Hën. Tet 7th, 2024

Kandidati për Kryeprokuror të Shtetit po shqyrton mundësinë ta padisë Gjykatën Kushtetuese

Kandidati për Kryeprokuror të Shtetit, prokurori Shqipdon Fazliu ka thënë se pas konsultimit final me ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë, do të shqyrtojë mundësinë që të ngrisë padi kundër Gjykatës Kushtetuese.

E gjitha pasi kjo e fundit vendosi t’i shpallë të papranueshme kërkesat e parashtruara nga Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti, që të dy kandidatë për Kryeprokuror të Shtetit, të cilët kanë kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për propozimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se kjo gjykatë vendosi t’i shpallë të papranueshme këto kërkesa, me arsyetimin se parashtruesit nuk i kanë shterur të gjitha mjetet juridike.

Për këtë, prokurori Fazliu thotë se kërkesa e tij ishte e adresuar në parimin e sigurisë juridike, duke shtuar se kjo kërkesë vjen edhe si pasojë e precedentit të trasuar, para shtatë viteve, në rastin e ish-Kryeprokurorit të Shtetit.

“Atëbotë, pati vendosur në mënyrë meritore rreth rastit. Më vonë, po e njëjta gjykatë konsolidon praktikën e tillë duke pranuar dhe duke vendosur në mënyrë meritore edhe në dy raste tjera. Madje, trashja e kësaj praktike vazhdoi edhe në dy raste të papranueshmërisë, të cilat kjo gjykatë i refuzon me arsyetimin se rastet e parashtruara kishin të bëjnë me pozitat e Kryeprokurorit të PSRK-së dhe jo të Kryeprokurorit të Shtetit. ‘Thënë këtë’, ‘dyshimet e thjeshta’ sugjerojnë se po të kishin qenë rastet për Kryeprokuror të Shtetit, do të ishin shqyrtuar në mënyrë meritore”, ka thënë Fazliu në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”.

Ai shtoi se e gjitha kjo ka ndodhur në një të kaluar të afërt.

Fazliu thotë se tash kemi një vendim, ku ndryshohet praktika që vetë kjo gjykatë e ka krijuar, por që nuk sqarohet se ku është dallimi, respektivisht ndryshimi mbi pranueshmërinë e kërkesave të mëparshme, kur si atëherë edhe tash kemi gjykatat dhe të njëjtat institute juridike.

Kandidati për Kryeprokuror të Shtetit, thekson se e ka të qartë që nuk mund të ankohet ndaj vendimit të Kushtetueses pasi nuk lejohet një gjë e tillë, andaj e pranon dhe respekton atë, por që është duke u konsultuar me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë për të ushtruar padi ndaj kësaj gjykate.

“Më duhet të pranoj se jam në konsultime me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, nëse vendimi në fjalë krijon bazë të re për një padi, që NUK ka të bëjë me vendimin në fjalë. Po ashtu, jam plotësisht i vetëdijshëm se ngritja e një padie në rrethana që po i konsideroj, është shumë e rrallë dhe sfiduese ligjërisht”, është shprehur Fazliu në përgjigjen e tij.

Ai ka shtuar se këtë ia garanton Kushtetuta dhe se nuk do heqë dorë nga kjo e drejtë që i garantohet.

“Brenda një apo dy ditëve, do t’i drejtohem gjykatave të rregullta. Nëse me ndryshimin e precedentit, më mohohet e drejta e qasjes në drejtësi nga neni 31.2 i Kushtetutës së vendit tonë, atëherë, pas konsultimit final me ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë do ta marrë në konsideratë ngritjen e padisë kundër Gjykatës Kushtetuese. Krejt kjo, në funksion të legjitimimit gjyqësor të këtij procesi tejet të rëndësishëm”, ka përfunduar prokurori Fazliu.

Ndryshe, më 28 prill 2022, avokati i Fazliut, Flakron Sylejmani kishte njoftuar publikun se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ndryshe, KPK në mbledhjen e 214-të, me votim unanim ka caktuar prokurorin Besim Kelmendi, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.

Kjo zgjedhje e Kelmendit ishte bërë pas përfundimit të mandatit kushtetues 7-vjeçar të Kryeprokurorit të deritanishëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ishte emëruar në këtë pozitë më 21 prill 2015.

Ndryshe, më 6 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) votoi unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë, kurse vendimi për dekretim tani mbetet në duart e presidentes Vjosa Osmani.

Ky proces ka shkaktuar reagime të shumta, ku koalicioni i OJQ-ve: IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin për emërimin e Isufajt si Kryeprokuror dhe se kanë propozuar që të përsëritet konkursi.

Ndaj këtij procesi kanë reaguar Ambasada Britanike, Ambasada Gjermane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyer me këtë proces.

Ndërsa, presidentja Osmani ka pritur në takim përfaqësuesit e shoqërisë civile, për të diskutuar rreth këtij procesi.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me shtatë vota kundër, një për dhe tre abstenime, më 6 prill 2022 kishte vendosur që të mos e aprovojë raportin me rekomandime të aprovuara pjesërisht nga Komisioni Rishqyrtues.

Një vendim i tillë kishte ardhur pasi Komisioni Rishqyrtues i ka propozuar Këshillit që të aprovojë raportin e tyre me të cilin kishin aprovuar pjesërisht kundërshtimet për poentim të pasaktë të katër kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.

Konkretisht ishin refuzuar kundërshtimet e kandidatëve, Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Për këto kundërshtime, Komisioni rishqyrtues kishte gjetur se kundërshtimet e këtyre kandidatëve janë të bazuara pjesërisht vetëm për disa kategori të poentimit, pra për bazën poentim i pasaktë, mirëpo një rekomandim i tillë nuk ishte aprovuat nga KPK.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *