Sht. Tet 5th, 2024

Kurti: Nuk ka ministri që nuk ka dikë nga mërgata jonë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherazi Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, në kuadër të organizimeve të shumta për mërgatën këtë verë, mbajtën dje edhe një bashkëbisedim me bashkatdhetarë në lidhje me ndikimin që mund ta ketë mërgata në proceset shoqërore karshi angazhimit dhe planit që ka qeverisja jonë për diasporën.

Kryeministri Kurti tha se qeveria është duke punuar në krijimin e kushteve për ngritjen e investimeve nga mërgata në atdhe, dhe për transferim të dijes e përvojes nga mërgata në Kosovë.

“Nuk ka ministri që nuk ka dikë nga mërgata jonë, e ne i kemi tre ministra që i janë bashkangjitur qeverisë sonë pikërisht nga diaspora. Ministra e Shëndetësisë, ministria e Mbrojtjes dhe ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kanë tre veprimtarë të çështjes kombëtare, profesionistë të dalluar, të cilët janë në kabinetin tonë qeveritarë”, tha ai.

“Brenda vitit pritet finalizimi i ligjit të ri për diasporën dhe strategjia për angazhimin e diasporës. Do ta trajtojmë edhe çështjen e votës jashtë vendit në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të mos mbahen sikur në të kaluarën kur duhet të votohet para se të bëhet fushata shumë më herët përmes postës ose duhet paguar biletat e shtrenjta të aeroplanit për Kosovë. Mërgata jonë gjithmonë është e mirëseardhur mirëpo kemi për detyrë që shërbimi ynë i jashtëm, përfaqësitë tona diplomatike, ambasadat dhe konsullatat të mundësojnë edhe shërbimin e votës prej jashtë vendit”, tha Kryeministri Kurti.

Në lidhje me punët që kanë filluar tashmë, Kurti kujtoi konceptdokumentin për mësimin plotësues jashtë vendit; grupin punues ndërinstitucional për të adresuar sfidat që i kemi përpara për anëtarësimin në Byronë Evropiane për Kartonin e Gjelbër; Lansimin e nismës ‘Shijo Kosovën’ që për qëllim ka bashkëbisedim me pjesëtarë të diasporës që janë kthyer në shtëpitë e tyre në Kosovë; Letrat me vlerë të Thesarit; Programi për Diplomaci Qytetare që ka për qëllim t’i ndërlidhë profesionistët nga diaspora.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *