Sht. Tet 5th, 2024

Ministri Mehaj dhe gjeneral Rama u takuan me komandantin suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë

Me ftesë të Komandantit të KFOR-it, gjeneral major Franco Federici, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama u takuan në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it me komandantin suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë (SACEUR), gjeneral Tod D. Wolters.

Me këtë rast, Ministri Mehaj falënderoi gjeneralin Wolters për angazhimin e trupave të NATO-s në kuadër të misionit të KFOR-it në funksion të sigurisë së përgjithshme në Kosovë dhe mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës. Për më tepër, Ministri Mehaj shprehu vlerësimin e tij për kontributin dhe angazhimin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) në zhvillimin dhe përparimin e FSK-së në të gjitha aspektet. Gjithashtu, ministri Mehaj, informoi gjeneralin Wolters për arritjet e përgjithshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, qëllimet dhe objektivat e tij, si dhe shkallën e ndërtimit të aftësive dhe kapacitetet operacionale në përputhje me planin e tranzicionit të FSK-së. Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen e thellë për mundësinë e dhënë që FSK-ja të marrë pjesë së bashku me forcat amerikane në operacionet e stabilitetit jashtë vendit si dhe pjesëmarrjen në stërvitjen “DEFENDER-Europe 21” me vullnetin që angazhimi i FSK-së në operacione të ngjashme të rritet edhe më shumë për ta bërë edhe më të madh kontributin në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë së përgjithshme në të gjithë botën.

Nga ana e tij, gjeneral Rama, e informoi gjeneralin Wolters për zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së, sipas standardeve të NATO-s, në mënyrë që të jetë e ndërveprueshme me forcat e vendeve anëtare të NATO-s.

Gjenerali Wolters shprehu vlerësimin për arritjet e deritanishme të FSK-së dhe kontributin e saj në sigurinë dhe stabilitetin e përgjithshëm. Ndër të tjera, Gjenerali Wolters përsëriti angazhimin e NATO-s për paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *