Hën. Maj 13th, 2024

NGJARJET E DITËS, E ENJTE 26.11.2020

By Rtv Arbëria Nën 26, 2020

Dhoma e Specializuara: Mandati ka vazhduar dhe do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë për përfundimin e mandatit

Dhoma e Specializuara të Gjykatës Kushtetuese (‘Dhoma Kushtetuese’) nxori aktgjykimin e saj mbi referimin e amendamenteve të propozuara të nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës (‘Kushtetuta’), për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Dhoma Kushtetuese vendosi se amendamentet kushtetuese të propozuara pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara prej Kapitullit II të Kushtetutës, thuhet në një njoftim të kësaj gjykate.
“Amendamentet kushtetuese u propozuan më 24 gusht 2020 nga Presidenti i atëhershëm i Kosovës dhe në vijim Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, ia përcolli ato Dhomës për vlerësim paraprak, në përputhje me nenin 144(3) të Kushtetutës”, thuhet tutje në njoftim.
Në aktgjykimin e saj Dhoma Kushtetuese vlerësoi amendamentet kushtetuese të propozuara, duke u kushtuar vëmendjen e duhur kontekstit dhe veçorive specifike të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Dhoma Kushtetuese gjithashtu konfirmoi se në pajtim me nenin 162(3) të Kushtetutës, kjo Dhomë ka juridiksion ekskluziv për kryerjen e këtij vlerësimi, duke qenë se amendamentet e propozuara kanë lidhje me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“Po kështu, Dhoma Kushtetuese theksoi se në pajtim me nenin 162(13) dhe (14) të Kushtetutës, mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuara ka vazhduar dhe do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë për përfundimin e mandatit të tyre”, përfundon njoftimin Dhomat e Specializuara..

15 të vdekur e 775 raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë shënuar 15 raste të vdekjes e 775 raste pozitive me COVID-19.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur të enjten se rastet pozitive kanë dalë nga kryerja e 1.903 mostrave të dyshimta për SARS CoV-2.
Me këtë, numri i përgjithshëm i të prekurve që nga fillimi i pandemisë është rritur në 37.028, kurse i të vdekurve si pasojë e COVID-19 në 963.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 553 pacientë nga COVID-19, duke çuar numrin e përgjithshëm në 22.690.
Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prizren 4 (76, 66, 56, 52 vjeç), Prishtinë 2 (78, 66 vjeç), Ferizaj 1 (78 vjeç), Gjilan 1 (80 vjeç), Klinë 1 (76 vjeç), Suharekë 1 (77 vjeç), Pejë 2 (71, 64 vjeç), Vushtrri 1 (72 vjeç), Gjakovë 1 (69 vjeç) dhe Podujevë 1 (87 vjeç).
Ndërkohë, rastet pozitive janë shënuar në komunat Prishtinë 306, Mitrovicë 64, Gjakovë 40, Ferizaj 38, Fushë-Kosovë 37, Gjilan 35, Prizren 30, Podujevë 29, Vushtrri 21, Lipjan 20, Pejë 20, Viti 20, Obiliq 16, Drenas 15, Skenderaj 13, Kaçanik 12, Shtime 11, Suharekë 9, Malishevë 7, Klinë 5, Rahovec 5, Deçan 4, Istog 4, Kamenicë 4, Dragash 3, Graçanicë 2, Novobërdë 2, Zubin-Potok 2 dhe Junik 1.

Ministria kishte emëruar konsuj pa ekzistuar konsullatat

Ministria e Punëve të Jashtme kishte emëruar konsuj të përgjithshëm pa u hapur konsullatat. Instalimi i tyre ishte bërë në shkelje të ligjeve, me të cilat funksionon MPJ-ja dhe konventave ndërkombëtare. Derisa ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar shqyrtimin edhe të dekreteve për hapjen e konsullatave, MPJ-ja vazhdon të heshtë
Konsullata të paprecedente për nga mënyra si janë ngritur dhe emërimit të titullarëve të tyre duke shpërfillur ligjet, ka hapur ndër vite Ministria e Punëve të Jashtme.
Mbështetur në ligje, por sipas praktikës ndërkombëtare nuk krijohen konsullata të përgjithshme në kryeqytete ku ekzistojnë ambasadat. Katër konsujt, të cilët i shkarkoi të mërkurën ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ishin emëruar nëpër kryeqytet, të cilat Kosova ka ambasada. Madje, disa prej tyre janë emëruar pa u hapur konsullatat, siç është rasti me Tiranën, Lubjanën e Toronton.
Veç shkarkimit, Osmani është zotuar ta ndalë praktikën e hapjes së konsullatave të tilla.
Bekim Kupina, këshilltar për media i u.d. së presidentes, ka thënë se do ta shqyrtojë edhe ligjshmërinë e hapjes së konsullatave.
“Është parim e praktikë diplomatike e konsullore e mbështetur edhe në Konventën e Vjenës dhe në legjislacion ndërkombëtar, që përveç në raste tejet specifike, nuk ka ambasada dhe konsullata të përgjithshme në të njëjtat qytete. Prandaj, u.d. së presidentes është duke i shqyrtuar edhe dekretet për hapjen e atyre konsullatave të përgjithshme, meqë s’kanë asnjë arsyeshmëri: as diplomatike, as financiare e as logjike”, ka thënë Kupina. Ai ka shtuar se, Zyra e u.d. së presidentes është e gatshme që në secilin rast të garantojë ligjshmërinë dhe organizimin e mirëfilltë të misioneve diplomatike në bazë të kompetencave që i kanë”.
Por, kjo ndërmarrje kërkon koordinim mes Ministrisë së Jashtme, përkatësisht Qeverisë. Kupina ka thënë se implementimi i vendimeve nuk është kompetencë e Presidencës, por e MPJ-së dhe Qeverisë.
“Edhe për çështjen e stafit të konsullatave, rishikimin e bën MPJ-ja, ngase Presidenca i ushtron kompetencat e saj vetëm në raport me shefat e misioneve diplomatike dhe konsujve të përgjithshëm, siç parasheh Kushtetuta. Për grada më të ulëta, kompetenca i takon MPJ-së”, ka theksuar ai.
Ministria e Jashtme vazhdon heshtjen
Ministria që udhëhiqet nga Meliza Haradinaj nuk është deklaruar as të enjten për shkarkimet dhe konsullatat e paligjshme.
Kurse, në Zyrën e Kryeministrit kanë sugjeruar t’u referohemi qëndrimeve publike të Hotit, i cili të mërkurën paralajmëroi rishikim funksional në rrjetin e misioneve diplomatike. Pas kësaj analize, sipas tyre, do të ndërmerren të gjitha veprimet për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike.
Butrint Berisha, që mbulon politikën e jashtme në Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS), thotë se mënyra si janë hapur vitet e fundit konsullatat më shumë kanë shërbyer si filiale partiake.
“Nuk është praktikë diplomatike që në të njëjtin qytet të ketë mision diplomatik dhe mision konsullor. Ideja e tyre, nëse hapen brenda të njëjtit shtet, zakonisht hapen në qytete të ndryshme në rajone gjeografikisht të largëta. Mendoj që hapja e misioneve, por edhe deklarimet për mbylljen e tyre në të kaluarën kanë shpërfaqur mungesën e koherencës dhe planifikimit afatgjate brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka thënë Berisha.
Mungesë arsyeshmërie për hapjen e konsullatave
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, pati paralajmëruar rishikimin e arsyeshmërisë së funksionimit të konsullatave të paprecedente, për të cilat ka raportuar KOHA.
E tillë është vlerësuar të jetë Konsullata e Përgjithshme në Tiranë, e cila madje funksionon brenda Ambasadës së Kosovës. Konsulli i përgjithshëm, tani i shkarkuar nga Osmani ishte dekretuar nga ish-presidenti Thaçi në vitin 2016. Dekreti kishte hyrë në fuqi në ditën e nënshkrimit, pavarësisht faktit se atëkohë nuk kishte konsullatë të formuar, ndërsa Halim Krasniqi vepronte në kuadër të Ambasadës.
Kundërshtimeve të gjata për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme në Tiranë, MPJ-ja u kishte dhënë epilog përmes një vetinterpretimi të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, pas të cilave kishte krijuar rrethanën për vendosjen e Konsullatës brenda të njëjtit objekt me Ambasadën.
KOHA kishte siguruar opinionin ligjor, mbi bazën e të cilit ishte hapur Konsullata, i hartuar nga departamenti për çështje ligjore i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai ishte nxjerrë në vitin 2017, kohën kur ende nuk ishte konstituuar qeveria e re, së cilës do t’i printe Ramush Haradinaj, pas zgjedhjeve të qershorit. Sipas atij interpretimi të MPJ-së, Konsullata dhe Ambasada mund të veprojnë brenda të njëjtës çati, me kushtin që zyrat t’i kenë ndaras.
Me gjithë kritikat e njohësve të diplomacisë, MPJ-ja është thirr në Konventën e Vjenës mbi Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, si dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës, duke thënë se “nuk e kufizojnë të drejtën e Konsullatës së Përgjithshme për të funksionuar në të njëjtën ndërtesë, ku është e vendosur edhe Ambasada”.
“Departamenti për Çështje Ligjore dhe Traktate në dritë të dispozitave ligjore të instrumenteve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës mbi çështjen e hapjes dhe funksionimit të konsullatave të përgjithshme në të njëjtin objekt me ambasadat, konsideron se Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë mund të hapet dhe
të funksionojë në objektin ku është vendosur Ambasada e Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, me kusht që këto dy misione të mos i ndajnë të njëjtat zyra”, shkruan në opinionin që mban datën 28 gusht 2017, periudhë kjo kur Kosova ende nuk e kishte krijuar qeverinë e re, pas prishjes së koalicionit PDK-LDK.
Në dokument përmendet edhe qëndrimi i shtetit pritës, këtë rast Republikës së Shqipërisë, ku siç thuhet bazuar në korrespodencat që kanë pasur, këto institucione nuk parashtrojnë asnjë pengesë në hapjen dhe funksionimin e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në objektin e Ambasadës.
Por në njërën prej letrave të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, të cilën e kishte publikuar “Koha Ditore”, ajo shfaqej e painformuar për Rrethin Konsullor të Konsullit. Edhe pse jep pëlqimin për emërimin e Halim Krasniqit, Republika e Shqipërisë i kishte kërkuar Ambasadës së Kosovës në Tiranë që konsullit t’i përshkruhet Rrethi Konsullor dhe qendra ku do të jetë ajo.
Bazuar në informatat që i janë dërguar ushtrueses së detyrës së presidentes, për Krasniqin, të cilit Thaçi ia kishte ndarë edhe mandatin e dytë, nuk ka ekzekuaturë/pëlqim nga shteti pritës.
“Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, u.d. së presidentes Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga presidenti paraprak”, thuhet në arsyetimin e u.d. së presidentes.
Të njëjtin vit me Konsullatën në Tiranë ishte funksionalizuar edhe ajo në Lubjanë.
Pa u konsoliduar objekti, MPJ-ja e pati emëruar konsull të përgjithshëm Blendi Kilajn, i cili është djali i zyrtarit të lartë të PDK-së nga Malisheva, Isni Kilaj.
Me dekret të presidentit Thaçi, më 8 mars të vitit 2018, edhe ish-gazetari Donat Syla ishte emëruar konsull i përgjithshëm në Toronto. Por, Konsullata ishte inauguruar tek në dhjetor të vitit 2018.
Emërimet kishin marrë formë finale, edhe pse Shoqata Sindikale brenda MPJ-së vazhdimisht ka dërguar shkresa tek udhëheqësit institucionalë me kërkesën që të kthehet ligjshmëria në MPJ.
Vendimi për shkarkimin e këtyre konsujve nga Osmani ka ardhur pas raportimit të KOHËS lidhur me emërimin e Flakron Shalës si konsull në Pragë.

Ministria e Punëve të Jashtme për shkarkimin e konsujve: S’kemi pranuar asnjë dokument nga Vjosa Osmani

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thotë se ende nuk është njoftuar zyrtarisht për vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani lidhur me shfuqizimin e katër dekreteve, që do t’i kthejë në Kosovë katër konsujt e përgjithshëm të emëruar muaj më parë.
Në një përgjigje për Express, MPJD ka thënë se nuk kanë pranuar asnjë dokument zyrtar nga Presidenca lidhur me këtë vendim.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka pranuar ende zyrtarisht nga Presidenca asnjë dekret në lidhje me atë që është raportuar në media – shfuqizimin e dekreteve për katër konsujt të përgjithshëm”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
MPJD ka thënë se nuk mund të ndërmarrin asnjë hap, derisa t’i pranojnë zyrtarisht dokumentet nga Presidenca.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk mund të ndërmarrë asnjë hap, pa i pranuar zyrtarisht dekretet për të cilat po pyesni. Deri tash, siç e potencuam më lartë, MPJD nuk ka pranuar asgjë nga Presidenca në lidhje me këtë”, thuhet në përgjigje.
Të mërkurën, Presidenca ka njoftuar se u.d. e presidentes, Vjosa Osmani i ka shfuqizuar katër dekretet për emërimin e konsujve të përgjithshëm të Kosovës në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.
Në njoftimin e lëshuar, Presidenca ka vlerësuar se sa i përket tri rasteve të para, konsullatat e përgjithshme nuk mund të hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk mund të emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe ambasada.
“Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte ekzekuaturë/pëlqim nga shteti pritës. Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, u.d. Presidentja Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga Presidenti paraprak”, thuhet në komunikatë.
Vendimi i Osmanit ka ardhur pasi Flakron Shala, djali i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, është emëruar si konsull i përgjithshëm në Pragë të Çekisë.
Përveç Shalës, me vendim të Osamnit janë shkarkuar edhe Blendi Kilaj nga konsullata në Lubjanë, Lindon Kqira nga konsullata në Shkup dhe Halim Krasniqi nga konsullata e Kosovës në Tiranë.

Kamberi vendos flamurin kombëtar në Kuvend të Serbisë, reagojnë Daçiqi e Bërnabiqi

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka vendosur të enjten flamurin kombëtar shqiptar gjatë fjalimit të tij.
Menjëherë pas vendosjes reagoi kryeparlamentari Ivica Daçiq që i kërkoi Kamberit ta hiqte flamurin, duke i thënë se kjo është shkelje e rregullores.
Fillimisht ai reagoi ashpër, por më pas Kamberi e cilësoi si censurë heqjen e flamurit kombëtar.
“Me mirësjellje ju kërkoj të respektoni rregulloren e Asamblesë Kombëtare, që thotë qartë se është e ndaluar të shfaqen simbole të partive apo shteteve të tjera”, ka thënë Daçiq.
Pas kësaj deklarate, Kamberi kishte hequr flamurin.
Ndaj vendosjes së flamurit kombëtar reagoi edhe kryeministrja Ana Bërnabiq që tha se Kamberit më shumë i intereson të flasë për flamurin se për problemet në vend.
“Do të doja të flisnim për gjëra më specifike. Nëse ju mendoni se keni të drejtën të shfaqni flamurin tuaj, që të flasim për një flamur të një shteti tjetër, kjo flet për nivelin se sa reale janë problemet që i mendoni ju për shqiptarët në Preshevë e Bujanoc”, ka thënë Bërnabiq.
Më pas, Kamberi është përgjigjur duke i thënë se s’ka asgjë më të rëndësishme se identiteti.
“Nuk ka diçka më të rëndësishme se identiteti. Mund të kemi para dhe punë, por nëse s’kemi identitet e gjuhë… ky flamur është përdorur nga shqiptarët që nga viti 1443 dhe është më shumë flamur kombëtar se shtetëror”, ka thënë ai.
Diskutimi erdhi në ditën kur Kamberi kërkoi ndryshime në Ligjin për të Drejtat dhe Liritë e Minoriteteve duke thënë se “flamuri serb valvitet lirë në Graçanicë të Kosovës e në Kumanovë, por e njëjta s’vlen për tjerët në Serbi”.
Ndërkaq, Kamberi, në një reagim të mëvonshëm në Facebook, ka thënë se barazia në të drejta është parakusht për paqen në rajon.
“Serbia mbetet i vetmi shtet në rajon që e ndalon përdorimin e simbolit kombëtar për pakicën e vet, përmes ligjit për minoritete. Përderisa pakica kombëtare serbe përdor ligjshëm flamurin në Graçanicë, Kumanovë e Kotor; flamuri shqiptar ndalohet në Luginën e Preshevës. Barazia nuk duhet ndërtuar duke ia ndaluar pakicave kombëtare përdorimin e simboleve të tyre kombëtare. Prandaj sot vendosa flamurin shqiptar në parlament, krahas flamurit serb. Ligji për minoritete duhet të ndryshohet në Serbi. Flamuri shqiptar të legalizohet dhe të valojë në Luginë, ashtu sikurse po valon ligjshëm flamuri serb në Graçanicë, Kotor dhe Kumanovë. Simbole të ligjshme kombëtare për çdo pakicë kombëtare në rajon, pa dallim. Barazia në të drejta është parakusht për paqen rajonale”, ka shkruar ai.

KEDS-i paralajmëron ndërprerje të energjisë, “Bregu i Diellit” edhe të premten 12 orë pa rrymë

Kompania për shpërndarjen e energjisë elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar për ndërprerje të energjisë elektrike në Kosovë për “punime në projekte investive”.
Lagja “Kodra e Diellit” edhe të premten do të mbetet pa rrymë për 12 orë, nga 09:00 deri në ora 21:00. Arsyeja sipas njoftimit në faqën zyrtare të KEDS-it është “energjizimi i kabllove të reja”.
Që nga mbrëmja e të shtunës së kaluar e deri të hënën, banorët e kësaj lagje ishin përballur me probleme me energji elektrike, e për të cilat kishte raportuar KOHA. Më pas, edhe lagje të tjera si “Mati 1” e “Velania” po ashtu kishin mbetur pa furnizim me energji.
Në njoftimin e KEDS-it thuhej se bëhej fjalë për një dëmtim të kabllove në njërën nga trafot e KOSTT-it. Ndërsa, pas orën 22:00 të së hënës ishte njoftuar se është stabilizuar furnizimi me energji elektrike në lagjet e Prishtinës ku kishte problem.
Punimet e parapara në Prishtinë nga KEDS më 27.11.2020:
1.
Në NS 110/10kV Prishtina 2 do të ndërprehet:
Dalja 10kV Nr.35 Kodra e Diellit 2 (kodi: 11000014) prej orës 09:00 deri në ora 21:00
Vendet: Kodra e Diellit 2.
Arsyeja: Energjizimi i kabllove të reja.
2.
Në NS 35/10kV Fushë- Kosova II do të ndërprehet:
NS 10/0.4 kV TS Bardhi i Madh te Sadiku (Kodi 15018018063) prej orës 09:00 – 16:00
Vendet: Bardhin e Madh shtëpitë pas Montazhit të KEK.
Arsyeja: Energjizimi kabllove të reja.
3.
Në NS 110/10kV Prishtina 5 do të ndërprehet:
NS 10/0.4 kV Bërnica e Epërme 1 (kodi: 13000001004) prej orës 10:30 deri në ora 15:30
Vendet: Bërnica e Epërme 1.
Arsyeja: Punime në PLC.
4.
Në NS 35/10 kV Parku i Biznesit do të ndërprehet:
NS 10/04 kV Komoran te Shkolla (kodi: 16023007101) prej ores 08:00 deri në ora 17:00
Vendet: Komoran te shkolla.
Arsyeja: Shkyçja e konsumatorëve nga rrjeti i vjetër dhe rikyçja në rrjetin e ri nëntokësor.
5.
Në NS 35/10 kV Batllava do të ndërprehet:
Dalja 10 kV Batllava (kodi: 14015001) prej orës 12:00 deri në ora 15:00
Vendet: Batllava, Gërdovci, Bellopoja, Lluga, Sibovc i Poshtëm dhe Kaçibegu.
Arsyeja: Energjizimi i LP dhe i transformatorit të ri.

MOTI

Të premten parashikohet mot me diell , temperaturat do të levizin nga -2 deri 10 gradë Celsius. Mot mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 7-20 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 37028. Të Shëruar: 22690. Të vdekur: 963
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *