Sht. Pri 27th, 2024

Në pritje të emërimit të 12 ambasadorëve, ekspertët tregojnë si duhet të përzgjidhen

By Rtv Arbëria Sht 5, 2021

Në maj të këtij viti nga Ministria e Punëve të Jashtme janë shkarkuar nga misioni diplomatik 12 ambasadorë.

E, fundi i muajit gusht ishte afati kur 12 ambasadorët e shkarkuar të Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës, të përfundojnë misionin e tyre diplomatik dhe të kthehen në vend.

Mirëpo, emërimi i ambasadorëve nuk është bërë ende dhe ambasadorët që janë larguar në disa vende kanë lënë dhe ambasadat e mbyllura.

Një gjë të tillë e kanë kundërshtuar edhe liderët opozitarë, që një gjë e tillë nuk guxon të ndodh.

Ende nuk dihet se kur do të emërohen ambasadorët e rinj, derisa VV është ankuar se në komisionin për përzgjedhjen e kandidatëve, kanë munguar PDK dhe AAK, duke e bërë kështu të pamundur mbajtjen e tij.

Por, sa ka shpresë që të ketë kandidatë të duhur për këto pozita, derisa deri më tani ka pasur ankesa të shumta për përzgjedhjen e ambasadorëve.

Arifi: Ky problem është dashur të zgjidhet të njëjtën ditë kur jemi liruar

ImageAvni ArifiFOTO GALERI
Ish-ambasadorit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Avni Arifi, tashmë i ka përfunduar mandati edhe si ushtrues detyre i ambasadorit, teksa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ende nuk e ka bërë zëvendësimin e tij.

Ai në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se kjo punë për zgjedhjen e ambasadorëve të rinj është dashur të zgjidhet menjëherë pasi ata janë liruar nga detyra.

Po ashtu, Arifi ka sqaruar rrjedhën e procedurës ku ishte ambasador.

“Ky problem është dashur të zgjidhet të njëjtën ditë kur jemi liruar, për shkak se deri te fillimi i punës për ambasadorin e ri ka shumë procedura. Në rastin e Ambasadorit në Emirate procedura është kjo:

Pasi që Presidenca e dekreton ambasadorin e ri dërgohet notë verbale tek vendi pritës për marrjen e pëlqimit për ambasadorin e ri. Vendi pritës e dërgon pëlqimin (agremanin) pas procedurave të brendshme të tyre me verifiku p.sh se a ka qenë ky person ndonjëherë në kundërshtim me vendin pritës. Kjo procedurë zgjat mes 6-12 javë. Në këtë periudhë është mirë që ambasadori i propozuar as si turistë të mos shkojë atje. Pas marrjes së pëlqimit Ambasadori mund të shkojë atje por deri në dorëzimin e letrave kredenciale nuk ka të drejtë të marrë pjesë në aktivitetet qeveritare. Tek pas dorëzimit të letrave që mundet të shkojë deri në 3 muaj dhe ambasadori akreditohet si i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë”, ka shpjeguar ai për “Bota sot”.

Blakaj: Të përzgjidhen ambasadorë më kredibilitet të lartë moral dhe profesional

ImageSami BlakajFOTO GALERI
Njohësi i integrimeve evropiane, Sami Blakaj, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë procesi i emërimit të ambasadorëve ndër vite është përcjellë me shkelje të rënda procedurale andaj ka nevojë për një shqyrtim dhe reformë substanciale në gjithë shërbimin e jashtëm diplomatik.

“Procesi i emërimit të ambasadorëve dhe stafit përcjellës diplomatik është një proces i përcjellë ndër vite me shkelje të rënda procedurale dhe si i tillë ka pasur nevojë imediate për një shqyrtim dhe reformë substanciale në gjithë shërbimin e jashtëm diplomatik. Deri më tani politika jonë e jashtme është karakterizuar me skandale të ndryshme diplomatike dhe kjo ka përçuar mesazhet tek vendet pritëse, se Kosova është një vend jo serioz dhe vend që nuk njeh normat dhe rregullat diplomatike”, ka thënë ai.

Sipas tij, është koha që të Kosova përfundimisht të vendosë themelet e krijimit të një kulture të re institucionale dhe diplomatike, duke përzgjedhur ambasadorë me kredibilitet të lartë moral dhe profesional.

Ai tutje, shton se kjo mbetet të shihet në përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj të cilët tanimë janë rrugës së akreditimit.

“Mendoj se ka ardhur koha që Kosova përfundimisht të vendosë themelet e krijimit të një kulture të re institucionale dhe diplomatike, duke përzgjedhur ambasadorë me kredibilitet të lartë moral dhe profesional, ambasadorë që zotërojnë aftësi të përgjithshme diplomatike dhe që janë të gatshëm ta përfaqësojnë denjësisht Kosovën në arenën ndërkombëtare. Se sa po punohet në këtë drejtim dhe cilat do të jenë rezultatet e para diplomatike, kjo mbetet të shihet në përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj të cilët tanimë janë rrugës së akreditimit. Uroj që ky proces i përzgjedhjes së ambasadorëve të përfundoj së shpejti, meqë serioziteti i shtetit në diplomaci nuk gjykohet vetëm për vendimet diplomatike por edhe për kohën e vendimmarrjes së tyre”, ka deklaruar Sami Blakaj për “Bota sot”.

Voca: Kosova duhet të përzgjedhë ambasadorë të cilët plotësojnë kriteret themelore

ImageMirsad VocaFOTO GALERI
Ndërsa, ligjëruesi i gjeopolitikës, Mirsad Voca, ka thënë për gazetën “Bota sot” se shteti i Kosovës duhet të përzgjedhë ambasadorë të cilët plotësojnë kriteret themelore, e gjithashtu të tregojnë maturi në përzgjedhjen e tyre.

“Ministria e punëve të jashtme e Republikës së Kosovës duhet përzgjedhur tani e tutje ambasadorë dhe diplomatë të cilët plotësojnë kriteret themelore për të përfaqësuar vendin jashtë. Marrë parasysh mënyrën se si është ndërtuar shërbimi diplomatik i Kosovës nga qeveritë e mëparshme nga figura që shpesh nuk përmbushnin as kriteret themelore, besoj se tani MPJD dhe Qeveria e Kosovës do të tregoj më shumë maturi në përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj dhe në reformimin e thellë të shërbimit diplomatik”, ka thënë ai.

Më tej, Voca përmend disa nga cilësitë që duhet t’i ketë një ambasador për të përfaqësuar një shtet në botë.

“Të ndalemi pak tek cilësitë themelore të një Ambasadori apo diplomati, cilësi këto që patjetër duhet respektuar nga Qeveria aktuale e Kosovës ani pse kjo do mund të marrë kohë ndoshta derisa shërbimi diplomatik të futet në binarët e duhur.

Cilësia e parë e një ambasadori është të flasë në mënyrë perfekte gjuhën e vendit në të cilin ai ose ajo përfaqëson interesat e Republikës së Kosovës. Prandaj duhet të ketë aftësi për gjuhët e huaja. Për më tepër, ai duhet të ketë një njohuri të përgjithshme të rëndësishme në fusha të ndryshme. Duke qenë kureshtar për gjithçka, duhet të jetë veçanërisht i interesuar në temat e marrëdhënieve politike, gjeografike, historike, ekonomike dhe ndërkombëtare. Përveç arsimit të lartë me cilësi të lartë, ambasadori duhet të shfaqë një ndjenjë të lartë përgjegjësie. Si ndërmjetës, ambasadori gjithashtu duhet të dijë të jetë i matur dhe i durueshëm, duhet të ketë një ndjenjë të madhe detyre. Duhet po ashtu, të ketë një ndjenjë të lindur të diplomacisë dhe ndërmjetësimit, si dhe një pasion për udhëtimet. Nuk duhet harruar se kemi të bëjmë gjithashtu me një profesion i cili kërkon sakrifica nga pikëpamja private sepse ambasadori është në përfaqësim të përhershëm. Për më tepër, funksioni i tij kërkon që ai të lëvizë shumë rregullisht, çdo 3 ose 4 vjet si rregull”, thekson ai.

Ai më tutje thotë që Kosova nuk ka ende ndonjë një institucion akademik formues për të nxjerrë diplomatë të nivelit të lartë, ku në këto raste është e nevojshme që Ministria e Punëve të Jashtme të organizojnë konkurs serioz me anë të një provimi konkurrues

“Për shembull në Francë, shumica e ambasadorëve francezë vijnë nga Shkolla Kombëtare e Administrimit (ENA). Por nëse ENA është në njëfarë mënyre rruga mbretërore për të hyrë në këtë funksion, nuk është porta e vetme. Në rastin e Kosovës, e cila nuk ka ende një institucion akademik formues për të nxjerrë diplomatë të nivelit të lartë, është e nevojshme që Ministria e Punëve të Jashtme të organizoj konkurs serioz me anë të një provimi konkurrues”, shprehet më tutje Voca.

Në fund shton se Kosova ka njerëz të cilët janë formuar jashtë vendit, andaj ata do të krijonin edhe bazamentin e një shërbimi diplomatik me një qëllim të vetëm, përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të shtetit të Kosovës.

“Besoj se Kosova ka njerëz, sidomos të formuar jashtë vendit të cilët do të ishin të gatshëm të japin kontribut në përfaqësimin e vendit dhe në krijimin e një institucioni akademik për formim të diplomatëve të ardhshëm të cilët do të krijonin edhe bazamentin e një shërbimi diplomatik me një qëllim të vetëm, përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të shtetit të Kosovës dhe të asnjëri apo asgjëje tjetër”, përfundon Mirsad Voca për gazetën “Bota sot”.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *