Sht. Tet 12th, 2024

Haliti: Kryeministri nuk duhet të sillet me arrogancë ndaj një çështjeje që është interes nacional

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti duke folur për shtrenjtimin e energjisë elektrike ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka futur vendin në një situatë të rëndë ekonomike dhe shqetësuese.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ai ka kritikuar Qeverinë për mospjesëmarrje në këtë debat parlamentar për çështjen e energjisë, që siç ka thënë ai, është interes nacional.

“Vërtet jam i shqetësuar së pari pse nuk është Qeveria për të dhënë llogari dhe për të dhënë sqarime dhe në këtë rast nuk po kërkoj të jetë Albini, por të jetë kryeministri i Kosovës sepse ai është kryeministri i vendit dhe ai nuk ka të drejtë dhe nuk është mirë të sillet me arrogancë ndaj një çështjeje që është interes nacional i të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe i cili na ka futur në një situatë mjaft të rëndë edhe ekonomike por mjaft shqetësuese për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Haliti.

Për çështjen e energjisë elektrikeHaliti ka rekomanduar Qeverinë që të realizojë projekte në bashkëpunim me diasporën.

“Atë ditë Albini tha ‘bojlera, lopata’, ato çka kanë qenë të vjetra, por unë mendoj që duke pasur një diasporë të shkëlqyer, e cila ka një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm për familjet e veta, jo vetëm për ato mjete që i sjellë tash në Kosovë, por edhe për çlirimin e Kosovës. Mendoj që Qeveria duhet të mendojë për të krijuar një mundësi të futjes në aksion të çdo mërgimtari që do të blejë aksione dhe ta bëjnë me mjete vetanake një termoelektranë e cila do të kishte edhe përfitime për ta edhe do t’u krijonte hapësirë dhe dëshirë që të vijnë në Kosovë për të jetuar”, ka thënë ai.

Sipas tij ky duhet të jetë një projekt i Qeverisë, i cili do të realizohej me financa të diasporës.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *