Hën. Maj 20th, 2024

Kurti bën homazhe në Çabrat të Gjakovës

By Rtv Arbëria Maj 10, 2024

Në kujtim dhe në nderim të sakrificës dhe të gjakut të derdhur për liri që ndodhet në themelet e shtetit dhe të lirisë sonë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe tek varrezat e martirëve e dëshmorëve të kombit në Çabrat të Gjakovës.

I shoqëruar edhe nga anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti takoi familjarët e dëshmorëve dhe martirëve në Gjakovë.

Kryeministri tha se Gjakova ka dhënë shumë në çdo luftë e posaçërisht në luftën e fundit. Në Gjakovë i kemi 361 dëshmorë dhe 1022 martirë. Vetëm në ditët ndërmjet 7 dhe 11 majit të vitit 1999, i kemi 26 dëshmorë dhe mbi 100 martirë.

“Vrasjet e fëmijëve, të pleqve, të grave, të burrave, të rejave e të rinjve, këto varreza ku sheh njeriu pa numër mbiemra të njëjtë të familjeve, tregojnë që Serbia ka ushtruar gjenocid në Kosovë dhe ka pasur për qëllim shfarosjen e shqiptarëve. Por ajo ka dështuar në këtë projekt mizor e antinjerëzor të saj, dhe sot 25 vjet më vonë ne jemi më të fortë e më të fuqishëm se kurrë më parë”, tha kryeministri Kurti.

Ai shprehu mirënjohje të pafund ndaj familjeve që po qëndrojnë kaq të fortë dhe po e mbajnë lart krenarinë e popullit tonë, i cili ka humbur e ka vuajtur shumë, mirëpo ka dalur fitimtar dhe nuk ka kush që e ndal në progres demokratik, socio-ekonomik dhe evropian.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, invalidët dhe veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, janë vlera të pamohueshme të shtetit e të kombit tonë, mbi të cilat ne vazhdojmë që të ndërtojmë të ardhmen tonë të ndritshme për brezat që do të vijnë. E ku ka shembull më të mirë për këtë se sa nipi i Lule Sharanit, Dijari, i cili kur u takuam këtu tha që dëshiron të angazhohet në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në ushtrinë e Republikës sonë,” tha Kryeministri Kurti.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *