Sht. Tet 5th, 2024

NGJARJET E DITËS, E MARTË, 02.02.2021

Publikohet broshura e kandidatëve, Vjosa Osmani i prin listës – mungon Kurti

KQZ ka publikuar broshurën e kandidatëve që do të kandidojnë për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Për dallim nga zgjedhjet e kaluara broshura këtë vit ka disa specifika më ndryshe pasi disa parti për shkak të vendimit të KQZ-së do të garojnë në zgjedhje me më pak kandidatë.
Në listat e publikuara nga KQZ, vërehet mungesa e Albin Kurtit, derisa lista e Vetëvendosjes fillon nga numri 2 me Vjosa Osmanin.
Broshura e miratuar me 8 vota për do të jetë pa numra rendorë dhe me zbrazëtira në kolona, e që u kundërshtua nga anëtarët e LVV-së.
Anëtarët e LVV-së kishin kërkuar që broshura të miratohet pa ndryshime, propozim ky që mori vetëm dy vota për dhe 8 abstenime.

Hoti për reagimet rreth vendosjes së marrëdhënieve me Izraelin: Kemi mbështetjen e SHBA-së për menaxhimin e situatës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke ndihmuar Kosovën se si të gjendet pas reagimeve që kanë ardhur nga dje prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Izraelin.
“Ata që na kanë sjell njohjen nga Izraeli, pra SHBA, po na ndihmojmë të menaxhojmë më këtë situatë”, është shprehur Hoti, njofton Klan Kosova.
“Po mundohemi të tregohemi të kujdesshëm me shtetet tjera që janë të ndjeshme. Ka pasë disa reagime, prej Zëdhënësit të BE-së dhe nga Liga Arabe”.
“Kemi nevojë për njohje nga katër anët e botës. Politika jona e jashtme është në linjë me atë të SHBA-së dhe BE-së”..

3 të vdekur nga Covid, 245 raste të reja dhe 189 të shëruar

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:

189 TË SHËRUAR ,DHE 245 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.615 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 245 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 3 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Mitrovicë 1 rast (64 vjeç), Podujevë 1 rast (76 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (62 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 60.745 raste nga 238.339 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.506 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 189 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 52.810 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.429.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 141 raste, Pejë 17 raste, Ferizaj 14 raste, Fushë-Kosovë 11 raste, Deçan 9 raste, Suharekë 7 raste, Gjakovë 5 raste, Viti 5 raste, Dragash 4 raste, Drenas 4 raste, Rahovec 4 raste, Skenderaj 4 raste, Lipjan 3 raste, Prizren 3 raste, Gjilan 2 raste, Istog 2 raste, Kamenicë 2 raste, Podujevë 2 raste dhe me nga një rast komunat Junik, Kaçanik, Klinë, Malishevë, Obiliq dhe Vushtrri.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

Skandaloze: LDK-PDK bllokojnë ligjin e votimit në mërgatë

Emigrimi politik i shqiptarëve ka filluar në mbarim të Luftës së Dytë Botërore dhe ka vazhduar me emigrimin ekonomik në vitet `60-a e këtej. Masivizimi i ikanakëve shqiptarë nga Kosova, në drejtim të botës së zhvilluar ka ndodhë në vitet `90-a, nga presioni serbo-sllavë dhe varfëria.
Përllogaritja, qoftë edhe e thjeshtë, rezulton se, të paktën, gjysma e shqiptarëve ballkanas, përfshi edhe Kosovën, punojnë e jetojnë, që nga Perëndimi evropian e deri në Kanada, Amerikë dhe Australinë e largët. Edhe pse larg vatrave lindake, me mendje e zemër; janë pjesë e Atdheut, të ndarë në 6 (gjashtë) shtetet ballkanike.
Përtej gjysmë-shekulli emigracionit shqiptar vazhdon t`i mohohet e drejta e ligjshme dhe elementare e votës. Ndërkohë që ekzistojnë të gjitha mundësitë e organizmit të zgjedhjeve, qoftë lokale apo qendrore.
Mënyra e organizimit të zgjedhjeve në Mërgatë, është e thjeshtë dhe pa komplikime të natyrës teknike apo politike. Në shtetet ku janë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Kosovës apo të Shqipërisë, mund të monitorohen pa problem. Madje, edhe atje ku mungojnë rezidencat diplomatike, organizimi i zgjedhjeve mund të realizohet nga mërgimtarët, përmes organizimeve të tyre jashtë-partiake, siç janë klubet, shoqatat e deri ke subjektet politike.
Tashmë, në të gjitha qendrat e mëdha dhe të mesme, pra, qytete, ka kuadro shqiptarë të angazhuar në komuna, qoftë si deputetë, këshilltarë komunalë vendor apo për të huaj. Ata janë profesionalë në organzimin e zgjedhjeve, fort të përkushtuar për ligjin zgjedhor, drejtësinë dhe ndershmërinë zgjedhore. Përndryshe, çdo anim partiak, do ta shuanin karrierën e tyre politike, në shtetin ku ata jetojnë dhe veprojnë.
Numërimi i votave, në prani të anëtarëve të komisionit dhe të monitorueseve, me shoqërim të Procesverbalit përkatës, do të shërbente si bazë e rregullsisë zgjedhore dhe e vërtetësisë së votimit të pa hile. Tek mërgimtarët, në përgjithësi, dominon ndjenja e së drejtës. Jeta në shtetet me demokraci të zhvilluar dhe emancipim shoqëror të avancuar, ka ndikuar në arsyetimin e shëndetshëm, të logjikshëm të tyre. Dhe, ky ndryshim është përmbajtjesor, në raport me shqiptarët rezidentë në Kosovë.
LDK-PDK maltreton dhe provokon Mërgatën, me bllokimin e ligjit për votim lehtësues
Komisioni për Legjislacion, Mandate dhe Komunitete, në mbledhjen e fundit, më 3 nëntor 2020, ka diskutuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, për plotësimin e ndryshmit të Ligjit për zgjedhjet. Sepse Projekt Ligji aktual për Diasporën, përkatësisht, Mërgatën, e vështirëson, më saktë, e pamundëson votimin e bashkatdhetarëve. Ndërsa ligji i propozuar Komisionit në fjalë, nga Lëvizja Vetëvendosje, e lehtëson votimin e Mërgatës.
Ligji ekzistues është idiotesk, i cili, qëllimshëm, e parathotë dështimin, mohimin e votimit të Mërgatës. Ligji është shumë i komplikuar, skajshëm maltretues për mërgimtarët dhe tejet i kushtueshëm. Të dy rrugët, mënyrat e votimit, janë stërmunduese:
1) Votimi me postë, paraprakisht, përcjellja e aplikacionit për regjistrim në Kosovë. Pastaj, plotësimi i formularit votues dhe dërgimi postar, veç e veç, për çdo anëtar të familjes! E gjithë kjo është shumë e kushtueshme dhe, sipas një përllogaritje, rezulton se dërgimi i 15 mijë formularëve, u kanë kushtuar bashkatdhetarëve tanë fisnikë 450 mijë euro! Votimi me postë nuk garanton as siguri dhe as fshehtësi të votës. Është, thjeshtë, votim manipulativ dhe krejt formal, për mënyrën e menaxhimit. Kujtoni adresimin në ambasadën e Vjenës, me stafin etnikisht të pastër – made in – “PDK”!
2) Udhëtimi për Kosovë, enkas, për të votuar, kulmon me kushtueshmëri të lartë. Është llogaritur se për 10 mijë votues, të ardhur nga Mërgata, të jenë shpenzuar, të paktën, 5 (pesë) milion euro. Dhe, ky është një krim ekonomik, të cilin mund ta bëjnë vetëm kriminelët në pushtet, saktësisht, ata të ngulmojnë të mos e aprovojnë ligjin lehtësues të votimit në Mërgatë.
Çuditërisht, ligji në fjalë, edhe pse fort i argumentuar nga Lëvizja Vetëvendosje, dy partitë “lidere”, në këtë rast, PDK dhe LDK, më saktë, klani Mustafa, në konspiracion të pistë mes tyre, bllokojnë ligjin, që lehtëson votimin e Mërgatës. Ky veprim kriminal e rrugaçëror, shkelë të drejtën legjitime, për votim të gjysmës të popullsisë të Kosovës. Dhe, sa herë janë koordinuar këto dy parti, i kanë sjellur vetëm të këqija Republikës të Kosovës, si: Asociacionin, alias, “Zajednicën”; Hashimin – president; Demarkacionin, me humbjen e mijëra hektarëve tokë të Kosovës dhe pisllëqe tjera, duke konsumuar nene penalizuese, deri në tradhti kombëtare.
Përsa i përket bllokimit që PDK i bënë ligjit që lehtëson votimin për Mërgatën, e kuptojmë, sepse është zhytur në krime dhe hajni zyrtare, për dy dekada radhazi. Prandaj, mërgimtarët e refuzojnë qeverisjen e saj.
Por, habitë fakti pse LDK, përkatësisht, klani Mustafa, bllokon ligjin për lehtësimin e votimit të bashkatdhetarëve në Mërgatë, duke lënduar elektoratin, besnikë dhe fisnikë, të LDK-së të Presidentit Rugova?!

LDK-PDK bllokon ligjin që lehtëson votimin e Mërgatës?
Ka disa arsye të veçanta, por, të parën e kanë të përbashkët PDK dhe LDK:
1) Frika e epërsisë faktike elektorale nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka tërhequr vëmendjen dhe simpatinë e mërgimtarëve. Kjo simpati rrjedhë nga premtimi i VV-së, për ta luftuar korrupsionin, hajninë zyrtare dhe ndëshkimin e zyrtarëve, abuzues të pushtetit, me qëllim të çkapjes të shtetit të brishtë, tashmë, edhe të prishtë të Kosovës.
Prova e parë e VV ishte krijimi i Komisionit, me juristë të pavarur dhe me integritet, për – Vettingun në Drejtësi -. Por, qeveria pasuese, Hoti, me ministër të Drejtësisë Selim Selimin të AAK-së, e zhbëri Komisionin në fjalë, duke e zëvendësuar me juristë militantë e dilitantë partiakë, të cilët janë vetë në listën hetuese të krimit korruptiv!!
2) Klani brenda Kryesisë të LDK-së është i shantazhuar nga PDK-ja, përkatësisht SHIK-u i saj. Andaj votimi kundër ligjit të lartcekur, dirigjohet nga PDK-ja.
3) Klani Mustafa u organizua, skajshëm, për rrënimin e dy Degëve kryesore të LDK-së në Mërgatë, përkatësisht, në Gjermani dhe Zvicër. Në Zvicër ia arriti ta përçajë e ndajë Degën e atjeshme. Ndërsa në Gjermani klanorët e Mustafës dështuan, sepse veprimtarja numër një të Mërgatës, Donikë Gërvalla, me kryesinë e saj simpatike, rezistoi, duke denoncuar batakçillëqet e klanorëve uzurpatorë të LDK-së, të katapultuar në krye të partisë, pa u provuar fare me votën e fshehtë demokratike.
Hakmarrja e klanit ndaj Degës së LDK-së në Gjermani, tashmë, është e njohur për opinionin, si tërheqja zvarrë e kryetares Donikë Gërvalla, në hollin e sallës ku mbahej “Konventa” e partisë dhe mbyllja e derës për 9 (nëntë) delegatët e ligjshëm, në Kuvendin maskaradë “Zgjedhor” të 8-të të LDK-së!
4) Votimi i bashkatdhetarëve në Mërgatë, sjell obligimin e përfaqësimit në strukturat e LDK-së në Kosovë. Dhe, veprimtarët e Mërgatës duan ligjësimin e udhëheqjes, tashmë, të kërkuar nga liderja shpirtërore e LDK-së, Vjosë Osmani, duke u përballur me konkurrencën e ndershme dhe votimin e fshehtë demokratik. Shumica nga klanorët, nuk do t`i mbijetonin votimit normativ rugovian. Një e vërtetë e pademantueshme.
LDK-PDK mosmirënjohëse, ndëshkuese, injoruese dhe refuzuese e Mërgatës
Me bllokimin e ligjit, i cili lehtëson votimin e bashkatdhetarëve në Mërgatë, të propozuar nga Levizja Vetëvendosje, PDK-LDK, (klani Mustafa), dëshmohen si bukëshkalë e mosmirënjohës ndaj mërgimtarëve tanë, për kontributin unik të tyre, të dhënë për Republikën e Kosovës. Frikë nga demokracia, drejtësia dhe etja e shfrenuar për pushtet të pakufizuar – ky është emëruesi i përbashkët i PDK-LDK, në aleancën e tyre të pistë konspirative.
Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje, në bashkëpunim më LDK-në rugoviste dhe spektrin tjetër politik të Kosovës, duhet të ngulmojë ta çajë bllokadën paradoksale e neveritëse, të forcave errëtake, të cilat provokojnë shqiptarët e kudondodhur, me urrejtjen primitive për bashkatdhetarët e Mërgatës tonë.
Ligji që lehtëson dhe mundëson votimin e mirëfilltë në Mërgatë, duhet të kalojë, gjithësesi, në Parlamentin e Republikës të Kosovës, duke i dhënë fund një padrejtësie dhe anomalie idioteske e kriminale, ndaj mërgimtarëve të lënduar, aq pamëshirshëm, nga bijtë bastardë, pushtetarë të dhunshëm..

“Të gjallë duan ta hanë Albin Kurtin”, profesori ngre alarmin: Të gjithë kundër Vetëvendosjes

Albin Kurti, ka vizituar pasditen e djeshme komunën e Skenderajt, por është sulmuar me gurë dhe vezë.
Gjatë vizitës, një numër qytetarësh kanë brohitur ish-emrin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kanë sulmuar Kurtin. Është dashur ndërhyrja e Njësisë Speciale të Kosovës, për t’i mundësuar Kurtit të zhvillojë tubimin me qytetarët.
Lidhur më këtë, një koment e ka bërë edhe profesori Sulejman Mehazi.
Ai përmes një shkrimi të publikuar në Facebook, ka thënë se një urrejtje të madhe, sikurse kjo ndaj kreut të VV-së, Albin Kurti, nuk ka parë asnjëherë.
Madje, Mehazi thekson se të gjithë janë kthyer kundër Vetëvendosjes, ndërsa Kurtin po duan ta hanë të gjallë.
Ja shkrimi i tij:
Për besë, nuk kemi parë kështu urrejtje të madhe të politikanëve shqiptarë ndaj Albinit, si në Kosovë, po edhe në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, të gjithë janë kundër LVV-së, të gjallë duan ta hanë kryetarin e LVV-së…?!..

Sondazhi i Baton Haxhiut: VV 51.3%, LDK e dyta, PDK e treta, AAK pak mbi prag

“Albanian Post” ka bërë një matje të opinionit në fund të muajit janar dhe ditën e parë të mujait shkurt.
Fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit sipas këtij sondazhi do të jetë Lëvizja Vetëvendosje me 51.3 për qind.
Lidhja Demokratike e Kosovës radhitet e dyta më 15.5 për qind.
Sipas këtij sondazhi Partia Demokratike e Kosovës do të dalë e tretë në zgjedhje me 13.2 për qind, ndërsa AAK vetëm 5.5 për qind.

Gashi: Nëse VV i fiton mbi 60 deputetë, Vjosa Osmani do të jetë presidente

Avokati Tomë Gashi pret që VV të fitojë më shumë se 60 deputetë në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Në këtë mënyrë, siç thotë ai, VV do të ketë mundësinë që të zgjedh Vjosa Osmanin presidente, ashtu siç edhe është propozuar.
“Nëse realizohet kjo që Lëvizja Vetëvendosje t’i fitojë këtë numër të deputetëve, sepse për zgjedhje më askush se konteston që fiton, ne president nuk do të kemi definitivisht, edhe është mirë që nuk do të kemi, por do të kemi presidente’, tha Gashi në Pressing.
Osmani tani është bartëse e listës së VV-së.

Reagon profesor Hamiti, pas zhdukjes së komunikatës së VV’së në të cilën Rugova quhej kolaboracionist

Profesori universitar, Muhamet Hamiti, i ka reaguar Lëvizjes Vetëvendosje, pasi kjo e fundit e largoi komunikatën ‘Gjaku i Humbur’, në të cilën quhej ish-presidenti Ibrahim Rugova si kolaboracionist.
Hamiti, me anë të ‘Facebook’-ut. ka thënë se ky veprim nga Lëvizja Vetëvendosje është shpjeguar shumë mirë tek romani distopik i George Orwell “1984”.
Hamiti shkruan se kështu rishkruhet historia për t’u përputhur me linjën aktuale të partisë, pra sipas tij VV po rishkruan historinë sipas nevojës së radhës.
“George Orwell-i i ka paraparë këto praktika te romani i tij distopik “1984”. Kështu rishkruhet historia për t’u përputhur me linjën aktuale të Partisë. Kështu derisa të rishkruhet historia simbas nevojës së radhës.
“1984” është karikatura më artistike e stalinizmit”, ka shkruar Hamiti. ..

Moti
Të mërkurën parashikohet mot pjeserish vranët , temperaturat do të lëvizin nga 2 deri në 11 grad celcius.Mot pjeserisht i vranet në Tiranë,me temperatura nga 6 deri në 19 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 60745, Të shëruar:52810,të vdekur:1506
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *