Sht. Maj 4th, 2024

Javën tjetër Parlamenti Evropian voton për vizat e Kosovës

By Rtv Arbëria Pri 11, 2023

Procesi i stërzgjatur i liberalizimit të vizave për Kosovës është pothuajse në fazën e fundit. Parlamenti Evropian ka planifikuar datën 18 prill për të votuar tekstin për të cilën u morën vesh vendet e BE’së.

Shtetet anëtare që hezitonin më shumë për të hequr izolimin u bindën që Kosova s’duhet të jetë shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që përballet me një regjim të tillë. Procesi u zhbllokua nga Këshilli i Ministrave të BE-së, e cila pasoi me hartimin e një teksti për të cilën ranë dakord shtetet anëtare.

Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm drejt BE-së nga 1 janari i vitit 2024. Në fillim, në marrëveshje si afat u caktua nëntori i 2023-ës, por kjo u kushtëzua nga Franca me funksionimin e sistemit ETIAS. Sidoqoftë, ky shans humbi meqë ETIAS do të vonohet.

Për çështjen e vizave të Kosovës, Parlamenti Evropian pati edhe më parë në vitin 2018.

Pas votës në PE, janë edhe pesë hapa para se përfundimisht të hyjë në fuqi vendimi:

– Ambasdorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave

– Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave

– Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian

– Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi

– Liberalizimi i vizave hyn në fuqi

Që nga viti 2018, Komisioni Evropian pati deklaruar se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave, megjithatë procesi nuk u çua më tej në hallkat tjera të BE-së. Për këtë arsye, ndër vitesh ka pasë zhgënjim te qytetarët, por me hapat aktualë të ndërmarrë nga institucionet e BE-së tashmë dhënia e fund e kësaj sage është reale.

Eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, vendi i të cilit ishte ndër më skeptikët, u caktua raportues për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian. Në një prononcim për Express më herët, Reuten kishte thënë se më nuk do të ketë më ndryshime në përmbajtjen e marrëveshjes dhe se kjo nënkupton që liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi ose në të njëjtën kohë me ETIAS ose më së largu më 1 janar 2024.

“Kjo do të thotë që jo më larg se vitin e ardhshëm, Kosova përfundimisht do ta ketë udhëtimin e merituar dhe të vonuar pa viza në BE”.

Për këto zhvillime në BE, qeveritarët në Kosovë morën meritat. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se përmirësimi i sundimit të ligjit nga Qeveria Kurti është arsyeja.

“Tashmë jemi drejt përfundimit të suksesshëm të këtij procesi të tejzgjatur për qytetarët e Republikës së Kosovës. Sukseset e arritura nga Qeveria veçanërisht në sundim të ligjit, puna jonë e vazhdueshme me shtetet anëtare dhe mbështetja e partnerëve tanë strategjikë, ishin faktorë kryesorë në avancimin e këtij procesi që ishte bllokuar për vite me radhë”, kishte thënë ai pasi ambasadorët e BE-së e miratuan tekstin për vizat.

Për vonesën e BE-së kishte ironizuar edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, që pas miratimit nga ambasdorët e uroi edhe BE-në për këtë.

“Një hap i vonuar padrejtësisht me vite u hodh sot nga BE-ja, e cila më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit të trajtimit të Kosovës si të ishte një vend jashtë Evropës! Urime jo vetëm Kosovës, po edhe Bashkimit Evropian”.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *