pritet për vendimet që do të marrë kjo gjykatë deri të kaloj në fazën e gjykimit ndaj katër të akuzuarve në rastin Thaҫi dhe të tjerët.

Ndryshe, kjo gjykatë qysh kur ka arrestuar këta persona, ka publikuar edhe dosjen e plotë të aktakuzave ndaj tyre.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, akuzohen për disa vepra të ndryshme.

“Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes. Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së. Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e publikuar./BS

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *