Enj. Maj 16th, 2024

NGJARJET E DITËS, E HËNË, 14.12.2020

By Rtv Arbëria Dhj 14, 2020

Serwer: Amerikanët dhe evropianët duhet të punojnë së bashku për çështjen e Kosovës, do të përfshihet edhe Madeleine Albright

Analisti amerikan dhe njohësi i rrethanave në Ballkan, Daniel Serwer, thotë se amerikanët dhe evropianët duhet të punojnë së bashku për çështjen e Kosovës dhe Serbisë, sepse, sipas tij, është treguar se asnjëri prej tyre nuk mund ta zgjidhin problemin të vetëm.
Ai gjithashtu deklaroi se ish-Sekretarja e Shtetit e SHBA, Madeleine Albright do të përfshihet në këtë çështje, sepse “ajo e njeh terrenin dhe flet serbisht”.
Javën e kaluar, në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan në Uashington u mbajt një sesion, në të cilën u diskutua edhe për Kosovën dhe Serbinë. Ky sesion tërhoqi vëmendjen e publikut, ndër të tjera, edhe për faktin se në të mori pjesë edhe Madeleine Albright, ish-Sekretarja amerikane e Shtetit. Pjesëmarrësit, përfshirë edhe Daniel Serwer nga Universiteti “Johns Hopkins”, thanë se Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe se Kosova duhet të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Në një bisedë për televizionin serb “N1”, Serwer thotë se e ka të qartë se për shkak të qëndrimeve të tij nuk është i mirëpritur në Beograd dhe shton se kjo është për shkak se qeveria serbe është kthyer kah Moska dhe Pekini.
“Unë mendoj se amerikanët dhe evropianët duhet të punojnë së bashku për çështjen e Kosovës dhe Serbisë. Asnjëra palë nuk mund ta bëjë këtë vetëm. Grennell dëshmoi se nuk mund ta bëjë vetëm, po ashtu edhe evropianët. Por nëse ata punojnë së bashku dhe kanë një vizion të përbashkët, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për rajonin në tërësi, mendoj se do të funksionojë. Ky është hapi i parë, që amerikanët dhe evropianët duhet të flasin me njëri-tjetrin, edhe para se të flasin me boshnjakët dhe kosovarët dhe serbët. Kjo është e gjitha”, tha Serwer,
Ai tha se janë thënë disa gjëra të reja në lidhje me Kosovën dhe Serbinë në Uashington, do t’i theksoja ato.
“Mendoj se amerikanët duhet të kenë një rol mbështetës kur bëhet fjalë për dialogun. Mendoj se BE është ndërmjetës në dialog dhe duhet të jetë nikoqir i dialogut. Ajo ka ndikimin më të madh tek ato personazhe. Ajo që Amerikanët mund të sjellin në tavolinë është një mbështetje e madhe për Evropianët, si dhe për dy gjëra: zbatimi i çdo gjëje për të cilën u ra dakord, por që nuk ishte e mirë në të kaluarën, dhe këmbëngulja për reciprocitet”, theksoi Server.
Ai tha se çfarëdo që të kërkojnë në këtë dialog Prishtina dhe Beogradi, duhet të jenë të gatshëm të përgjigjen njësoj.
“Kjo nuk ishte gjithmonë kështu. Për shembull, ne kemi këtë çështje të çuditshme të Gjykatës Speciale, të krijuar në Hagë si pjesë e insistimit të Beogradit që thotë: nuk mund t’i besoni qeverisë në Prishtinë që të përpiqet të ndjek penalisht ata që kryen krime pas luftës. Bashkësia ndërkombëtare ka ‘blerë’ atë argument dhe këmbënguli në Gjykata Speciale. Unë nuk mendoj se është një gjë e keqe, por nuk është reciproke. Kemi një rast shumë të qartë të tre amerikanëve, amerikanëve nga Kosova, të cilët u vranë në Serbi pas luftës dhe vrasësit e tyre nuk mund të gjykohen në Hagë, sepse Gjykata Speciale nuk ka juridiksion në Serbi. Kjo është qesharake. Unë sugjerova në Uashington dhe askush nuk e vuri re atë që unë sugjerova, që unë rekomandova që Serbia të shtrijë juridiksionin e Gjykatës Speciale në Hagë në territorin serb sepse ata treguan se nuk do të gjykojnë autorët e vrasjeve brenda Serbisë”, tha ai.
Sipas tij, ka edhe disa gjëra të tjera që duhet të kuptohen.
“Njëra është se qëllimi i këtyre bisedimeve, sipas mendimit të amerikanëve, dhe sinqerisht më duket edhe sipas mendimi të shumë evropianëve, që ato duhet të rezultojnë me njohje të ndërsjellë dhe shkëmbim të ambasadorëve. Vuçiq e tha mjaft qartë se ai nuk dëshiron të jetë presidenti i Serbisë që do ta njohë Kosovën. Mendoj se ai seriozisht mendon kështu. Unë mendoj se duhet të bëhemi gati të presim në një President të Serbisë që do ta bëjë këtë, nëse është e nevojshme. Në ndërkohë, mund të duhet të marrim parasysh një marrëveshje të ndërsjellë, por vetëm nëse Kosova anëtarësohet në OKB. Ky problem duhet të zgjidhet, edhe nëse problemi i njohjes reciproke nuk zgjidhet”, tha Serwer.
Analisti amerikan foli edhe për mundësinë e përfshirjes së ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright në dialogun Kosovë-Serbi.
“Nuk është me rëndësi se çfarë mendojnë serbët, nëse Madeleine Albright duhet të përfshihet, ose jo. Ajo do të përfshihet. Ajo është një ish sekretare e shtetit. Rryma është e rëndësishme, jo aq në Partinë Demokratike, por në botën demokratike, pjesën e botës demokratike që mendon për politikën e jashtme. Ajo është kryesuese e këshillit të Institutit Kombëtar Demokratik. Ajo do të përfshihet. Dhe ajo është gjithashtu dikush që jetoi në Serbi, ajo flet Serbisht. Unë mendoj se kjo duhet vlerësuar”, tha Server, duke komentuar praninë e ish-Sekretares së shtetit në Dhomën e Përfaqësuesve në Uashington .

Rama për transformimin e FSK-së: Plani është dhjetëvjeçar, për të mos u bërë barrë e institucioneve

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, është shprehur se kjo forcë është në fund të përmbylljes së fazës së parë të procesi të transformimit në ushtri.
“Faza e parë do të mbyllet në fillim të vitit të ardhshëm dhe do të fillojë faza e dytë që është më komplekse. Kemi një plan gjithëpërfshirës të tranzicionit”, është shprehur Rama
Rama në Info Magazine të Klan Kosovës, ka treguar se pse plani i transformimit do të marrë kohë një dekadë.
“Kemi pasë pyetje pse e kemi bërë planin dhjetëvjeçar. Bazuar në rekomandimet që kanë ardhur, një prej elemente ka qenë implikimet buxhetore ose kostoja që e ka ndërtimi i një force të armatosur për t’i kryer të gjitha obligimet”, tha Rama.
Ai po ashtu ka theksuat se plani ka qenë afatgjatë që të mos bëhemi barrë e institucioneve të Kosovës.
“Nëse krahasojmë dy vitet ku jemi, normalisht që sikur mos ta kishim përkrahjen e institucioneve nuk do të ishim këtu ku jemi sot”, është shprehur Rama.

Pesë të vdekur, 555 të shëruar dhe 329 raste me COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë,

Pesë persona kanë vdekur nga COVID-19 në Kosovë në 24 orët e fundit, ndërsa janë regjistruar edhe 329 raste të reja me koronavirus.
Nga një i vdekur është regjistruar në Prishtinë (52 vjeç), Prizren (54 vjeç), Gjakovë (60 vjeç), Fushë Kosovë (72 vjeç) dhe Suharekë (81 vjeç).
Numri total i të vdekurve ka arritur në 1203.
Ndërkohë në 24 orët e fundit janë regjistruar 329 raste pozitive me koronavirus nga testimi i 1327 mostrave. Shifra e të infektuarve ka arritur në 46.909.
149 raste të reja pozitive janë nga Prishtina, 20 nga Peja, 19 nga Drenasi, 17 në Podujevë, 16 në Gjakovë, 16 në Lipjan, 15 në Mitrovicë, nga 11 në Ferizaj e Fushë-Kosovë, tetë në Obiliq, gjashtë në Istog, nga pesë në Klinë, Malishevë, Rahovec, Vushtrri, nga katër në Gjilan, Prizren e Suharekë, tri në Deçan, nga dy në Dragash e Shtime dhe nga një në Graçanicë e Skenderaj.
Po ashtu në 24 orët e fundit janë shëruar 555 pacientë, duke çuar shifrën e të shëruarve në 34.155. Janë 11.551 raste aktive.!.

Konfirmohet aktakuza ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.

Gjykata Speciale ka konfirmuar aktakuzat ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tyre, Tomë Gashi.
Ai ka thënë se sot iu është konfirmuar aktakuza dhe së shpejti pritet të dalin në seancën e parë.
Gashi thotë se veprat penale të konfirmuara në këtë aktakuzë nuk është fare kompetente nga Specialja.
Postimi i tij i plotë:
Konfirmohet aktakuza ndaj z.Nasim Haradinaj dhe z.Hysni Gucati nga Gjykata Speciale
Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, nga data 25 shtator 2020 deri më sot e kanë konsideruar veten të kidnapuar nga Gjykata Speciale!
Sot është konfirmuar aktakuza kundër tyre e cila përmban 4 pika, të cilat sipas Prokurorisë Speciale në Hagë kanë të bejnë me pengim të drejtesisë, e me akuza konkrete që sipas tyre nderlidhen me periudhen kohore në mes të datave 7 deri 25 shtator të ketij viti.
Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit sot i është dorezuar aktakuza e konfimuar nga gjyqtari i procedures paraprake dhe pritet dalja e tyre para gjyqtarit në seancat e radhes.
Kryetari dhe nenkryetari i OVL te UÇK-së, dhe une ne cilesine e avokatit te OVL të UÇK-se nuk e pranojme kete Gjykate nje etnike, raciste, teper e demshme per kombin tonë Shqipetar dhe per shtetin e pavarur te Kosoves.
Gjykata Speciale ishte themeluar nga deputetet e kuvendit te Kosoves me 3 gusht te vitit 2015 pa iu dorezuar fare raporti i hetimit te Prokurorit Climt Wiliamson i cili i hetoi pretendimet djallezore te Dick Martyt, i cili ne interesa te Serbise ariti qe ta bind Keshillin e Evropes qe te hetoj trafikimin e organeve njerezore te kryera kinse nga UÇK-ja per te mbuluar krimet serbe deri ne gjenocid kunder popullates civile shqiptare ne Kosove.
Per veprat penale te konfirmuara ne kete aktakuze nuk eshte fare kompetente Gjykata Speciale ne Hage.
Nese prokuroria prane Gjykates Speciale ne Hage ka prova kunder Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit rastin duhet ta dergoj ne Gjykatat e Republikes se Kosoves, por si mund ta beje kete Prokuroria Speciale ne Hage, dhe Gjykata Speciale ne Hage kur Republiken e Kosoves qe i ka formuar keto institucione nuk e njohun si shtet te pavarur.

Enver Bytyçi, porosi Vjosa Osmanit: Kujdes me Albin Kurtin!

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, ka thënë se ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, duhet të tregojë më shumë maturi në debatin me kundërshtarët e saj.
Ai për gazetën “Bota sot”, ka këshilluar Osmanin që të mos të identifikohet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.
“Nga Vjosa Osmani do të doja më shumë maturi, më pak karshillëk, më pak municion verbal për kundërshtarët e saj. Ajo e ka betejën të fituar sa kohë që si kauzë të saj ka luftën kundër korrupsionit dhe ruajtjen e interesave nacionale të shtetit e të vendit. Vetëm të bëjë kujdes të mos identifikohet me Albin Kurtin”, është shprehur Bytyçi.
Megjithatë, sipas tij, Kurti dhe Osmani duhet të bashkohen kur bëhet fjalë për çështjet kryesore.
“Sigurisht që në çështjet kryesore Vjosa Osmani dhe Albin Kurti bashkohen. Por, kreu i Vetëvendosjes është përpjekur ta zhvleftësojë rolin e figurën e saj, kur ka përmendur vazhdimisht Vjosën si të ishte anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Duhet të përcaktojë disa vija ideologjike ndarëse, edhe pse bashkohen në principet kryesore të ndërtimit dhe funksionimit të shtetit”, ka thënë Enver Bytyçi.
Ai ka treguar edhe dallimin mes Osmanit dhe Kurtit.
“Vjosa kurrë nuk ka qenë kundër institucioneve të Kosovës, përkundrazi i ka dashur dhe respektuar ato maksimalisht, gjë që nuk ka ndodhur te Albin Kurti. Ky nuk është dallim i vogël midis tyre”, ka thënë profesori për “Bota sot”..

Moti
Të marten parashikohet mot pjeserisht me diell , temperaturat do të levizin nga -1 deri 7 gradë Celsius. Mot me diell ne Tiranë, me temperatura nga 6-19 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 46909. Të Shëruar:34155. Të vdekur: 1203.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *