Sht. Kor 27th, 2024

Ish- zv/ministri i Arsimit ka disa dilema për propozimin e Nagavcit për tekstet shkollore

By Rtv Arbëria Gus23,2023

Nga Ministria e Arsimit kanë deklaruar se edhe dy ditë do të merret vendimi përfundimtar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për versionin e blerjes së teksteve shkollore nga ana e prindërve dhe më pas të behët rimbursimi i mjeteve përmes aplikimit në platformën ‘eKosova”.

Ky “version” nuk është pritur aspak mirë nga opinioni publik por edhe nga opozita, ku këta të fundit kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ish zv/ministri dhe njohësi i çështjeve të arsimit Xhavit Rexhaj në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se i gjithë problemi është që nuk ka ende një vendim të qartë dhe përfundimtarë.

Pasi sipas tij është shumë vonë sepse tekstet shkollore nuk mund të rregullohen për dy javë dhe do të jetë shumë e vështirë të arrihet një zgjedhje e qëndrueshme.

“Fakti që është një nisme ku po thuhet se do t’a shqyrtojmë këtë mundësi po me duket që është shumë vonë, ky është problemi më i madh. Tekstet nuk rregullohen për dy javë ditë “, ka thënë Rexha.

“Është problem të thuhet një gjë për të cilën nuk ka një vendim të çartë sepse shihet relacioni i atij vendimi në bazën ligjore. Tekstet shkollore tashmë për një kohë të gjatë janë një segment i sistemit arsimor në të cilin janë bërë edhe keqpërdorime lëshime e gabime, ku edhe ka pasur pasoja të konsiderueshme në sistemin arsimor. Unë e shoh ketë si një përpjekje të Ministrisë së Arsimit që t’i tejkalojnë këto probleme që janë shfaqur edhe në të kaluarën”, tha ndër tjerash ai.

Ndërsa, ai e potencojë edhe një problem tjetër, që ka të bëjë më pagesat për prindërit e grupeve të varfëra.

“Është vonë që të fillohet një veprim në një sektorë kompleks në pjesën e tretë të gushtit, kur janë vetëm edhe një javë deri në fillimin të vitit shkollor, prandaj shumë po me intereson se si do ta rregullojnë çështjen e pagesave, në veçanti e shoh problematike se si do të behët pagesa për prindërit e komunitetit edhe grupeve të pafavorizuara dhe grupe të varfëra. Mendoj që do të ketë më shumë komplikime për shkak se nuk kanë xhirollogari, pasi nuk i kanë prioritet çdo herë”, vijoi Rexha.

Njohësi i arsimit shtoi se duhet të shkrihet shumë mend nga Ministria e Arsimit në mënyrë që kjo zgjidhje të mos prodhojë edhe më shumë probleme dhe më shumë komplikime siç ka pasur në të kaluarën.

“Segmenti i teksteve shkollore është një fushë pothuajse e minuar, një fushë shumë problematike prandaj unë kisha dashtë që Ministria të ketë filluar që këto diskutime t’i bënte dikund në prill e jo tash në gusht, çdo gjë tashmë këtu është me më shumë komplikime dhe me nxitim dhe është shumë vështirë të arrihet një zgjedhje e qëndrueshme”, shtoi ai.

Ai ka komentuar edhe çmimet e librave nga shtëpitë botuese, problemi kryesor i gjithë këtij “vendimi”.

Sipas Rexhajt çmimet e librave duhet të jenë të përllogaritura në bazë të kushteve të prodhimit dhe jo në bazë të një tregu të liberalizuar dhe kush të dojë çfarëdo çmimi t’i vejë tekstit.

“Sa i përket çmimeve, unë mendoj që Ministria ka të drejtë që çmimet e librave nuk janë fushë e liberalizuar ato duhen të jenë fushë e rregulluar dhe nuk mund të shkohet më çmimet e tregut. Shtëpitë botuese duhet të jenë shumë të përgjegjshme lidhur me situatën, kërkesat e Ministrisë dhe kërkesat e prindërve. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm që merren më një punë shumë më të ndijshme se sa me një biznes të zakonshëm.

Kujtojmë se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk ka arritur marrëveshje me shtëpitë botuese lidhur me furnizimin me libra për nxënësit. Kjo përkundër se mësimi do të fillojë për 10 ditë

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *