Pre. Maj 3rd, 2024

NGJARJET E DITES, E ENJTE 22.04.2021

By Rtv Arbëria Pri 22, 2021

PDK: Kurti braktisi mjekët dhe pensionistët, me rezolutë në Kuvend do t’i kërkojmë qeverisë t’i kthejë shtesat financiare

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu ka mbajtur konferencë për media, ku ka kritikuar vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për uljen e shtesave për mjekët, stafin mbështetës shëndetësor dhe për pensionistët.
Zejnullahu ka thënë se PDK e konsideron skandaloz dhe të ngutshëm këtë vendim të Qeverisë Kurti, në këtë periudhë, kur pritej rritja e mbështetjes ekonomike e financiare për ekonominë e goditur nga pandemia, për mjekët e punëtorët shëndetësorë, si dhe për pensionistët, marrë parasysh shpenzimet për ilaçe që i ka kjo kategori, e cila është edhe më e rrezikuar se grupmoshat tjera nga pandemia.
“Vendimi i kryeministrit Albin Kurti, i marrë në mbledhjen e Qeverisë, për të ulur shtesat për mjekët dhe infermierët për 50 për qind – nga 300 në 150 euro, si dhe për të ndarë vetëm 100 euro për stafin mbështetës teknik është jo i drejtë dhe i papranueshëm, marrë parasysh rrezikun me të cilin ballafaqohen këto kategori gjatë punës së tyre të përditshme në përballje me pandeminë COVID 19. Nuk mjafton vetëm falënderimi për ta, por duhet të ketë edhe vendime e mbështetje konkrete. “, ka theksuar ajo.

Albin Kurti pret në takim kryediplomatin gjerman

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.
Heiko Maas, ka mbërritur në ora 14:00 aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, për vizitën e tij zyrtare, ku është pritur nga homologia e tij kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz. Para takimit me Kurtin, kryediplomati gjerman është takuar me presidenten Vjosa Osmanin. Më pas të dy kanë mbajtur konferencë për medie.
Një orë më pas, në 17:30, ministri gjerman ka zhvilluar edhe një takim zyrtar me homologen e tij kosovare, Kryediplomaten Donika Gërvalla.
Para nisjes për në Kosovë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi duhet të bashkëpunojnë në luftën kundër pandemisë.

Kiçmari: Deklarata e Maas për dialogun Kosovë-Serbi, qëndrim i administratës së ShBA-së

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas gjatë takimit me presidentën e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se në dialog njohja e Kosovës nga Serbia do të jetë një elementet i zgjidhjes derisa palët duhet të jenë të gatshme për kompromise.
Deklaratat e ministrit Maas, Sabri Kiçmari, drejtor i Akademisë Diplomatike në Ministrinë e Punëve të Jashtme, shprehet se janë qëndrim i administratës Biden.
Ai ka thënë këto qëndrime janë me vlerë për një dialog që pritet të ndodh mes Kosovës dhe Serbisë.
“Dialogu është temë e rëndësishme. Kurti ka vënë në pah që për qeverinë e tij prioritet kryesor është luftimi i papunësisë, sistemi i drejtësisë dhe pandemia. Pa dilemë që dialogu është temë që e kërkojnë miqtë tanë. Edhe sot ministri i Jashtëm në takimin me presidenten e ka theksuar një gjë që e tha në mënyrë decidive. Ai tha se integriteti territorial i Kosovës nuk vihet në diskutim dhe tha se zgjidhja është njohja e ndërsjellë. Mendoj se këto dy mesazhe janë të akorduara me qëndrimet e administratës së re të SHBA’së. Këto qëndrime janë me vlerë në një dialog të ardhshëm që pritet të ndodh”, ka theksuar ai.
Kiçmari ka deklaruar se ideja e ndryshimit të kufijve ka përfunduar dhe nuk pret që ketë mbështetje.Përndryshe, ai shtoi se Qeveria Kurti duhet të fokusohet në njohjet e reja.​.

5 te vdekur ,507 të shëruar dhe 382 raste me COVID-19!

507 TË SHËRUAR DHE 382 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.003 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 382 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 2 raste (83, 79 vjeç), Pejë 1 rast (70 vjeç), Prizren 1 rast (67 vjeç), Skenderaj 1 rast (78 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 103.124 raste nga 511.336 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.110 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 507 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 89.648 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.366.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 59 raste, Pejë 40 raste, Podujevë 27 raste, Ferizaj 26 raste, Mitrovicë 25 raste, Prizren 24 raste, Gjilan 21 raste, Lipjan 21 raste, Fushë-Kosovë 15 raste, Skenderaj 15 raste, Gjakovë 14 raste, Klinë 14 raste, Drenas 13 raste, Vushtrri 13 raste, Shtime 9 raste, Suharekë 8 raste, Malishevë 7 raste, Istog 6 raste, Deçan 5 raste, Viti 5 raste, Obiliq 4 raste, Rahovec 4 raste, Kaçanik 3 raste, Kamenicë 2 raste dhe Leposaviq 2 raste.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

Kompania e ish-këshilltarit të Isa Mustafës, përfitoi 100 mijë euro nga Qeveria Hoti

Në tetor të vitit 2020, Qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Avdullah Hoti hartoi planin e Rimëkëmbjes në të cilin parashihej ndihma ndaj bizneseve. Në listën e publikuar nga Ministri Hekuran Murati janë gjithsejtë 50 biznese që kanë përfituar 60 milionë euro nga pakoja e rimëkëmbjës së hartuar nga Qeveria Hoti.
E në mësin e atyre që përfituan është edhe kompania e sigurisë ‘Balkan International SHPK’ që për drejtor dhe pronar ka Besnik Berishën, dikur këshilltar i ish-kryeministrit Isa Mustafa kur ky i fundit udhëhiqte Qeverinë e vendit.
Kompania e Berishës, që merret me ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ka përfituar mbi 100 mijë euro nga Qeveria Hoti.
100,941,74 mijë euro del të jetë shuma e saktë që kompania e ish-këshilltarit të Mustafës mori nga qeveria Hoti si ndihmë financiare.
Krahas Besnik Berishës, kompaninë “Balkan International SH.P.K” e udhëheq edhe Lance Kallen në cilësinë e drejtorit të biznesit.
Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, Arben Muqaj figuron si agjent i regjistruar i kompanisë Balkan Internetional.
Kompania “Balkan International” ka 470 punëtorë të deklaruar në ARBK.
Ndryshe sot ministri i Financave, Hekuran Murati, ka publikuar listën e 50 bizneseve fituese, të cilët përfituan 60 milionë euro nga shteti si ndihmë për ta tejkaluar goditjen ekonomike të pësuar nga pandemia COVID-19.

Kjo është shuma marramendëse që ka përfituar “VIVA FRESH” nga Qeveria Hoti

Janë publikuar të dhënat e ndihmave që kanë përfituar në kohë pandemie nga Qeveria Hoti.
Gazetari Enis Veliu, thotë se 860 mijë euro i ka marrë vetëm “VIVA FRESH” nga Qeveria Hoti në kohë pandemie.Sipas tij, gjatë kësaj kohe për me ble produkte ushqimore nëpër marketet e “VIVA FRESH” është dashur me prit në radhë, ndërsa për me ble miell është dashur me njoftë menaxherin e pikave të shitjes.Ai tregon se në këtë kohë një supë gjeli është shitur në këto markete 0.80 cent.“860 mijë euro i paska marrë si “ndihmë” nga Qeveria Hoti rrjeti i marketeve “VIVA FRESH”. Gjatë kohës së pandemisë për me ble produkte ushqimore nëpër këto markete është dashur me prit radhe, e për me ble miell është dashur së paku me njoftë menaxherin. Në këtë kohë një supë gjeli këta e shitën mbi rreth 0,80 euro !!!”, ka shkruar ai në Facebook..

Parashikimi i Motit

Gjatë ditës së premte parashikohet mot pjeserisht i vranet me mundesi per te reshura te shiut , temperaturat do të lëvizin nga 5 deri në 13 gradë celcius. Në Tiranë parashiohet moti vranet me mundesi per te reshra te shiut ,temperaturat do te levizin nga 11 deri në 16 gradë celcius.

Covid – 19 në Kosovë: Total raste: 103124 ,Të shëruar: 89648, Të vdekur: 2110

www.rtvarberia.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *