Hën. Dhj 9th, 2024

Ministri Murati: Bonot e diasporës do të jenë të gatshme gjatë muajve të verës

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati priti sot në takim Shoqatën e Bankave të Kosovës, si dhe përfaqësuesit e bankave komerciale në Kosovë, ku u diskutua për iniciativën e re të Qeverisë së Kosovës për emetimin e bonove të diasporës.

Me këtë rast, ministri Murati prezantoi këtë nismë të Qeverisë së Kosovës si njëra ndër pikat kyçe të programit qeverisës, pikë kjo që ka për qëllim kanalizimin e kapitalit të diasporës sonë drejt investimeve strategjike që krijojnë vende pune dhe rezultojnë në rritje e zhvillim ekonomik.

Ministri Murati theksoi se Qeveria e Kosovës është e interesuar që në bashkëpunim me BQK-në dhe bankat komerciale të lansojnë bonot e diasporës si produkt i ri, i cili i dedikohet bashkatdhetarëve tanë.

Ministri nënvizoi se ky produkt do t’u ngjajë produkteve financiare aktuale, ashtu që qytetarët ta kenë sa më të lehtë perceptimin e funksionimit të bonove qeveritare, e rrjedhimisht edhe investimin në to.

Më tutje, ai i informoi të pranishmit se bonot e diasporës do të jenë të gatshme gjatë muajve të verës, në mënyrë që bashkatdhetarët të kenë mundësinë e blerjes apo investimit në këtë produkt.

Sipas një komunikate të ministrisë, në këtë takim pjesëmarrës ishte edhe zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Lulzim Ismajli, i cili shprehu mbështetjen e BQK-së për këtë iniciativë të Qeverisë.

Ai po ashtu tregoi se tashmë ekziston infrastruktura e duhur për implementimin e kësaj politike.

Ngjashëm, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës Petrit Balija, vlerësoi lartë gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të bashkëpunuar me sektorin privat bankar me qëllim të krijimit të kushteve për investime strategjike në vend, qoftë prej mërgatës sonë apo investitorëve të tjerë potencialë. Së fundi, ai u shpreh se bankat e kanë gatishmërinë, përvojën dhe sistemin për të qenë ndërmjetësues të këtij procesi, gjë të cilën e theksuan edhe përfaqësuesit e bankave komerciale.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *