Sht. Tet 5th, 2024

Ish kryetari Baraliu: Vendimi i Osmanit për Dakën nuk mund të kontestohet, KQZ-ja ishte e ndikuar politikisht

Ish-kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu, ka thënë se vendimi i presidentes së vendit, Vjosa Osmani, për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka nuk mund të kontestohet.

Baraliu theksoi se vendimi i Osmanit është kushtetues dhe ligjor.

“Këtë vendim e shoh si një vendim edhe legjitim edhe legal – kushtetues dhe ligjor i cili buron nga neni 84 i Kushtetutës së Kosovës. Presidentja duke qenë kompetente siç e quan vendimin e saj si mungesë së pavarësisë të kryesueses së KQZ-së besoj se është vendim që nuk kontestohet”.

“Të tjerët mund ta kontestojnë por nuk mund të kontestohet në mënyrë juridike pasi kushdo që ka vendim të emëroj ka të drejtë edhe të shkarkoj aq më tepër kur duhet të përkujtojmë opinionin se ky institucion si i tërë edhe kryesuesit e saj duhet të jenë të pavarur dhe të kenë integritet”, tha Baraliu.

Baraliu mes tjerash tha se KQZ-ja viteve të fundit ka qenë e ndikuar politikisht nga brenda dhe nga jashtë gjë që ka ndikuar edhe në pavarësimin dhe integritetin e saj.

“Ky institucion nuk ka qenë i pavarur dhe ka qenë i interferuar disa herë dhe hera herës gjatë viteve të fundit kanë qenë njerëzit të cilët janë ndikuar politikisht dhe janë preferuar nga subjekte të caktuara politike të vendit”.

“Në punën e këtij institucioni të rëndësishëm kushtetues nuk ka pasur gjithmonë paanësi politike pa dallim anëtarë po kryesues ka pasur anime dhe ndërhyrje politike që kanë cenuar pozitën intelektuale dhe integritetin e këtij institucioni”.

“Ky komision dhe institucione tjera të pavarura viteve të fundit kanë qenë të varura politikisht nga brenda e jashtë dhe kjo gjë ka ndikuar në punën dhe pozitën e tyre institucionale”, tha mes tjerash Baraliu.

Baraliu mes tjerash e quajti cinike dhe jokorrekte mirënjohjen e Osmanit për Dakën pas shkarkimit.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *