Pre. Nën 1st, 2024

KQZ pret aplikimet e subjekteve edhe në fundjavë. Afati përfundon të hënën në orën 16:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të punojë edhe këtë të shtunë dhe të diele (14 dhe 15 gusht) nga ora 08:00 deri në orën 16:00 për të pranuar aplikimet e subjekteve politike që duan të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit.

Afati për aplikim të subjekteve politike dhe për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve përfundon të hënën, më 16 gusht, në orën 16:00.

Ky lajm është konfirmuar për KosovaPress nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi: KQZ do të presë aplikime edhe të shtunën e të dielën

“Meqenëse kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundimin e afatit për aplikim dhe dorëzimin e listave të subjekteve politike që duan të garojnë në zgjedhje, qoftë për kryetarë komunash apo për Kuvende Komunale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë aplikimet edhe gjatë ditës së shtunë dhe të diele, nga ora 8 deri në 16”, tha Elezi.

Ai kujtoi se afati i fundit për aplikim është deri pasditen e së hënës, 16 gusht dhe atë vetëm deri në orën 16:00. Çdo aplikim pas këtij afati nuk do të rekomandohet për certifikim.

Elezi: S’ka afat shtesë pas së hënës

“Afati i fundit për dorëzim të aplikimeve dhe njëkohësisht të listës me emrat e kandidatëve është data 16 gusht, deri në orën 16:00. Nuk do të ketë afat shtesë dhe çdo aplikim pas kësaj kohe do të konsiderohet aplikim pas afatit dhe nuk do të rekomandohet për certifikim”, tha Elezi.

KQZ ka bërë të ditur më herët se pas pranimit të listës me emrat e kandidatëve, do të ketë një proces të verifikimit të tyre, në bashkëpunim me institucionet e tjera, siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe Doganës së Kosovës.

KQZ do të kërkojë verifikim të kandidatëve nga KGjK-ja nëse ndonjëri nga kandidatët është “i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit”.

Deri paraditen e së premtes asnjë nga partitë parlamentare nuk ka dorëzuar në KQZ listën me emrat e kandidatëve për kryetarë komune apo për Kuvende Komunale.

Në zgjedhjet e fundit lokale, të cilat janë mbajtur më 22 tetor 2017, KQZ-ja kishte certifikuar 204 kandidatë për kryetarë të Komunave (196 meshkuj dhe 8 femra), ndërsa 6,887 kandidatë për Kuvende Komunale (4,487 meshkuj dhe 2,400 femra).

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *