Enj. Dhj 5th, 2024

Kurti sqarohet për “fantazinë” dhe qytetarët që s’kanë ditur sa paguajnë

Kryeministri Albin Kurti ka bërë disa sqarime para deputetëve, edhe për deklaratën e tij se qytetarët mund të fantazojnë, por ka dy opsione – reduktime të rrymës ose rritje të çmimit.

Kryeministri në debatin për shtrenjtimin e rrymës, është sqaruar edhe për deklaratën tjetër, se aq lirë ka qenë energjia elektrike, sa qytetarët s’kanë ditur sa paguajnë.

“Unë s’po them që shumica e qytetarëve nuk e dinë sa është fatura, por po themi se numër më i madh I qytetarëve që nuk e kanë ditur sa është fatura mujore, keni pasur në katër vjetët e fundit. Numri më i madh është në këto katër vjetët e fundit, s’po them shumica as të gjithë. Më tutje, unë kam mirëkuptim për dëshirat, besoj që njeriu është subjekt i dëshirës, ne jemi ata që jemi si njerëz dhe për shkak që dëshirojmë, mirëpo as subvencion, as shkyçje, as shtrenjtim, është regjistri i fantazisë. Fantazia nuk është zgjidhje, unë po iu ftoj të zbrisni në tokë dhe të diskutojmë. Ju mund ta përfytyroni një botë të tillë, ku s’ka as shkyçje, as shtrenjtim e as subvencion, por ajo është fantazi – nuk është realitet”, tha ai.

Kurti po ashtu u është përgjigjur deputetëve të opozitës kur kishte deklaruar për uljen e çmimit të rrymës dhe çka synojnë.

“Disa sqarime nga diskutimet që u bën, e para pati një referencë te një deklaratë imja në fushatën zgjedhore, jo në këto zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit 2021, por në fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Në atë fushatë, është e vërtet që unë kam thënë e synojmë uljen e çmimit. Edhe me siguri që ne e synojmë uljen e çmimit, por duhet ta keni një gjë parasysh, një fushatë zgjedhore unë nuk jap as zotime, dhe as premtime për vitin e parë, por për katër vjet. Një numër i madh i kritikave që i bëhen qeverisë sonë, bëhen sikur të ishim në vitin 2024. Është vetëm viti 2022. Ka mundësi që këta 10 muaj iu janë dukur shumë të gjatë në opozitë. Pra, nuk jemi në përmbyllje të mandatit, jemi në fillim të mandatit. Ende nuk është bërë asnjë vit i mandatit tonë, dhe ju kërkoni prej nesh që ne t’i realizojmë premtimet tona katërvjeçare dhe atë jo të kësaj fushate të fundit, por të asaj para kësaj. Kundërshtarët tanë i kanë pritjet për neve më të mëdha se votuesit tanë, votuesit tanë po kërkojnë që t’i realizojmë premtimet për katër vjet, ju për kërkoni për dhjetë muaj”, tha Kurti.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *