Die. Maj 5th, 2024

Ia refuzuan kandidaturën për kryetar të VV-së në Mitrovicë, Beshiri reagon ashpër

By Rtv Arbëria Sht 12, 2022

Ramadan Beshiri ditë më parë kishte shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë. Sot ai njoftoi se nuk është çertifikuar si kandidat potencial.

Megjithëse ai kërkoi arsyetim, kjo gjë nuk iu dha, njofton ai përmes një shkrimi publik, raporton Indeksonline.

Ai thotë se në formën më arbitërare të mundshme i është mohuar e drejta për të qenë kandidat në garën për Kryetar të LVV – Qendra në Mitrovicë.

Njoftimi i plotë:

Të dashur aktivistë e anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, qytetar të çmuar të Mitrovicës!

Ka disa ditë që komentohet për një vendim rreth kandidaturës sime, mirëpo, duke e ruajtur nivelin e komunikimit nuk kam reaguar pa pranuar një vendim zyrtar në adresën time.

Sot në formë verbale, më njoftuan se nuk jam çertifikuar si kandidat potencial, kërkova me mirësjellje arsyetim dhe nuk mu dha!

Me keqardhje më duhet t’ju drejtohem, se në formën më arbitërare të mundshme më është mohuar e drejta për të qenë kandidat në garën për Kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! – Qendra në Mitrovicë!

Kjo e drejtë është e garantuar me statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! (neni 22) dhe mbi këtë të drejtë kemi aplikuar me datën 18 gusht 2022 nën shoqërimin e njëzetë aktivistëve më të vjetër të qendrës sonë në Mitrovicë!

Në kushte normale, procesi zgjedhor është dashur të kaloj në frymën e meritokracisë, duke u bazuar në statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE, saktësisht (nenit 58) i cili detajisht konfirmon formën e zgjedhjes së Kryetarit të qendrës përkatëse.

Ne kemi plotësuar çdo kriter statutor e profesional, përveç kriterit të heshtjes karshi degradimit të Mitrovicës nga ish-pushteti lokal dhe mohimit të drejtës për të ushtruar lirinë e besimeve fetare si e drejtë universale.

FORMAT E REJA TË KONTROLLIT!

Instrumentet e displinimit janë mendësi e shoqërive totalitare, në demokraci subjektet që kanë kunderthënie takohen e bëjnë dialog, gjejnë zgjidhje me metoda racionale sepse ne jemi në shërbim të demokratit dhe jo egokratit. Hakmarrja ndaj nesh na bën të mendojmë se kemi bërë krim, kur kemi reagur ndaj një gjendje shoqërore që është krijuar nga pushteti lokal në Mitrovicë. Në fakt, ne kemi mirëmbajtur konceptin politik me qëndrimin tonë parimor.

Rezultat i këtij qëndrimi është entuziasmi i madh që kemi prodhur me kandidaturën tonë. Mirëpo, siç duket këtu pushteti nuk qenka marrëdhënie siç thotë Fukoja, por mjet me të cilin ndëshkohet tjetri.

Ne ofruam platformën tonë politike e cila në ditën e saj të parë rikthej shkëlqimin organizativ me një debat tejet kontruktiv brenda zyrës sonë.

Por, me të kuptuar se 65% anëtarësisë janë në përkrahjen e kandidaturës sime, ndërsa i preferuari i Prishtinës nuk votohet as nga familja e tij, atëherë organet kompetente vepruan me eleminim e margjinalizim ndaj një aktivisti të përkushtuar. Konsiderojmë se çdo përpjekje për të devalvuar vullnetin e anëtarësisë është tendencioze dhe me prapavijë shkatërruese.

Them të drejtën nga fillimi isha skeptik në këtë proces, por atdhedashuria e dëshira për t’a përkrahur Kryeministrin Kurti na bëri këmbëngulës.

Procesi ka rrjedhur kështu, paraprakisht janë emëruar kordinatorët me diktat pa konsultim me bazën, pastaj janë piketuar shokët, miqtë dhe farefisi i shokëve dhe shoqeve të kordinatorit/grupit punues nëpër lagje e nëpër fshatra për t’i grumbulluar disa njerëz sa për të themeluar strukturat e pikës, ku udhëheqësit e pikave emëroheshin paraprakisht, madje me shkelje statutore të nenit (30) pa kuorum me pesë e gjashtë anëtarë në mbledhje!

Në anën tjetër u anashkaluan e përjashtuan arbitrarisht struktura të pikave të lagjeve dhe fshatrave të tëra sepse nuk korespondonin me synimet e kordinatorit. Kjo lidhje me demokraci të brendshme nuk ka, thjeshtë janë format e reja të kontrollit.

TRADHTI IDEOLOGJIKE

Është tradhëti ideologjike, ti mbyllësh derën një aktivisti i cili që nga fëmijëria e tij ka qenë i përkushtuar ndaj kauzës për vetëvendosje si koncept politik dhe të favorizosh një figurë publike i cili në po të njejtën kohë kur ne protestonim, ai akuzohej për korrupsion në procesin e akreditimit. Është tradhti ideologjike, t’a ofendosh dinjitetin e integritetin e një protestuesi të rregullt kundër pushteteve njëzetë vjeçare, e të favorizosh një kandidat i cili në vitin 2015 e ka quajtur publikisht Lëvizjen VETËVENDOSJE! mendësi politike e viteve të 90-ta, mendësi ekonomike e viteve të 30-ta, ndërsa një vit më vonë në 2016 e quan subjektin tonë politik në statusin e tij publik “Vetevensosje” madje duke aluduar se Lista Srpska e LVV paraqesin rrezikun më të madh për prishje të rendit kushtetues.

Është cinizëm të mos i japësh kreditin një identiteti kolektiv, që ka alarmuar e refuzuar të rreshtohet me ata që keq-qeverisen me pushtetin lokal në Mitrovicë (2016-2021). Tash lind pyetja, cili instrument dispilinor është duke trajtuar çështjen e privatizimeve me pronat publike në Mitrovicë, veprime këto që bijnë në kundërshtim me ideologjinë e demokracisë sociale.

Cili organ i dërgon në masa dispilinore ata/ato që manipuluan konkurset publike në qytetin e Mitrovicës, duke përdhosur parimin e meritokracisë, parim ky të cilin e kemi patentuar ndër vite! Cili organ disiplinor i kërkon përgjegjësi zyrtarëve lokal të LVV-së, për përformancën e dobët e cila është faktuar me borxhin e mbetur në komunën e Mitrovicës.

D.m.th ju i mbroni hermetikisht zyrtarët që korruptohen në pushtetin lokal, madje i dekoroni me pozita në ndërrmarrje publike, ndërsa i degradoni me diskriminim zërat kritik brenda llojit edhe pse kanë argument të fuqishëm.

Ky vendim arbitërar nuk na largon nga fokusi për të kontribuar në të mirën e vendit, sepse autoritetin publik nuk na e përcakton një grup i konzervuar në Prishtinë. Ne do të vazhdojmë të jemi faktor në jetën publike në Mitrovicë.

Do t’i shërbejmë atdheut si profesionist me nivele akademike, vullnetarë në punët e qytetit, kujdestar të brendshëm social, tifozë të Trepçës, taksapagues, aktivist të përkushtuar ndaj Mitrovicës e në përgjithësi trojeve etnike Shqiptare.

Një porosi e fundit:

“Shtiza që i mori jetën këtij zogu, një ditë ishte degë në të cilën ai këndonte”.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *