Sht. Pri 27th, 2024

LAJME DITORE E ENJTE , 25.02.2021

By Rtv Arbëria Shk 25, 2021

Mustafa pas mbledhjes së Kryesisë: Nuk ka favorit për kryetar të LDK-së

Kryetari i dorëhequr i LDK-së, Isa Mustafa, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë ku është propozuar që data 14 mars të mbahet Kuvendi Zgjedhor, tha se nuk ka favorit për zgjedhjen e kryetarit të kësaj partie.
Më herët sekretari i LDK-së, Arban Arbrashi, tha se ditëve në vijim do të kenë takime edhe me kryetarët e degëve dhe me Kryesinë për emrat e mundshëm për kryetar..
..

Ish-deputeti i PDK-së ftohet nga Specialja: Do ta mbrojë UÇK-në, Liria ka emër!

Ish-deputeti i PDK-së, Gani Koci është ftuar nga Gjykata Speciale.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka bërë të ditur se do të jetë në Hagë me 18 mars.
“Te nderuar bashkëluftëtarë, miq, shokë e dashamirë. Sapo mora Ftesën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të paraqitem në Hagë, me 18 mars 2021, në cilësinë e dëshmitarit.
Pavarësisht se në çfarë cilësie jam ftuar, unë do jem ai që isha në luftë dhe ai që jam sot, gjithmonë në mbrojtje të Luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare. #LiriaKaEmër!”, ka shkruar ai.!.

5 të vdekur vdekur nga Covid, 437 raste të reja dhe 255 të shëruar

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:
255 TË SHËRUAR DHE 437 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.643 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 437 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Deçan 1 rast (62 vjeç), Obiliq 1 rast (30 vjeç), Podujevë 1 rast (76 vjeç), Prishtinë 1 rast (82 vjeç) dhe Prizren 1 rast (77 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 67.906 raste nga 297.628 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.587 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 255 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 59.174 raste, kurse numri i rasteve aktive është 7.145.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 194 raste, Prizren 36 raste, Pejë 34 raste, Vushtrri 21 raste, Gjakovë 20 raste, Ferizaj 18 raste, Mitrovicë 16 raste, Podujevë 16 raste, Gjilan 12 raste, Lipjan 10 raste, Obiliq 8 raste, Viti 8 raste, Deçan 7 raste, Rahovec 6 raste, Fushë-Kosovë 5 raste, Kaçanik 4 raste, Suharekë 4 raste, Drenas 2 raste, Istog 2 raste, Kamenicë 2 raste, Malishevë 2 raste, Shtime 2 raste, Skenderaj 2 raste dhe me nga një rast komunat Dragash, Hani i Elezit, Junik, Klinë, Kllokot dhe Ranillug.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!!

Edhe 9 të arrestuar për dallavere me subvencionet e bujqve

Policia e Kosovës ka vazhduar edhe sot operacionin ‘’Subvencioni 2021’’, ku nëntë (9) persona tjerë të dyshuar për përfshirje në veprime të kundërligjshme arrestohen nga krimet ekonomike
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente në vazhdën e realizimit të Planit Operativ ‘’Subvencioni 2021’’, edhe sot kanë ndërmarr veprime tjera operative dhe hetimore që ndërlidhen me rastin dhe gjatë operacionit janë arrestuar edhe nëntë (9) persona të tjerë.
Bazuar në hetimet e zhvilluara ekzistojnë dyshime të bazuara se personat e dyshuar përmes dhënies së ryshfetit kanë arritur që të marrin subvencione nga Ministria e Bujqësisë.
Personat e dyshuar janë qytetarë të komunave të ndryshme të Republikës së Kosovës, dhe të njëjtit sot më 25.02.2021 janë arrestuar nga ana e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) e PK-së, ndërsa në koordinim me prokurorin e rastit janë intervistuar dhe të njëjtit janë liruar për procedurë të rregullt.
Personat janë arrestuar në lokacione të ndryshme përfshirë komunat në vijim: tre (3) persona nga Komuna e Istogut, dy (2) persona nga Komuna e Lipjanit, një (1) person nga Komuna e Ferizajt, një (1) person nga Komuna e Prishtinës dhe dy (2) persona nga Komuna e Pejës.
Të gjitha veprimet e mëtejme Policia e Kosovës po i ndërmerr dhe do ti ndërmerr në koordinim të ngushtë me prokurorin e shtetit dhe për detaje do të njoftoheni me kohë…

Skandali me hartën/ Lajmërohet më në fund Mirosllav Lajçak, ja çka thotë

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak u shfaq në një intervistë, ku prapa tij kishte një hartë ku Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë.
Kjo shkaktoi reagime të shumta në Kosovë dhe më gjerë.
Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano në një replikë në rrjetin social Twitter ka thënë se pretendimi që harta e shfaqur prapa shpinës së Emisarit Miroslav Lajçak me Kosovën brenda territorit të Serbisë është i rremë.
“Pretendimi për hartën është tërësisht i pavend dhe i rremë. Kjo hartë zyrtare e BE-së është – në vijë me pozicionin e Flamurit të Bashkimit Evropian – neutrale ndaj statusit. Do t’u rekomandoja të gjithëve që të përqendrohen në çështje të vërteta që ndihmojnë për ta avancuar dialogun për normalizim, në vend se të përpiqen të fabrikojnë tregime të rreme”, ka shkruar Stano.
Por tashmë është lajmëruar vet Lajçak, i cili në një postim në twitter ka dhënë versionin e tij për hartën në të cilën Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë.
“Derisa harta në zyrën time në një imazh të paqartë gjatë intervistës sime ka shkaktuar disa keqkuptime, sot, unë po e ndaj një foto të saj nga afër. Është një hartë zyrtare e BE-së e Ballkanit Perëndimor. Kosova është atje dhe po ashtu vija që ndan Kosovën nga Serbia”, ka shkruar Lajçak,.

Rekord – Vjosa Osmani mori 270 mijë vota

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Vjosa Osmani kanë fituar bindshëm karshi partive të tjera në Kosovë.
Vetëvendosje deri më tani ka fituar rreth 48%. Ky rezultat është rekord sa i përket përqindjes së fituar nga një parti në Kosovë.
Edhe Vjosa Osmani ka thyer rekord me votat e marra gjatë këtyre zgjedhjeve.
Sipas këshilltarëve të saj, Vjosa Osmani deri tash ka marr mbi 270 mijë vota.
Deri më tani, asnjë lider nuk ka arritur të marr kaq shumë vota në zgjedhje”

Moti
Të premten parashikohet mot me diell, temperaturat do të lëvizin nga 3 deri në 17 gradë celcius. Mot me diell edhe në Tiranë,me temperatura nga 7 deri në 21 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 67906 , Të shëruar: 59174 ,të vdekur:1587
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *