Sht. Maj 18th, 2024

“Me deklaratën për personat e zhdukur me dhunë, Serbia pranoi t’i hapë arkivat”, thotë Andin Hoti

By Rtv Arbëria Pri 5, 2023

Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, ka thënë se me marrëveshjen e dakorduar të martën në Bruksel, Serbia ka pranuar deklaratën për personat e zhdukur me dhunë, e sipas tij, kjo nënkupton hapjen e arkivave dhe prezantimin e dokumenteve sekrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë.

Kjo deklaratë pritet të miratohet nga krerët e shteteve në takimin e ardhshëm, ka paralajmëruar Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme.

Ndonëse s’janë dhënë detaje për këtë deklaratë, Hoti ka thënë se ajo nënkupton që Serbia duhet t’i hapë arkivat.

“Dje, pas më shumë se 1 vit negocimi në Bruksel, Serbia më në fund pranoi deklaratën për personat e zhdukur (e cila pritet të miratohet nga Kryeministri Kurti dhe Vuçiq në ditët në vijim). Për herë të parë pas shumë sfidave dhe pas 24 vitesh arritem ta imponojmë adresimin e drejtë të përgjegjësisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare. Prandaj më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb. Gjithashtu, më duhet të theksoj si tepër të rëndësishme, që me anë të kësaj deklarate Serbia detyrohet të marrë përsipër hapjen e arkivave dhe prezantimin e dokumenteve sekrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas tij, ky është vetëm hapi i parë në adresimin politik për çështjen e të zhdukurve me dhunë. Ai ka deklaruar se rëndësia e deklaratës do të arrihet kur të zbatohet plotësisht. Ka shprehur besim në përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *