Die. Maj 19th, 2024

NGJARJET E DITËS, E HËNË, 19.04.2021

By Rtv Arbëria Pri 19, 2021

Osmani takon ambasadoren franceze, kërkon mbështetjen e Francës për liberalizimin e vizave

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, e cila e ka uruar për detyrën dhe i ka përcjellë letrën e urimit të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Presidentja Osmani ka potencuar nevojën për solidaritet ndërkombëtar për realizimin e prioritetit kyç të institucioneve të reja të Kosovës në menaxhimin e pandeminë COVID-19, duke theksuar rëndësinë e sigurimit sa më të shpejtë të vaksinës për të gjithë qytetarët e vendit.
Osmani ka kërkuar nga shteti francez të mbështesë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duke marrë parasysh se të gjitha kriteret lidhur me procesin e liberalizimit të vizave janë plotësuar nga institucionet e Kosovës.
Ambasadorja Butel ka konfirmuar përkushtimin e Francës për bashkëpunim dhe përkrahje të mëtejmë duke shprehur gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit në fusha të reja të interesit të përbashkët.
Osmani dhe Butel kanë diskutuar për thellim të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fushat e sundimit të ligjit, mbrojtjes dhe ekonomisë.
Tutje Osmani ka falënderuar ambasadoren e Francës për përkrahjen të cilën shteti francez ka ofruar për Republikën e Kosovës ndër vite dhe ka siguruar se orientimi strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian

Ambasadori amerikan konfirmon mbështetjen për sektorin e arsimit

Specifika të rëndësishme për arsimin në Kosovë u diskutuan gjatë takimit që ministrja e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci pati me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett.
Nagavci e ka njoftuar ambasadorin Kosnett për programin qeverisës, ku objekt strategjik i tij, janë të gjitha fushat e arsimit në Kosovë.
Në këtë takim, u shpreh vullnet për bashkëpunim që nga vlerësimi formativ e deri te ndërlidhja e arsimit me tregun e punës, duke përmendur këtu inkuadrimin e ish bursistëve të mbështetur nga Qeveria Amerikane.
Kosnett ka theksuar se Qeveria amerikane e mbështet zotimin e Qeverisë së Kosovës që në pozita të rëndësishme të vendosen persona të kualifikuar.
Po ashtu, Ambasadori e ka cilësuar si të nevojshëm edhe krijimin e programeve për mësimin e gjuhëve të komuniteteve.
Ministrja Nagavci theksoi se deri në vjeshtën e këtij viti do të krijohet programi për përfshirjen e profesorëve nga mërgata. Ajo e vleresoi të rëndësishëm bashkëpunimin me Fakultetin e Edukimit për t’u siguruar që programet e tij synojnë programe cilësore.
Në takim u diskutua edhe për funksionalizimin e Bordit të KSHC-së, ku Ministrja siguroi se procedura do të jetë transparente.
Ambasadori Kosnett është shprehur i gatshëm për bashkëpunim të afërt në të ardhmen në fushat që janë me rëndësi për zhvillimin e vendit..

Macron letër urimi Osmanit, inkurajon për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili nëpërmjet saj, gjithashtu ka shprehur gatishmërinë e shtetit të tij për ta mbështetur më tej Kosovën.
Presidenti francez në letrën e urimit ka theksuar se mirëpret angazhimin e Presidentes Osmani për forcimin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.
“Franca qëndron përkrah shtetit tuaj për ta ndihmuar atë në përballimin e sfidave të saj, duke filluar me luftën kundër pandemisë. Franca së shpejti do t`i dorëzoj Kosovës 15 mijë teste antigjenike për t`u përgjigjur nevojave urgjente”, thuhet në telegramin e Presidentit Macron.
Më tej, presidenti francez ka theksuar se marrëdhëniet dypalëshe do të vazhdojnë të forcohen tutje.
Macron ka përmendur edhe dialogun e Kosovës me Serbinë, duke inkurajuar vazhdimin e tij drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme…

Kurti takohet me Kostilnik, ka një kërkesë për Sllovakinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë në Kosovë, Rastislav Kostilnik, nga i cili pranoi urimet për marrjen e detyrës dhe për suksese në përgjegjësitë e reja.
Kryeministri Kurti e falënderoi z. Kostilnik për vizitën dhe për mbështetjen në liberalizimin e vizave për Kosovën dhe i bëri thirrje Sllovakisë që ta shtyjë përpara këtë vendim sa më shpejtë për qytetarët e Kosovës. Po ashtu kryeministri Kurti shprehu interesimin për zgjerimin e thellimin e bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve dhe i kërkoi Sllovakisë që t’i bashkohet grupit të BE-së që e njeh Kosovën.
Kryeministri Kurti mirëpriti interesimin e Sllovakisë për dialogun dhe theksoi se ai duhet të jetë i mirëpërgatitur, me një qasje transatlantike dhe transformative, të udhëhequr nga vlerat demokratike.
Ai theksoi edhe faktin që Sllovakia si vend anëtar i NATO-s dhe i BE-së mund të mbështesë dhe të shtyjë përpara anëtarësimin e Kosovës në aleancën veri-atlantike, si dhe kërkoi mbështetjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë në Kosovë, Kostilnik, falënderoi kryeministrin Kurti për pritjen dhe shprehu vullnetin për vazhdim të bashkëpunimit bilateral. Ai theksoi gatishmërinë e Sllovakisë për mbështetje në fushën e sundimit të ligjit dhe të ekonomisë.
Në takim u diskutua edhe për situatën me pandeminë Covid-19 në të dy vendet, si dhe masat e ndërmarra nga qeveritë për ndaljen dhe uljen e trendit të infektimeve

14 të vdekur vdekur nga Covid-19, 277 raste të reja dhe 411 të shëruar

Njoftimi i plotë nga IKSHPK!
411 TË SHËRUAR DHE 277 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 2.047 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 277 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 14 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Podujevë 3 raste (80, 75, 73 vjeç), Deçan 1 rast (58 vjeç), Gjakovë 1 rast (67 vjeç), Gjilan 1 rast (76 vjeç), Lipjan 1 rast (74 vjeç), Mitrovicë 1 rast (78 vjeç), Obiliq 1 rast (63 vjeç), Prishtinë 1 rast (69 vjeç), Prizren 1 rast (66 vjeç), Shtime 1 rast (66 vjeç), Suharekë 1 rast (83 vjeç), Viti 1 rast (83 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 101.794 raste nga 502.159 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.086 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 411 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 87.423 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.285.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 97 raste, Ferizaj 32 raste, Gjakovë 21 raste, Mitrovicë 20 raste, Pejë 20 raste, Fushë-Kosovë 14 raste, Gjilan 12 raste, Klinë 12 raste, Podujevë 11 raste, Vushtrri 9 raste, Lipjan 4 raste, Deçan 3 raste, Drenas 3 raste, Kamenicë 3 raste, Prizren 3 raste, Viti 3 raste, Rahovec 2 raste, Skenderaj 2 raste dhe me nga një rast komunat Dragash, Hani i Elezit, Obiliq, Shtime, Shtërpcë dhe Suharekë.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

Përgjaket muaji i Ramazanit/ Policia jep detaje mbi gjendjen e 5 të plagosurve brenda xhamisë

Policia ka dhënë informacione lidhur me 5 personat e plagosur pak më parë brenda xhamisë Dinë Hoxha, në Tiranë.
“Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë në lidhje me 5 persona të plagosur ju bëjmë me dije inicialet e tyre :
D. K., rreth 35 vjeç, S. P., rreth 22 vjeç, M. K., rreth 24 vjeç, K. J., rreth 26 vjeç dhe A. T., rreth 23 vjeç, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën,” njofton policia.
Rudolf Nikolli, 34 vjeç, nga Burreli është autori që kreu sulmin brenda xhamisë te rruga e Kavajës.
“Rreth orës 14:30, në Rrugën e Kavajës, një shtetas është futur në ambientet e një kulti fetar (xhami) dhe në rrethana ende të paqarta ka plagosur me mjet prerës 5 shtetas.
Falë reagimit profesional dhe të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur neutralizimi dhe prangosja e autorit të dyshuar, shtetasi Rudolf Nikolli 34 vjeç, nga Burreli, i cili po shoqërohet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Pjetër Shala deklarohet i pafajshëm, kështu e quan aktakuzën ndaj tij

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala është deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues në Gjykatën Speciale. Duke e quajtur e aktakuzën e Prokurorisë Speciale si qesharake, Shala tha se nuk e ndjen vetën që ka bërë ndonjë krim, përveç që ka mbrojtur atdheun dhe popullin e Kosovës.

Ish-komandant “Ujku” gjatë paraqitjes së tij të parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, tha se nuk ka pas nevojë për filma, pasi vetëm me anë të një ftese, ai do të ishte paraqitur në gjykatë.
Shala: Nuk e ndjej vetën që kam bërë një krim
“Unë nuk e ndjej vetën që kam bërë një krim, pos që kam mbrojtur atdheun tim dhe popullin tim. Jam i pafajshëm plotësisht…Unë disa herë kam ardhur në Tribunalin e Hagës në 2004, 2005, 2007 dhe në EULEX 2016, nuk ka pasur nevojë të bëhet arrestimi. Ky lloj filmi, vetëm një ftesë dhe unë isha paraqit vet”, tha ai…

Moti
Gjatë dites se marte parashikohet mot pjeserisht i vranet dhe me mundesi per te reshura te shiut , temperaturat do të lëvizin nga 2 deri në 12 gradë celcius. Edhe ne Tirane parashihet mot pjeserisht i vrant dhe mundesi per te reshura te shiut , temperaturat do te levizin nga 8 deri në 15 gradë celcius .

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 101794 ,Të shëruar: 87423, Të vdekur: 2086

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *