Enj. Dhj 5th, 2024

NGJARJET E DITËS, E HËNË, 21.12.2020

Kryeministri obligohet ta kthejë në krye të ATK-së, Ilir Murtezajn

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka miratuar vendimin në favor të ish-drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.
Në vendimin të cilin e ka siguruar IndeksOnline thuhet se ky këshill e ka miratuar ankesën e 19 tetorit 2020 të parashtruar nga Murtezaj, pas shkarkimit që ia kishte bërë kryeministri Avdullah Hoti nga pozita e drejtorit të ATK-së.
Në pikën dy të vendimit thuhet se anulohet vendimi i 16 tetorit 2020 i kryeministrit të Republikës së Kosovës me të cilin ishte shkarkuar Murtezaj.
Sipas vendimit, kryeministri obligohet që të bëjë zbatimin e këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi, duke e kthyer Ilir Murtezajn në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, duhet të njoftohet me shkrim pas ndërmarrjes së veprimeve në pajtim me këtë vendim…

Hoti pret që çështja e Presidentit të zgjidhet brenda këtij viti

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila udhëheq qeverinë, insiston në një marrëveshje midis spektrit politik.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, ka propozuar liderin e saj, Ramush Haradinaj, për president.
Ndërkaq, partia më e madhe në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se duhet të mbahen zgjedhje të reja parlamentare dhe pastaj të zgjidhet presidenti.
Hoti tha se Kushtetuta e Kosovës është e qartë dhe se kjo situatë mund të vazhdojë maksimum për gjashtë muaj.
“…por, ne nuk duhet të presim ditën e fundit. Duhet të kujdesemi që t’i kryejmë punët me kohë, në mënyrë që vendi të mos mbetet pa institucione. Unë besoj që edhe janari është vonë (për zgjidhjen e situatës)”, tha Hoti në një konferencë për media.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë. Pastaj, kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet president i Republikës së Kosovës.
Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet president, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh..

6 të vdekur 205 të shëruar e 264 raste të reja me COVID-19 në Kosovë në 24 orët e fundit

Në Kosovë në 24 orët e fundit kanë vdekur 6 persona si pasojë e COVID-19, ndërsa janë regjistruar edhe 264 raste të reja pozitive me koronavirus.
Shifra totale e të vdekurve ka arritur në 1262.
Tre të vdekur janë nga Prishtina (82, 80, 76 vjeç), nga një në Gjilan (64 vjeç), Mitrovicë (64 vjeç), Prizren (71 vjeç).
264 raste pozitive dolën nga testimi i 990 mostrave.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 93 raste, Ferizaj 25 raste, Mitrovicë 16 raste, Fushë-Kosovë 14 raste, Podujevë 14 raste, Vushtrri 13 raste, Obiliq 11 raste, Pejë 8 raste, Gjakovë 7 raste, Gjilan 7 raste, Drenas 6 raste, Shtime 6 raste, Istog 5 raste, Kaçanik 5 raste, Lipjan 5 raste, Skenderaj 5 raste, Deçan 4 raste, Dragash 4 raste, Kamenicë 4 raste, Prizren 3 raste, Rahovec 3 raste, Viti 3 raste, Malishevë 2 raste dhe Zubin-Potok 1 rast.
Numri total i rasteve pozitive është 49.169.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 205 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 36.773 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.134.
Sa i përket gjendjes spitalore, u.d. i drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se numri i pacientëve të hospitalizuar me COVID-19 është mjaft i lartë.
Ai ka thënë se janë 785 të hospitalizuar, 44 në gjendje të rëndë, prej tyre 36 në respiratorë e tetë të intubuar..

Zemaj bën thirrje për kujdes: S’duhet të na dështojë asnjë hallkë e mbikëqyrjes

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se duhet më shumë kujdes për shkak të fluksit të madh të bashkatdhetarëve. Ai ka thënë se duhet mbikëqyrje e masave anti-Covid.
Zemaj ka thënë se nuk duhet të dështojë asnjë hallkë e mbikëqyrjes.
Ai ka thënë se qytetarët që vijnë nga vendet tjera në Kosovë e që kanë vendbanim në Kosovë, nuk kanë nevojë të kenë teste PCR, duke shtuar se testimit i nënshtrohen ata që nuk kanë vendbanim në Kosovë.
Zemaj ka bërë me dije se të gjithë bashkatdhetarët po vijnë nga vendet me risk të madh të infeksionit, prandaj ka kërkuar edhe kujdes nga të gjithë.
“Përtej pandemisë, edhe sot ne ju bëjmë ftesë të gjithë qytetarëve për ruajtje të shëndetit dhe të mos e ngarkojmë sistemin shëndetësor sepse edhe në këto kushte është i ngarkuar”, ka thënë ai.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë, Samedin Mehmeti ka thënë se shqetësim është rritja e numrit të të ardhurve derisa ka shtuar se janë duke marrë masat e nevojshme për mbikëqyrjen e masave….

Nxehet debati/Nuredin Lushtaku: Sami Lushtaku ka blerë tokë me para të popullit

Nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, ka thënë se deklarimet e Bekim Jasharit për Sami Lushtakun janë të vërteta.
Nuredini ka thënë se është e vërtetë që Sami Lushtaku ka blerë tokë gjatë luftës me para të popullit.
“Unë nuk shoh si akuza të kryetarit i shoh si të vërteta gjëra që kanë ndodh dhe e ka thënë të vërtetën”, ka thënë Lushtaku në Kanal 10.
“Kontributin e Samiut në luftë nuk mundet me ja mohu, por edhe defektet nuk mund të ja mbulon. Samia është e vërtetë që në luftë ka ble tokë, e ka ble pas ofensivës së shtatorit.
5-6 jave pas ofansivës ku Drenica ka qenë në mjerim, që nuk kanë pas njerëzia, as strehim, as ushqim edhe nuk e di qysh ka mujt me i shku mendja dikujt me ble tokë”, ka thënë Nuredin Lushtaku.
“E ka ble tokën prej një kushërive të vet dhe timin, i cili ka shkuar në Sarajevë në atë kohë, i cili paslufte u kthy. Gjatë mandatit të Samisë ka qenë drejtor i Bujqësisë.
“Ajo tokë nuk u ble me para të Samiut, e familjes, me 50 mijë markë, e ka pranu edhe vet që e ka ble tokën, ka dëshmitarë që janë kanë ulur me një takim në odën e Jasharajve, kur janë kanë prezent Fadil Kodra, Zenun Kodra, Sulejman Selimi, Jetullah Geci, Sahit Jashari, diku 20 persona krejt e din këtë punë.
“Bekim Jashari e ka thënë një të vërtetë, edhe pse e ka thënë e di Samiu atë punë, nuk e di pse e pengon Samiun që Bekimi eshte kryetar dhe pse duhet me luftue”
“Parate janë mbledhur për luftë, e jo për me ble tokë, nuk e di qysh e ndien vetën, kjo shoqëri e mirë, apo e keqe janë kanë mbuluar këto gjana, prit që po ndalet”.
“Përveç këtyre parave, ja ka përmend edhe avokati 1 milion e gjysmë, edhe përfundim të luftës i ka marrë 1 milion franga prej Ramiz Lladrovcit, ai e di ku i ka lanë, nuk i ka shpenzu për zonën, por për interesa të veta”, ka thënë Nuredin Lushtaku..

Shkencëtarët thonë se varianti i ri i COVID-19 prek më lehtë fëmijët

Shkencëtarët janë shprehur të shqetësuar se nga varianti i ri i koronavirusit mund të infektohen më lehtë fëmijët, pasi të dhënat sugjerojnë se përhapet më shpejt në mesin e të rinjve se sa tek të tjerët.
Ekspertët janë duke studiuar variantin e ri të virusit për të kuptuar efektet e tij në pacientë, shkruan The Independent.
Profesori Neil Ferguson nga kolegji “Imperial” i Londrës u tha gazetarëve të hënën se të dhënat për infeksionet në juglindje të Britanisë tregojnë se varianti i ri ka shkallë më të lartë të përhapjes së infeksionit tek fëmijët se sa te të tjerët.
Ndërsa, profesoresha Wendy Barlay tha se ky variant i ri i COVID-19 nuk shënjestron direkt vetëm fëmijët, porse ka më shumë gjasa që ata të infektohen.
“Nuk po themi se ky është një virus që shënjestron specifikisht fëmijët, por e dijmë se COVID-i nuk ka qenë aq efikas sa të ndikojë fëmijët aq sa të rriturit”, tha ai.

Moti
Të martën parashikohet mot me vranesira, temperaturat do të levizin nga 1 deri 6 gradë Celsius. Mot i ngjashem ne Tiranë, me temperatura nga 7-17 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste:49169. Të Shëruar: 36773. Të vdekur: 1262.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *