Hën. Maj 6th, 2024

Kurti: Pranimi i Komitetit Paralimpik të Kosovës në atë ndërkombëtar është arritje e madhe

By Rtv Arbëria Kor 16, 2022

Në hapjen e Lojërave Parasportive të Kosovës për vitin 2022, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka uruar të gjithë për pranimin e Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar

Ceremonia e hapjes së Lojërave Parasportive të Kosovës për vitin 2022 filloi me lajmin e jashtëzakonshëm që Kosova është bërë anëtare fuqiplote në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar dhe se për herë të parë do të jetë pjesë e Lojërave Paralimpike Paris 2024, si dhe tash e tutje pjesë e çdo aktiviteti tjetër evropian e botëror që organizohet nën patronatin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar.

Fjalën e tij në këtë ceremoni, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e nisi duke thënë se nuk ka pasur vend më të mirë për këtë lajm të jashtëzakonshëm dhe se nuk ka pasur lajm më të mirë për këtë ngjarje.

“Më lejoni t’ju uroj të gjithëve pra pranimin e Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Në vitin 2024, siç e tha edhe presidentja Njomza Emini, do ta shënojmë pjesëmarrjen e parë të Kosovës në lojërat paralimpike. E përgëzoj Komitetin Paralimpik të Kosovës për angazhimin e tyre drejt realizimit të këtij qëllimi madhor e të përbashkët”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ai tha se ky sukses përveçse mundëson përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, më e rëndësishmja është që ka hapur dyert e shumta për mundësi të panumërta për zhvillimin e sportit për personat me aftësi të kufizuara përbrenda vendin tonë.

“Sportistët me aftësi të kufizuara të Kosovës, tash kanë mundësinë për të ëndërruar medaljen paralimpike”, deklaroi kryeministri Kurti, duke shtuar se sportistët me aftësi të kufizuara janë konfirmim i gjallë që e pamundshmja bëhet e mundur.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *