Enj. Maj 2nd, 2024

NGJARJE DITE, E PREMTE 14.05.2021

By Rtv Arbëria Maj 14, 2021

Ministria e Shëndetësisë vjen me një njoftim, publikon lokacionet se ku mund të merren vaksinat

Ministria e Shëndetësisë ka ardhur me një njoftim të ri në lidhje me procesin e vaksinimit.
Në postim tregohen lokacionet nëpër komuna se ku mund të marrin vaksinat qytetarët, transmeton Indeksonline.
“Në qendrën e vaksinimit në Prishtinë – salla “1 Tetori” do të vaksinohen qytetarët të cilët sot gjatë ditës janë kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas aplikimit të tyre në platformën e vaksinimit kundër COVID-19, e-Kosova dhe sipas terminit të caktuar”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Njoftim lidhur me vaksinimin kundër COVID-19
Prishtinë, 14 maj 2021Ministria e Shëndetësisë njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se procesi i vaksinimit kundër COVID-19 vazhdon edhe gjatë ditëve të uikendit si në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ashtu edhe në komunat e tjera të vendit, në lokacionet e caktuara nga Drejtoritë Komunale për Shëndetësi sipas tabelës së bashkëngjitur.
Në qendrën e vaksinimit në Prishtinë – salla “1 Tetori” do të vaksinohen qytetarët të cilët sot gjatë ditës janë kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas aplikimit të tyre në platformën e vaksinimit kundër COVID-19, e-Kosova dhe sipas terminit të caktuar.
Po ashtu, vaksinimi në komuna gjatë dy ditëve të ardhshme bëhet sipas ftesave të marra dhe termineve të caktuara për qytetarët nga njësitë e vaksinimit sipas listave në dispozicion të krijuara nga ana e tyre dhe përmes platformës e-kosova.Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit, vaksinimi do të bëhet vetëm për qytetarët që pranojnë thirrjen dhe japin konfirmimin për marrjen e vaksinës në qendrën e vaksinimit në komunat e tyre.Ministria e Shëndetësisë bën të ditur gjithashtu se gjatë ditës së sotme, deri në ora 17:00 me vaksinën kundër COVID-19 janë vaksinuar rreth 3100 qytetarë të Kosovës.
MSh është e angazhuar që të siguroj numër sa më të madh të vaksinave kundër COVID-19, ndërsa gjatë këtij muaji dhe në fillim të muajit që vjen, pritet ardhja edhe e kontigjenteve tjera të vaksinave.Më poshtë lista e qendrave aktuale të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë..

Opozita në heshtje, pozita me qëllime të qarta për dialogun me Serbinë

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të rifillojë në muajin qershor.
Këtë e ka bërë të ditur përfaqësuesi i BE-së, Josep Borrell në një takim që muajin e kaluar mbajti me kryeministrin Kurti.
Ky takim pritet të normalizojë marrëdhëniet mes dy shteteve, duke shpresuar që sa më shpejtë të ketë një marrëveshje finale, shkruan “Bota sot”.
Ende pa ndodhur takimi, parapërgatitjet për dialog kanë filluar nga qeveria Kurti, e cila së fundmi u shpreh se do të takojë opozitën para se të shkojë në tavolinë me Serbinë.
Ishte zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu i cili ka thënë se Albin Kurti do të bisedojë me opozitën për çështje të interesit kombëtar.
Sipas tij, takimi i Kurtit me opozitën pritet të realizohet gjatë këtij muaji.
“Presim që takimet me opozitën të realizohen gjatë këtij muaji. Duhet të palët të jenë të barabarta në tryezën e dialogut, ku Kosova është palë e dialogut dhe jo temë, siç ka qenë deri tani. Dialogu duhet të jetë në shërbim të dy popujve, jo politikanëve”, është shprehur Kryeziu.
Gazeta ka provuar të kontaktoj me partitë opozitare në lidhje me qëndrimet që ato kanë karshi këtij takimi, por që nuk kanë dhënë përgjigje.
Ndërsa pozita shprehet shpresëdhënës që opozita kësaj radhe të jetë bashkëpunuese, në mënyrë që në dialog të ketë koordinim brenda shtetit të Kosovës.
Batusha: Opozita të jetë një zëri me pozitën

Deputeti nga radhët e LVV-së, Agon Batusha në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se Kosova për herë të parë ka një formacion politik i cili ka të qarta qëllimet dhe ka kërkesa legjitime të cilat do t’i paraqes në dialogun me Serbinë.
“Për herë të parë ekziston një formacion politik i cili e ka një vizion të qartë se çfarë do të nxjerrë nga dialogu. Këtu e kam fjalën për të gjitha ato kërkesa legjitime të cilat janë artikuluar nga kjo qeveri të cilat do të paraqiten në dialog. Kërkesa legjitime të cilat kanë qenë të pa adresuara tash e sa kohë”, u shpreh Batusha.
Deputeti më tej shton se VV ka qenë gjithmonë koherente në lidhje me dialogun dhe nuk mund të priten surpriza në përgatitje për dialog.
Ai thotë se do të ishte në interes të të gjithëve që opozita të jetë një zëri në dialog.
“Vetëvendosja ka qenë e qartë dhe koherente në çështjen e dialogut, andaj nuk ka asgjë risi dhe as nuk mund të priten surpriza nga kjo përgatitje për dialog. Që kështu është në interes të gjithsecilit/es akter politik që këto kërkesa të kenë zë unik dhe të jemi një zëri në dialog. Është në interes të shoqërisë dhe në interes të opozitës, po ashtu. Për më tepër ekziston një momentum i krijuar prej rrethanave të ndryshme që Kosova të përfitojë me të mirën nga dialogu”, potencoi Batusha

LDK kundër një ekipi negociator me të gjitha partitë, nuk do jetë pjesë e delegacionit për dialog

Anëtarja e kryesisë së LDK’së, Teuta Sahatqija, është shprehur kundër një ekipi negociator për zhvillimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se në Kushtetutë përcaktohet që qeveria të merret me të. E njëjta e ka përjashtuar mundësinë që subjekti politik të cilin ajo përfaqëson të jetë pjesë e këtij ekipi.

Sahatqija këto deklarime i ka bërë në ‘Balkan Talk’ në Euronews, derisa ka diskutuar edhe çështjen e dokumentacionit për dialog, të cilën qeveria aktuale thotë se nuk e ka marrë ende nga ajo e mëparshme.

“Sa i përket dokumentacionit dhe ekspertizës që ka LDK-ja duke qenë pjesë më parë e dialogut, ja kemi ofruar dhe z. Kurti, madje këshilltarët e z. Hoti po vazhdojnë punën. Ne nuk jemi dakord që të krijohet një ekip negociator nga të gjitha partitë, pasi sipas Gjykatës Kushtetuese dialogu udhëhiqet nga qeveria. Këtë mbështesim dhe ne, duke vazhduar me rolin tonë këshillues e mbikëqyrës në opozitë si dhe votojmë në Kuvendin e Kosovës marrëveshjet”, është shprehur anëtarja e kryesisë së LDK’së.

Ajo ka thënë se kushti final për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

“Një dialog që vazhdon me çështje teknike nuk zgjidh çështjen kryesore. Arritje e marrëveshjes me njohjen reciproke duhet të jetë ajo ombrellë, që hap rrugë për çdo marrëveshje tjetër. Kryesore është që dialogu të rinisë dhe të përfundojë sa më shpejt”, ka thënë ndër të tjera Sahatqija.
Zyrtarja e LDK’së ka folur edhe për ngritjen e padisë ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare për Drejtësi për gjenocid ndaj Kosovës gjatë 1999’ës, duke thënë se duhet trajtuar me kujdes.
“Sa i përket gjenocidit pjesa më e madhe e pranojnë që ka ndodhur. Kërkesa e Kurtit moralisht është valide, por aplikimi duhet bërë me kujdes. Në rastin më të keq nëse del që nuk i përgjigjet kushteve të gjenocidit ne kthehemi para 2008-së. Kjo çështje duhet të analizohet me kujdes”, ka shtuar tutje ajo..

2 te vdekur ,310 të shëruar dhe 49 raste me COVID-19!

310 TË SHËRUAR DHE 49 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 1.835 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 49 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 2 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Mitrovicë 1 rast (55 vjeç), Vushtrri 1 rast (64 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 106.803 raste nga 563.472 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.220 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 310 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 99.097 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.486.
Rastet pozitive janë nga komunat: Leposaviq 8 raste, Prishtinë 7 raste, Gjilan 4 raste, Lipjan 4 raste, Mitrovicë 4 raste, Vushtrri 4 raste, Ferizaj 3 raste, Prizren 3 raste, Drenas 2 raste, Fushë-Kosovë 2 raste, Gjakovë 2 raste, Obiliq 2 raste, Pejë 2 raste dhe me nga një rast komunat Klinë dhe Skenderaj.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

Ministrja Haxhiu dërgon 12 prona të paluajshme në Qeveri

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka dërguar sot në Qeveri 12 prona të paluajshme me qëllim që kjo e fundit t’i përcaktojë kriteret në bazë të cilave mund të jepen në shfrytëzim.
”Mbrojtja dhe shfrytëzimi i pronave publike për interes publik është obligim ligjor dhe kushtetues. Ministria e Drejtësisë administron me pronat e konfiskuara nga gjykatat e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Sipas Haxhiut një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë.
Postimi i plotë:
Mbrojtja dhe shfrytëzimi i pronave publike për interes publik është obligim ligjor dhe kushtetues.
Ministria e Drejtësisë administron me pronat e konfiskuara nga gjykatat e Republikës së Kosovës.
Në kuadër të kompetencave ligjore, kam dërguar 12 prona të paluajtshme në qeveri me qëllim që kjo e fundit t’i përcaktojë kriteret në bazë të cilave mund t’i jap në shfrytëzim.
Kjo s’ka ndodhur asnjëherë më parë!
Jemi të përkushtuar që pasuria publike të shfrytëzohet vetëm për nevoja publike dhe për interesa të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Parashikimi i Motit

Gjatë ditës së shtune parashikohet mot i vranet me shi dhe bubullima, temperaturat do të lëvizin nga 7 deri në 19 gradë celcius. Në Tiranë poashtu parashikohet moti i vranet me shi dhe bubullima,temperaturat do te levizin nga 13 deri në 18 gradë celcius.

Covid – 19 në Kosovë: Total raste: 106803 , Të shëruar: 99097 , Të vdekur: 2220

www.rtvarberia.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *