Pre. Dhj 6th, 2024

NGJARJE DITE, E ENJTE 25.03.2021

Cramon: Shpresoj që liberalizimi për Kosovën të përmbyllet deri në fund të vitit

Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka mbajtur një adresim mbi “Raportin e Komisionit për Kosovën dhe Serbinë 2019-2020”.
Ajo fjalimin e saj e ka nisur duke thënë se pasi që vitin e kaluar nuk ka pasur një raport, tash ai është bërë për dy vjetët e fundit.
“Kemi pasur bashkëpunim tejet të madh mes të gjitha grupeve nëpër takimet dhe e kanë përmbushur raportin me bashkëpunimin e tyre. Kemi përcjell mesazhin e artë për Kosovën dhe integrimin e Kosovës, të ardhmen e saj. Ka ende probleme para ndesh. Luftimi i korrupsionit është i nevojshëm. Është punë që duhet të shtyhet përpara nga qeveria e re që duhet të punojë për rend dhe ligj”, është shprehur von Cramon.
Ajo në këtë konferencë ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Edhe sot në parlament e ngritëm çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Shpresoj se mund ta finalizojmë këtë deri në fund të vitit, çfarë do të ndikonte edhe në rikthimin e besimit tek BE”.
Po ashtu edhe thirrje që të punohet para është edhe ajo e dialogut të Kosovës me Serbinë.
“Qeveria e re duhet të angazhohet për dialogun. Kemi parë në javët dhe muajt e kaluar që është bërë progres dhe do të donim që ky proces të vazhdojë në javët dhe muajt në vijim. Dialogu është parakusht për rrugën drejt BE-së”.
“Po ashtu shpresoj që të votohet presidenti i ri, që duhet të ndodhë shumë shpejt dhe të mos ketë shkuarje nga zgjedhjet në zgjedhje”, theksoi ndër të tjera ajo….

Miroslav Lajçak telefonon Albin Kurtin, zbulohet se çfarë diskutuan

Kryeministri i Kosovës, Abin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Këtë e ka bërë të ditur vet Kurti, përmes një postimi në faqen zyrtare të rrjetit social “Twitter”.
“Sot pranova një thirrje telefonike nga Miroslav Lajçak, i cili më uroi për postin e marr së fundi, duke më uruar suksese.
Gati për të bashkëpunuar në të ardhmen”, thuhet ndër të tjera.
Miftaraj reagon pas vendimit të parë të Albulena Haxhiut, ka disa fjalë për të
Gjatë ditës së sotme Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka marrë sot vendimin e parë si ministre në këtë ministri.
Haxhiu bërë të ditur se ka ndaluar shpërblimet me pagesë të zyrtarëve të lartë.
Në lidhje me këtë vendim ka reaguar Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka reaguar duke e cilësuar një vendim të qëlluar e që ruan nga keqpërdorimi 10 deri 20 milionë Brenda vitit.
Miftaraj shkruan që ky vendim garanton integritet të institucionëve dhe padyshim që është një fillim i jashtëzakonshëm, përcjell “Bota sot”.
Ndër të tjera Miftaraj shton që kur gratë udhëheqin në qeveri, sukseset nuk mungojnë.
Postimi i plotë
Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë me një vendim ruan nga keqpërdorimi 10 deri 20 milionë brenda vitit.
Ky vendim garanton integritet të institucionëve dhe zyrtarëve të lartë.
Vendim që lufton në mënyrë efikase korrupsionin.
Ky është fillim i jashtëzakonshëm dhe meriton respekt.
Rekomandimi i parë i IKD zbatohet në përpikëri nga Qeveria Kurti.
P.S. Kur gratë udhëheqin në qeveri, sukseset nuk mungojnë.
Vazhdojmë tutje me zbatimin e rekomandimëve të radhës, ku Vettingu mbetet top prioritet…

10 të vdekur vdekur nga Covid, 836 raste të reja dhe 700 të shëruar
Njoftimi plotë nga IKSHPK!
700 TË SHËRUAR DHE 836 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 4.133 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 836 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 10 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Pejë 3 raste (71, 72, 73 vjeç), Deçan 1 rast (45 vjeç), Ferizaj 1 rast (70 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (85 vjeç), Kaçanik 1 rast (90 vjeç), Prishtinë 1 rast (84 vjeç), Prizren 1 rast (67 vjeç) dhe Viti 1 rast (79 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 85.334 raste nga 401.480 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.813 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 700 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 70.587 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.934.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 279 raste, Gjilan 74 raste, Gjakovë 60 raste, Podujevë 54 raste, Ferizaj 49 raste, Fushë-Kosovë 42 raste, Mitrovicë 38 raste, Vushtrri 37 raste, Pejë 34 raste, Kamenicë 32 raste, Lipjan 30 raste, Klinë 16 raste, Obiliq 14 raste, Viti 13 raste, Deçan 9 raste, Istog 9 raste, Kaçanik 7 raste, Malishevë 7 raste, Rahovec 7 raste, Drenas 5 raste, Prizren 4 raste, Shtime 4 raste, Graçanicë 3 raste, Skenderaj 3 raste, Suharekë 3 raste dhe me nga një rast Dragash, Kllokot dhe Ranillug.
Të nderuar qytetarë!
Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 836 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Vetëm në Prishtinë janë raportuar 279 raste pozitive. Shprehim ngushëllime familjarëve për 10 rastet e vdekjeve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.
Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.
Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.
Andaj rekomandojmë edhe një herë:
1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
3. Ndalimi rigoroz i tubimeve;
4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës.
IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprenë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.
IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.
Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.
Qytetarë të nderuar,
Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:
Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!
Mbani në mend:
FYTYRA E MBULUAR ME MASKË!
DUART E PASTRA! DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME!
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

Agim Veliu në ditën e fundit në Ministri e shpërblen me kontratë 200 mijë € biznesmenin e LDK-së

Agim Veliu është kujdesur që në ditën e fundit të tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme ta shpërblejë më kontratë në vlerë prej 200 mijë euro biznesmenin Ragip Mustafa, i cili është edhe anëtar i Këshillit të përgjithshëm të LDK-së.
Dita e fundit e Veliut në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka qenë 22 marsi 2021, pëkatësisht kur u votua në Kuvend Qeveria “Kurti 2”, përderisa kontrata për shërbime hoteliere-ushqim dhe pije mes Ministrisë së Punëve të Brendshme me kompaninë “Beni Dona Plast SH.P.K”, pronar i së cilës është Ragip Mustafa, është nënshkruar po të njëjtën ditë, ndonëse një kontratë ekzistuese ka qenë në fuqi deri më 24 mars 2021.
Sipas kontratës e njëjta është nënshkruar me 22 mars 2021, përderisa është planifikuar të hyjë në fuqi pas skadimit të kontratës ekzistuese, më 24 mars 2021 dhe të zgjasë për një periudhë 3 vjeçare.
Në nenin 3 të kontratës thuhet se çmimi për njësi për shërbime hoteliere dhe pije është 23.73 €, kurse çmimi në bazë të peshimit, çmimi për njësi është 3.96 €.
“Vlera e parashikuar e kontratës për Pjesa (Llot 1) në shumë prej 200 mijë euro”, thuhet mes tjerash në kontratë.
Përpos nga u.d i Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit dhe sekretarit të përgjithshëm në MPB, kontrata është nënshkruar edhe nga Agim Veliu si ministër i Brendshëm më 18 mars 2021, ndërsa përfaqësuesja e kompanisë “Beni Dona” kontratën e ka nënshkruar më 22 mars 2021.
Përndryshe, Ragip Mustafa nga 14 marsi 2021 është pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
Mustafa me biznesin e tij “Beni Dona Plast” ka fituar shumë tenderë nga Komuna e Prishtinës, derisa kjo e fundit është udhëhequr nga Isa Mustafa, ish-kreu i LDK-së, por edhe nga Ministritë që i ka drejtuar LDK-ja si: Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK-ja), etj.
Për këtë tender të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila ka shpallur fitues kompaninë “Beni Dona”, në fund të vitit 2020 ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), operatori ekonomik “Luzern”- Prishtinë, i cili pretendonte se Ministria e Punëve të Bredshme ia ka bërë të padrejtë.
Në seancën virtuale të OSHP-së të mbajtur më 21 janar 2021, përfaqësuesi i MPB-së, Armend Rugova, ka deklaruar se operatori ankues nuk i ka përmbushur kriteret e përcaktuara të tenderit. “Kërkesa ka qenë që operatori ekonomik t’i ketë 3 kuzhinierë dhe 2 zv/kuzhinierë. Operatori ankues ka ofruar vetëm dy kuzhinierë dhe ka luajtur me emrin e një zv/kuzhinieri”, ka deklaruar Rugova në seancën e OSHP-së.
Pesë ditë më vonë (26 janar 2021) Paneli Shqyertues i OSHP-së ia ka aprovuar si pjesërisht të pabazuar ankesën operatorit ekonomik “Luzern”. MPB-ja ka pasur afat 10 ditor që ta informojë me shkrim Panelin Shyqrtues për të gjitha veprimet e ndërmarra në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit.
Përndryshe, në lidhje me këtë kontratë të nënshkruar portali Front Online gjatë ditës së enjten nuk ka arritur të kontaktojë me Veliun por as me biznesmenin Ragip Mustafa.

Moti
Gjatë dites se premte parashikohet mot i pjeserisht me diell , temperaturat do të lëvizin nga minus 4 deri në 10 gradë celcius Ne Tirane mot me diell , temperaturat do te levizin nga 3 deri në 15 gradë celcius .

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 85334 , Të shëruar: 70587 ,të vdekur: 1813

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *