Mar. Shk 27th, 2024

NGJARJET E DITËS, E MËRKURË 19.05.2021

By Rtv Arbëria Maj 19, 2021

SHBA: Sali Berisha dhe familja e tij shpallen ‘nongrata’

Në një reagim zyrtar nga SHBA bëhet me dije se ish kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij janë shpallur non grata nga SHBA.
Sekretari i Shtetit Blinken njofton:

Aktet e korruptuara të ish-kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë jam duke caktuar publikisht Berishën dhe anëtarët e familjes së tij të afërt si të papërshtatshëm për hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi #BashkimiKundërKorrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri.


A do të jetë apo jo pjesë e ekipit të Kurtit në bisedimet me Serbinë? Sqarohet Skender Hyseni

Ish ministër i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni që në qeverinë e Avdullah Hotit ishte i angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë, ka mohuar që do të jetë apo që ka pranuar ndonjë ftesë për të qenë pjesë e ekipit negociator të Albin Kurtit në këtë proces.
Hyseni përmes një shkrimi në Facebook e ka cilësuar shkrimin e bërë në medie si një spekulim të pastër. Ai po ashtu ka thënë se nuk do të pranonte një pozitë të tillë.

Kandiq: Serbia pamëshirshëm vrau mbi 7 mijë civilë shqiptarë për 78 ditë

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq ka bërë një reagim pasi presidenti i Çekisë i ka kërkuar falje Vuçiqit para disa ditësh për pjesëmarrjen e Çekisë në kuadër të bombardimeve të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë.
Kandiq ka shkruar në Twitter se presidenti çek akoma nuk ka dëgjuar që ushtria dhe policia serbe pa mëshirë ka vrarë mbi 7 mijë civilë shqiptarë për 78 ditë.
“Presidenti çek kërkoi falje për bombardimin e Ish-Jugosllavisë dhe “ka zgjidhur traumën e tij shumë vjeçare” duke kërkuar falje. Disa vite kanë kaluar dhe ai akoma s’ka dëgjuar që ushtria dhe policia e pamëshirshme e Serbisë ka vrarë mbi 7 mijë civilë shqiptarë për 78 ditë”, ka shkruar Kandiq.
Presidenti i Çekisë, Milos Zeman ka kërkuar falje për përfshirjen e vendit të tij në sulmet ajrore të NATO-s gjatë luftës së Kosovës 1999. “Dua ta shfrytëzoj këtë rast për të kërkuar falje për bombardimin e ish-Jugosllavisë,” tha Zemani të martën gjatë një vizite zyrtare të Presidentit serb Aleksandar Vuçiç në Pragë.
Zeman, i cili shërbeu si kryeministër midis viteve 1998 dhe 2002 para se të merrte detyrën e presidentit në vitin 2013, tha se vendi i tij ishte “i fundit” në kuadër të NATO-s që dha miratimin për fushatën.


Kryeministri grek-Kurtit: Greqia e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin me ju

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër falënderim nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Kjo letër vjen pas urimit që Kurti i ka bërë atij me rastin e 200- vjetorit të revolucionit grek.
Në letër falënderim, kryeministri Mitsotakis ka riafirmuar përkushtimin e Greqisë në promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes dy vendeve.
Greqia do të vazhdojë qasjen e saj konstruktive në kuadër të promovimit të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, me synim përforcimin e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit në rajon, thuhet në letër

8 te vdekur ,379 të shëruar dhe 69 raste me COVID-19!

Njoftimi nga IKSHPK

379 TË SHËRUAR DHE 62 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 4.049 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 62 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 8 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 2 raste (69, 55 vjeç), Malishevë 1 rast (72 vjeç), Mitrovicë 1 rast (69 vjeç), Obiliq 1 rast (89 vjeç), Prizren 1 rast (74 vjeç), Rahovec 1 rast (61 vjeç), Suharekë 1 rast (76 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 107.065 raste nga 579.663 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.235 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 379 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 100.612 raste, kurse numri i rasteve aktive është 4.218.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 10 raste, Obiliq 8 raste, Gjilan 6 raste, Mitrovicë 6 raste, Prizren 6 raste, Gjakovë 4 raste, Klinë 3 raste, Ferizaj 2 raste, Leposaviq 2 raste, Podujevë 2 raste, Skenderaj 2 raste dhe me nga një rast komunat Deçan, Dragash, Fushë-Kosovë, Istog, Kamenicë, Kaçanik, Lipjan, Pejë, Rahovec, Viti dhe Vushtrri.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!


Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon lirimin me kusht, thotë se të akuzuarve po u shkelen të drejtat

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes Thaçi dhe të tjerët sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, mbrojtja ka kërkuar lirimin nga paraburgimi për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimi.
Avokatët kanë adresuar kritika ndaj Prokurorisë duke thënë se po vonohet me nxjerrjen e materialeve hetimore dhe se po dorëzon dokumentet jo të plota.
Në anën tjetër prokuroria ka deklaruar që parashohin vazhdim të hetimeve, por sipas tyre një gjë e tillë nuk e pengon që procesi i gjykimit të fillojë në vjeshtën e këtij viti, çka pastaj është kundërshtuar nga avokatët.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të tregojë afatin e përfundimit të hetimeve dhe kohën kur do të dorëzojë dosjen paragjyqësore.

Flet sërish djali i të dyshuarit për vrasjen në Pejë

Media raportoi dje për një vrasje që tronditi Pejën, në lokalin Zhara, ku mbet i vdekur Gëzim Kastrati, i cili dyshohet se u qëllua nga Xhevdet Januzaj. Viktima, Gëzim Kastrati ishte nisur për te lokali për t’u hakmarrë për një rast që dyshohet se ka ndodhur para më shumë se një viti, ku Xhevdet Januzaj dyshohet se kishte tentuar ta dhunonte vajzën e Kastratit.
I biri i Januzajt Gj.Januzaj dje tregoi versionin e tij. Ai tha se viktima i kishte shkuar babës së tij në tavolinë derisa ka qenë duke pirë kafe. Sipas tij, 30 sekonda i ndjeri Gëzim Kastrati kishte folur dhe pastaj e kishte nxjerrë armën, por që s’i kishte shkrepur. Më pastaj, sipas të birit, babai i tij Gj.Januzaj kishte shkrepur me revolen e tij dhe e kishte qëlluar tashmë të ndjerin.
E Januzaj sot është lajmëruar përsëri.
Ai ka thënë se nuk i vie keq për familjen e të ndjerit pasi i ndjeri kishte tentuar ta vriste babanë e tij.
“Sa i përket anës tem, nuk më vjen keq absolut për atë familje. E falënderoj Zotin fatmirësisht që baba e ka pas armën dhe e ka pshtu jetën e vet, se mos ta kish pas baba armën, unë sot e kisha pas babën e dekt”.
“Përderisa ai zotëria ka shku në tavolinë dhe ka shkrep dy herë me revole e nuk i ka shkrep, pra që ka dashtë me rujt Zoti babën tem, mu nuk më vjen keq absolut prej asaj familjes”, ka deklaruar tutje ai.
Tutje ai shton se do t’i kishte ardhur keq nëse nuk do t’i kishte shkuar në tavolinë i ndjeri babait të tij, për ta qëlluar me armë
“Ai Zotnia qëta e ka lyp qëta e ka gjet. Përderisa nuk i ka shkrep arma, e falënderoj vetëm Zotin që i ka dhënë mundësinë babait me pas armën me veti e me pshtu jetën e vet”.
“Ai ka dashur ta vrasë babain tim sepse ka marrë informacione që rasti për sulm seksual do të kthehet në rigjykim dhe do të del i pafajshëm babai im”, ka shtuar tutje për Sinjalin Gj.Januzaj.

Parashikimi i Motit

Parashikimi i motit: Gjatë ditës së enjte parashikohet mot pjeserisht me diell,me mundesi per te reshura te shiut dhe bubullima, temperaturat do të lëvizin nga 8 deri në 16 gradë celcius. Në Tiranë poashtu parashikohet mot pjeserisht me diell ,temperaturat do te levizin nga 9 deri në 19 gradë celcius.

Covid – 19 në Kosovë:
Total raste: 107.065, Të shëruar: 100.612, Të vdekur: 2235

www.rtvarberia.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *