Sht. Maj 4th, 2024

Kurti në Berlin për anëtarësimin në KiE

By Rtv Arbëria Pri 25, 2024

Kryeministri Albin Kurti pati sot një mëngjes pune në Fondacionin Bertelsmann me, siç tha, personalitete të rëndësishme e studiues, në mesin e tyre deputetin e Bundestagut gjerman nga radhët e social demokratëve, Frank Schwabe, drejtuesin e Iniciativës së Stabilitetit Evropian (ESI), Gerald Knaus dhe drejtoren ekzekutive të fondacionit, Daniela Schwarzer.

ZKM në njoftimin për këtë takim tha se Kurti, duke rikujtuar historikun e viteve të ‘90-ta dhe rrugëtimin e shumë shteteve drejt integrimit euroatlantik dhe zgjerimin e BE-së, NATO-s e Këshillit të Evropës, në fjalën e tij, nënvizoi qëllimin e Kosovës për anëtarësim në këto organizata dhe rëndësinë historike e momentumin e marrëdhënieve të Kosovës me Gjermaninë dhe shtetet demokratike europiane.

“Hapin e parë e bëmë në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë dhe shumica e demokracive në Evropë na njohën. Hapi i dytë ka të bëjë me bashkimin me institucionet që janë shtyllat e Evropës demokratike. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s si një ombrellë sigurie për kontinentin tonë. Ne duam t’i bashkohemi Bashkimit Evropian si projekti dhe procesi më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit. Por, hapi i parë që duhet të bëjmë tani është t’i bashkohemi klubit të parë të demokracive evropiane, i krijuar pikërisht në këtë muaj 75 vjet më parë në Londër: Këshilli i Evropës”, tha Kryeministri Kurti.

closevolume_off
Ai shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në respektimin e vlerave të përbashkëta, të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë. I bëri thirrje zyrtarëve të Gjermanisë që të vijojnë ta mbështesin Kosovën edhe në fazën e fundit të votimit dhe arritjes së anëtarësimit të plotë në këtë organizatë.

Kryeministri Kurti u shpreh se pranimi i Kosovës si anëtare e 47-të e Këshillit të Evropës në 75-vjetorin e saj këtë vit është një përparim historik, për Kosovën dhe qytetarët e saj, për rajonin dhe për të gjithë Këshillin e Evropës, ku të gjithë qytetarët do të përfitojnë e veçanërisht dhe minoritetet në vendin tonë.

Në përfundim, kryeministri e falënderoi Fondacionin Bertelsmann për mikpritjen, kontributin dhe interesimin e tyre, duke veçuar politikanët që tashmë na mbështesin kaq shumë në Gjermani dhe Evropë.

Kurti atje ishte i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *