Sht. Maj 4th, 2024

LAJMET DITORE, E HËNË 02.11.2020

By Rtv Arbëria Nën 2, 2020

Borrelli e konsideron të papranueshme kërkesën e Thaçit rreth mandatit të Speciales

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e konsideron të papranueshme kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ndryshime kushtetuese në lidhje me zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Qëndrimin e tij, Borrell e ka shprehur në përgjigjjen që u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me seli në Hagë, e cila po punon për mbledhjen e dokumentacionit në lidhje me kërkesën e Thaçit drejtuar Kuvendit të Kosovës.
Përgjigjja është botuar në uebfaqen e këtyre Dhomave.
Në përgjigjjen e tij, Borrell ka thënë se “kërkesa për ndryshime kushtetuese është e papranueshme sepse Thaçi nuk zhvilloi konsultime me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) para se të paraqiste një kërkesë të tillë”.
Sipas parashtresës së Borrellit, një konsultë e tillë është e paraparë në shkëmbimin e letrave midis presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme, Cathrine Ashton, më 14 prill 2014.
Ky shkëmbim letrash i referohet mandatit të Misionit të BE-së në Kosovë dhe themelimit të “Gjykatës Speciale”, dhe “Zyrës së Prokurorit të Specializuar” për çfarëdo procedure të iniciuar pas hetimit nga Task-Forca speciale ndërkombëtare, e cila në fillim hetoi pretendimet nga një raport i Këshillit të Evropës mbi krimet e pretenduara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Borrelli pretendon në parashtresë se ndryshimet kushtetuese të propozuara, kanë të bëjnë me procedurat gjyqësore nga ai hetim, domethënë, të vetë shkëmbimit të letrave të ratifikuara nga Kuvendi i Kosovës si një marrëveshje ndërkombëtare, e cila përcakton që çdo ndryshim ligjor duhet të bëhet në konsultim midis Presidentit dhe Shefit të EULEX-it.
Presidenti Thaçi i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozimin për ndryshimin e Kushtetutës, në fund të gushtit.
Në propozimin e tij, ai ka kërkuar që të ndryshohet neni i amendamentit kushtetues, ku thuhet se mandati i Gjykatës Speciale do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.
Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Gjykatës Speciale “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Më 18 shtator, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka dërguar në Hagë kërkesën e Thaçit lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale.
Sipas nenit 144 të Kushtetutës, ndryshimet kushtetuese miratohen me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Votimi bëhet pasi që kryetarja e Kuvendit t’i adresohet Kushtetueses për të vlerësuar paraprakisht ndryshimet e propozuara.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë në komentin e vet tha se ndryshimet e propozuara kushtetuese nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale, kanë për qëllim kryesor t’i zhbëjnë ose bëjnë të pavlefshme veprimet e Prokurorisë së Specializuar.
Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte kundër presidentit Hashim Thaçi, në muajin prill, por ende nuk është bërë e ditur nëse aktakuza është konfirmuar apo hedhur poshtë nga gjykatësi i procedurës paraprake. \ REL

Nëntë të vdekur në Kosovë nga COVID-19 në 24 orët e fundit, 486 raste të reja

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.374 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 486 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar nëntë raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.
Numri total i rasteve pozitive është 20.655 raste nga 97.148 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 697 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 30 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15.641 raste, kurse numri i rasteve aktive është 4.317.
Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 165 raste, komuna Gjilan 79 raste, komuna Prizren 32 raste, komuna Podujevë 31 raste, komuna Fushë Kosovë 27 raste, komuna Ferizaj 23 raste, komuna Pejë 21 raste, komuna Gjakovë 17 raste, komuna Viti 13 raste, komuna Shtime 11 raste, komuna Suharekë 10 raste, komuna Vushtrri 10 raste, komuna Kamenicë 9 raste, komuna Lipjan 6 raste, komuna Obiliq 6 raste, komuna Deçan 5 raste, komuna Drenas 4 raste, komuna Rahovec 4 raste, komuna Klinë 3 raste, komuna Mitrovicë 3 raste dhe me nga një rast komunat Hani i Elezit, Istog, Junik, Kaçanik, Malishevë, Novobërdë dhe Skenderaj…

Punëtorët e Telekomit, ultimatum Qeverisë: Keni 72 orë për ta zgjidhur çështjen e xhirollogarive

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet për zhbllokimin e llogarive dhe kthimin e mjeteve në llogarinë e Telekomit, pasi sipas tij është duke u rrezikuar operimi i Telekomit dhe mirëqenia e punëtorëve të kësaj ndërmarrje.
Përmes një konference për media, ai i ka dhënë afat Qeverisë së Kosovës 72 orë që të bëjnë zgjidhje, dhe ky tha se është super kërcënim nga punëtorët e Telekomit.
“Nëse brenda 72 orëve nuk e bëjnë zgjidhjen e çështjes së Telekomit, kthimin e xhirollogarive dhe mjeteve në llogari. Nuk më intereson aspak, as mua, as punëtorëve, as kryesisë dhe Kuvendit që a do t’i hedhë në llogari Qeveria ato mjete apo do të kthehen nga oligarku Devolli, sepse unë besoj që ishte dashur të kthehen sepse ato mjete janë të marra kundërligjshëm, atëherë janë të pashmangshme hapat tonë. 72 orë na keni në dispozicion nga ky moment me u ul dhe të negociojmë t’i bëjmë të gjitha zgjidhjet. Ata mund të thonë se e marrin kërcënim, por sinqerisht jo që është kërcënim, por është super kërcënim, ka me ndodh ajo që nuk e kanë parë asnjëherë, sepse siç duket janë mësuar edhe në Parlament edhe në Qeveri shtyrje, por i ka ardhur fundi, ne nuk mund të tolerojmë me na rrejt shteti që kthehuni në punë se ne do të bëjmë zgjidhje duke emëruar bord që brenda 1 muaj ditë do të bëjë zgjidhje, por me mua sot këtu janë të gjithë kryesia, janë edhe ata inxhinierët të cilët janë duke e mbajtur rrjetin me vështirësi të Telekomit të Kosovës”, tha ai..

Skandaloze: Delegacionit kosovar i vidhet çanta me dokumente konfidenciale në Bruksel, kishte material për bisedimet me Serbinë!,

Delegacioni kosovar ka patur disa takime në Bruksel muajve të fundit në kuadër të bisedimeve me Serbinë, të udhëhequra nga BE-ja. Por, njëri ta ka patur epilog shqetësues.
Burime brenda Policisë bëjnë të ditur për Indeksonline se javë më parë në Bruksel delegacionit kosovar i është vjedhur çanta.
Madje, Indeksonline mëson se dokumentet që ndodheshin në çantë ishin konfidenciale në të cilat kishte material për bisedimet me Serbinë.
Pjesë e këtij delegacioni ishin koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, eksperti për çështje ekonomike në dialog, Muhamet Mustafa dhe ish-ambasadori në Belgjikë, Bernard Nikaj.
Pak ditë pasi çanta me dokumente është vjedhur, e njëjta i është kthyer palës kosovare.
Rasti është mbajtur në heshtje deri më tani, ani pse konfidencialiteti i dokumenteve është shqetësues për Kosovën dhe bisedimet e ardhshme ndaj palës serbe….

Gastronomët paralajmërojnë aksion para Qeverisë, kërkojnë pako prej 10 milionë euro

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës po kërkon pako të veçantë ekonomike nga Qeveria e Kosovës për këtë sektorë.
Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se pas masave të reja të Qeverisë së vendit për mbrojtje nga Covid-19, kërkesë kryesore e tyre është që në këtë sektor të ofrohen të paktën 10 milionë euro.
“Si gjithmonë sektori i gastronomisë ka qenë më i ndikuari negativisht nga pandemia dhe siç po e shihni në qytet ka më pak qarkullim të njerëzve dhe automatikisht ka rënë konsumi”, tha Rukiqi.
“Ne kemi rënë dakord që të kërkojmë pako të veçantë për sektorin e gasteonomisë ku ia kam dërguar një letër kryeministrit Hoti ku kam kërkuar që bizneset që po ballafaqohen me kufizime me u përkrah siç janë përkrah më herët”.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, tha se janë ndër sektorët më te prekur nga pandemia ku një numër i madh i bizneseve të gastronomisë po mbyllen, raporton EO.
“Nëse nuk përkrahemi me ndonjë pako sektori i gastronomisë aksionet nuk do të ndalen dhe ne paralajmërojmë masa tjera sepse jemi dëmtuar shumë dhe stafin tonë që kemi me largu nga puna do ta dërgojmë para qeverisë”, tha ai./EO.

MOTI

Të marten parashikohet mot pjeserisht me diell. Temperaturat do të levizin nga 7 deri 17 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 12-22 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:

Total raste: 20655.Të Shëruar: 15641. Të vdekur: 697

www.rtvarberia.com

Tri kanalet e RTV Arberia si dhe Radion mund te i ndiqni edhe ne www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *