Pre. Nën 1st, 2024

NGJARJET E DITËS, E DIEL, 15.11.2020

Kurti: Kosova ta organizojë mbrojtjen ndaj të akuzuarve në Hagë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur mbi arrestimin e Hashim Thaçit, Kasri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit nga Gjykata Speciale e Hagës.
Kurti ka thënë se Kosova qysh më herët ka pasur gjykata të tilla, duke filluar, thotë ai, nga UNMIK-u, EULEX-i e “prokuroria dhe gjykatat në Kosovë që mjaft shumë kanë qenë speciale me pasivitetin e tyre”.
Megjithatë, shton Kurti, me Gjykatën Speciale në Hagë jemi duke e paguar jo çmimin e lirisë por të gabimeve politike.
“Gjykata Speciale është e padrejtë dhe e paanshme me UÇK-në si palë ndërluftuese dhe me etninë tonë shqiptare si përkatësi. Ngrehina e kësaj gjykate shkon kundër kujtesës sonë individuale e kolektive, njerëzore e politike”, tha ai.
Kurti ka thënë se pretendimet e Speciales se ka ekzistuar një ndërmarrje kriminale brenda UÇK-së, nuk është aspak i vërtetë.
“Prokuroria e ka gabim, nuk ka pasur strukturë të tillë, UÇK-ja kishte shtabin e përgjithshëm dhe zyrat përkatëse. Ky lajmi më i ri në Kosovë për njëfarë npk brenda UÇK nuk është i vërtetë”, tha ai.
Sipas Kurtit, arsyetimi i Speciales se kjo ndërmarrje ka ushtruar veprime nga viti 1998 është i pabesueshëm, derisa ka thënë se po të bëhej fjalë për vitet e mëvonshme edhe do të ishte e besueshme.
“Sipas gjykatës qëllimi i kësaj ndërmarrje na paska qenë të fitoj dhe ushtroj kontroll gjithandej në Kosovë. Madje, kjo qysh nga marsi 1998. Po të thuhej se ndokush prej tyre ka pasur qëllim kontrollin në mars 2008 apo 2018, edhe mund të besohej por kurrsesi në 1998 siç pretendon prokuroria. Çlirimi ishte qëllimi e jo ushtrimi i kontrollit”, tha Kurti në konferencë për media.
Ai ka kërkuar që qeveria të angazhohet për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja.
“Në Hagë nuk po përndjeken vetëm individët por nuk mund të mbrohen as të pandehurit si individë. Shteti duhet ta organizoj e ta koordinoj mbrojtjen e të pandehurve. E pamë se ata i kanë avokatët e tyre por nevojitet bashkërendimi nga shteti. UÇK nuk ka qenë e asnjërit, por të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë. Kjo është sidomos punë qeverie”, tha ai.
“Për fat të keq, Kosova nuk ka qeveri që mund ta bëjë këtë. Kjo qeveri e paligjshme që varej nga fillimi nga lista serbe e që tash është e pakicës, nuk mund ta mbrojë e të shpëtojë as vetveten e lëre më dikë tjetër”….

13 të vdekur ,250 te sheruar dhe e 501 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

13 persona kanë vdekur në 24 orët e fundit në Kosovë si pasojë e COVID-19, duke e çuar shifrën totale të vdekjeve në 822.
Tre të vdekur (76, 70, 70 vjeç) janë nga Prizreni, e nga një në Dragash (42 vjeç), Drenas (61 vjeç), Gjakovë (83 vjeç), Gjilan (77 vjeç), Kamenicë (80 vjeç), Pejë (81 vjeç), Podujevë (68 vjeç), Prishtinë (74 vjeç), Suharekë (75 vjeç), Vushtrri (75 vjeç).
IKSHPK-ja ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 501 raste të reja nga 1361 mostra të testuara.
Numri total i të infektuarve ka arritur në 29.117.
Rastet e reja janë nga komunat: Prishtinë 249 raste, Ferizaj 45 raste, Gjakovë 44 raste, Fushë-Kosovë 28 raste, Prizren 22 raste, Lipjan 17 raste, Obiliq 14 raste, Podujevë 14 raste, Drenas 9 raste, Mitrovicë 8 raste, Shtime 8 raste, Rahovec 6 raste, Malishevë 5 raste, Vushtrri 5 raste, Gjilan 4 raste, Pejë 3 raste, Skenderaj 3 raste, Suharekë 3 raste, Deçan 2 raste, Istog 2 raste, Kaçanik 2 raste, Viti 2 raste, Zveçan 2 raste dhe me nga 1 rast komunat Dragash, Junik, Kamenicë dhe Klinë.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 250 pacientë, ndërsa shifra totale e të shëruarve ka arritur në 17.305. Raste aktive janë 10.990.

Krijuesi i vaksinës Sahin: Në gjysmën e vitit tjetër i kthehemi jetës normale

Drejtori ekzekutiv i kompanisë gjermane BioNTech, Ugur Sahin, që të hënën e kaluar njoftoi se së bashku me kompaninë Pfizer ka zhvilluar një vaksinë 90% efektive kundër koronavirusit, ka thënë se ajo mund t’i japë fund pandemisë.
Sahin tha për “The Guardian” se nga mesi i vitit të ardhshëm do t’i kthehemi jetës normale, transmeton Gazeta Express.
“Nga mesi i vitit të ardhshëm. Por, para se të ndodhë kjo, na pret një dimër i vështirë. Edhe sikur të nisë shpërndarja e vaksinës në dhjetor, situata nuk do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore”, tha Sahin.
Shkencëtari me prejardhje turke shpjegoi edhe se si do të funksionojë vaksina.
“Vaksina pengon që COVID-19 të ketë akses në qelizat tona. Por, edhe nëse hyn në qeliza, ato e eliminojnë. Kemi hyrë shumë thellë në sistemin imunitar për të perfeksionuar mbrojtjen e vaksinës”, tha ai.
Lidhur me kritikat e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili akuzoi se lajmi për vaksinën u dha qëllimshëm pas zgjedhjeve në SHBA, Sahin theksoi se kjo çështje nuk duhet politizuar.
“Hetimi farmaceutik nuk duhet politizuar kurrë. Është çështje integriteti, nuk do të kishte qenë etike që të mbanim të fshehtë informacionin. E rëndësishme është që po merremi me vaksinën dhe nuk bëjmë politikë”, tha Sahin.

Sami Lushtaku i bën thirrje Edi Ramës të mos luajë me Kosovën për interesa politike

Nënkryetari i PDK’së dhe ish-komandanti i UÇK’së, Sami Lushtaku ka kërkuar nga politikanët e Shqipërisë t’i lënë marrëzirat për akuzat për krimet e luftës. Ka thënë se asnjë politikan shqiptar nuk ka ardhur në Kosovë për të qenë afër shqiptarëve të Kosovës në kohën kur Gjykata Speciale ka arrestuar figurat kryesore të UÇK’së.
I ftuar në ABC për të folur rreth luftës çlirimtare në Kosovë dhe gjykatës së Hagës, Sami Lushtaku, ish-komandant i UÇK-së ka komentuar edhe akuzat që janë bërë në Shqipëri në drejtim të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Lushtaku u shpreh se mendon që politikanët shqiptarë duhet t’i lënë pas ato që ai i quajti marrëzira dhe të jenë më aktiv dhe më pranë Kosovës në këtë kohë.
Po ashtu, ish-komandant i UÇK-së theksoi se ka pritur që politikanë apo një pjesë e institucioneve të qeverisë të shkojnë në Kosovë, dhe të takohen me ta, por kjo nuk ka ndodhur.
“Unë mendoj që politikanët shqiptarë duhet t’i lënë këto marrëzira dhe të jenë më aktivë dhe më afër nesh në Kosovë. Deri më tani asnjë politikan nuk ka ardh në Kosovë që ta bashkëndjejë këtë që i ka ndodh kryetarit të shtetit…Kam prit që një pjesë e institucioneve të qeverisë së Shqipërisë të vijnë në Kosovë, të takohet me ne, dhe deri më tani nuk ka ndodhur. Desha me falenderu, Ervin Salijanin që ishte në Kosovë, e kam prit unë, kemi shkuar tek Varrezat e Dëshmorëve. Dhe desha ta falënderoj që ka ardh e na ka ngushëllu”, ka thënë ndër të tjera Lushtaku/abcnews.al

Deputetja e LDK’së: Liderët politikë ta gjejnë një president të pranueshëm për të gjithë

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka deklaruar se zgjedhjet në kohë pandemie nuk janë zgjidhje. Ajo ka kërkuar nga subjektet politike përgjegjësi që temat e tilla nacionale të ulën dhe t’i diskutojnë së bashku.
Gaxherri thotë se partitë politike duhet të jetë gjithmonë të gatshme për zgjedhje, megjithatë konsideron se për momentin ato nuk janë zgjidhja e duhur.
“Çdo subjekt politik gjithmonë duhet të jetë i gatshëm për zgjedhje. Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, por po e ritheksoj se duke e pasur parasysh situatën në të cilën jemi si Republikë e Kosovës, me temat me të cilat ballafaqohemi, që kushdo qoftë në cilin do subjekt politik që e merr përgjegjësinë për ta udhëhequr vendin ka nevojë për të gjitha subjektet politike sepse janë tema nacionale”, ka deklaruar Gaxherri.
“Unë mendoj se kësaj radhe ishte dashur të ketë pak më shumë përgjegjësi secili lider i partive politike që vërtetë të takohen dhe të diskutojnë sidomos temat nacionale e pastaj të vendosin të shkojnë deri në fund mandati në zgjedhje, por unë kam frikën se nëse pretendojmë të bëjmë zgjidhje të problemeve me zgjedhje ne vetëm do të riciklojmë problemin”, ka deklaruar Gaxherri.
Për Gaxherin më e arsyeshme në këtë periudhë është gjetja e një personaliteti për president, të pranueshëm nga të gjitha paritë politike.
“Është koha që me tregu përgjegjësi liderët, me u ulë e me u marr vesh për një personalitet i cili është i pranueshëm për të gjitha partitë politike në Kosovë dhe me ecë tutje. Sepse kemi probleme të shumta tashmë me pandeminë në radhë të parë e cila shkakton përveç pasojave shëndetësore dhe vdekjeve fatkeqësisht kemi edhe pasoja të mëdha ekonomike dhe jo vetëm kjo kemi problem të madh edhe me Serbinë me dialogun dhe pastaj e kemi Gjykatën Speciale. Këto janë tema të cilat asnjë subjekt politik vetëm nuk mundet me i zgjedh dhe unë s’po e shoh fare të arsyeshme këto kalkulimet ose ikjet nga përgjegjësia të asnjë subjekti e lideri politik”, ka deklaruar Gaxherri për EkonomiaOnline.
Gaxherri ka mohuar të jetë diskutuar brenda kësaj partie për mundësinë e bashkëqeverisjes me PDK-në.
“Nuk është që e kemi diskutuar me organet e partisë këtë gjë për arsye se ne e dimë në çfarë situate gjendet Kosova, me çfarë temash po ballafaqohet dhe natyrisht se për një çështje të tillë duhet me u mbledhë Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së”, ka thënë Gaxherri.
Ajo ka shfaqur edhe shqetësimin për arrestimet e fundit nga Gjykata Speciale duke i quajtur si momente të pakëndshme.
“Është një proces i cili është prit, është nisur e votuar nga vetë institucionet e këtij vendi para 5 vitesh e më shumë. E dimë historikun e këtij procesi pra nuk është që duhet të shihen gjërat bardhë e zi, por prapë se prapë duhet ta them mendimin tim. Në momentin kur filluan të burgosen ose të arrestohen këto personalitet në raport me Serbinë po ju them sinqerisht nuk është një moment i këndshëm ose i pranueshëm”.Deputetja Gaxheri ka qenë kritike për Gjykatën Speciale duke konsideruar se sinjalet e saj janë të njëjta si ato të UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe se nuk pret rezultatet konkrete”, ka thënë ajo.
Gaxherri thotë se krimet që kanë ndodhur në Kosovë duhet të zbardhen.
Ajo thotë se shpreson që Gjykata Speciale të jetë kredibile. megjithatë totë se në fillimet e saja nuk i ka dhënë sinjalet e pritura.
“Megjithatë ne është dashur që t’i kemi gjykatat tona për të gjykuar krimet të cilat kanë ndodhur në Republikën e Kosovës. Ato duhet të zbardhen. Uroj shumë që kjo gjykatë të jetë kredibile, ta kryejë punën e vet dhe të ndajë drejtësi. Në fillimet e saja nuk na ka dhënë sinjale çfarë i kemi pritur, sepse ne po presim gjykatë shembull me pas edhe pse nuk e patëm as kohën e UNMIK-ut që ishin të huajat, as në kohën e EULEX-it”, ka deklaruar Gaxherri.
“Ne pritëm që vërtetë ato përveç që të na trajnojnë, ndihmojnë e monitorojnë, por nuk e kanë bërë fatkeqësisht. Edhe sot atje ku ne me ligjet tona, me Kushtetutën tonë e kemi dërguar gjykatën që të jetë më e pavarur politikisht e në çdo aspekt, ka sinjale që nuk është për të kënaqur megjithatë ne duhet që të kemi kujdes dhe ta kemi parasysh se gjykata duhet të kryej punën e vet, politika të vetën. Të urojmë e të shpresojmë që çdo i pafajshëm duhet të jetë i pafajshëm dhe çdo ai që vërtetë ka bërë çfarëdo krimi duhet të dënohet”, ka deklaruar Gaxherri…

MOTI
Mot i ndryshueshëm në Kosovë në pesë ditët e ardhshme

Në Kosovë në pesë ditët e ardhshme do të mbajë mot i ndryshueshëm, ndërsa në mëngjes dhe gjatë natës pritet të ketë mjegull.
Të hënën pritet të ketë mot me diell dhe pak vranësira, ndërsa nga e marta do të ketë kushte tjera atmosferike, vranësira të dendura të përcjella me reshje shiu, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Temperaturat minimale pritet të sillen nga 0 deri në minus 1 gradë Celsius. Reshjet e shiut në viset e larta malore mund të shoqëroren edhe me fjolla të borës.
Temperaturat maksimale pritet të sillen nga 5 deri 14 gradë Celsius.
Të henen parashikohet mot i pjeserisht me diell, temperaturat do të levizin nga 4 deri 13 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 12-23 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 29117. Të Shëruar: 17305. Të vdekur: 822
www.rtvarberia.com

Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *