Hën. Dhj 9th, 2024

NGJARJET E DITES, E PREMTE 12.02.2021

88 prokurorë do të jenë të angazhuar ditën e zgjedhjeve

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbajtur kolegjium me të gjithë kryeprokurorët e prokurorive themelore, Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, si dhe Kryesuesin e Këshillit Prokurorial, ku ka kërkuar nga të gjithë kryeprokurorët dhe prokurorët angazhim maksimal në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Më qellim të ruajtjes së integritetit së këtij procesi, kryeprokurori i Shtetit ka caktuar 88 prokurorë të cilët do të jenë të angazhuar ditën e zgjedhjeve në nivel vendi, në mënyrë që të sigurohet një proces i drejtë dhe ligjor, me ç’rast ka paralajmëruar se do të ndërmerren të gjitha masat në mënyrë aktive dhe pa vonesë ndaj atyre që bien ndesh me dispozitat e Kodit Penal, lidhur me veprat penale kundër të drejtës së votimit dhe të gjitha format e tjera të krimit që ndërlidhen me procesin zgjedhor.
“Ndërkaq, pjesë thelbësore e këtij takimi ishte edhe prezantimi i Planit të Punës së Prokurorit të Shtetit për vitin 2021, ku në mënyrë specifike janë paraqitur objektivat e përgjithshme dhe ato me prioritet, me anë të të cilave synohet avancimi i punës së institucionit të Prokurorit të Shtetit.
Në këtë kontekst, Kryeprokurori Lumezi ka vënë theksin në trajtimin me prioritet të një grupi të veprave penale, veçmas luftimit të korrupsionit, krimit të organizuar, krimeve ekonomike, krimeve të luftës, krimeve kibernetike, dhunës në familje, dhunës ndaj fëmijëve dhe asaj në baza gjinore si dhe rasteve të cenimit të votës.
Po ashtu, çështje më interes të veçantë në këtë takim ishte aplikimi i ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, ku është kërkuar angazhim më i madh dhe proaktiv i kryeprokurorëve dhe prokurorëve që krahas ngritjes së akteve akuzuese të gjurmohet dhe identifikohet edhe pasuria që dyshohet të jetë fituar me anë të veprave penale.
Lidhur më këtë, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga kryeprokurorët edhe zbatimin e udhëzimeve të detyrueshme, në mënyrë që të ngritët efikasiteti në luftën kundër korrupsionit, krimeve ekonomike, krimit të organizuar dhe krimeve tjera, njëkohësisht të shënohet progres në rritjen e shkallës së sekuestrimit në funksion të konfiskimit përfundimtar të aseteve të fituara me vepër penale”, thuhet në një komunikatë.
Gjithashtu, kryeprokurori i Shtetit, ka kërkuar nga të gjithë kryeprokurorët që të avancohet llogaridhënia dhe profesionalizmi i punës së prokurorive që ata drejtojnë, të zbatohet në përpikëri rregullorja e re e vlerësimit të performancës së prokuroreve, si dhe të rritet transparenca duke komunikuar dhe bashkëpunuar me mediat dhe shoqërinë civile në mënyrë që të fuqizohet besimi i publikut në institucionin e Prokurorit të Shtetit.

Vjosa Osmani për CNN: Regjimi i Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë

U.d së presidentit, Vjosa Osmani në një intervistë për televizionin prestigjioz amerikan CNN, përballë gazetares, Christiane Amanpour, ka folur rreth çështjes së Kosovës, shkruan Indeksonline.
Ajo gjatë intervistës ka thënë se policia serbe ka kryer gjenocid ne Kosovë në vitin 1999.
“Në vitin 1999 në kemi pasur regjimin e Millosheviqit dhe kemi pasur shumë viktima, si vrasjet e fëmijëve, masakër, gjenocid të tmerrshëm. Por ne që nga ajo kohë kemi pasur një lidhje me Shtete e Bashkuara të Amerikës, që na kan ndihmuar”, ka thënë Osmani.
Ndër të tjera u.d, presidentja Osmani, ka thënë se gjatë asaj kohe ne kemi pasur kohë të vështira e unë si një adoleshente e mbaj mend atë gjenocid të kryer nga policia militare serbe.
“Policia militare serbe, ka vrarë e maskruar popullin e Kosovës, e kjo padyshim duhet të dal në dritë e ne gjithmonë duhet ta tregojm të vëtetën e këtij regjimi serb”..

6 të vdekur nga Covid, 372 raste të reja dhe 333 të shëruar

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:

333 TË SHËRUAR DHE 372 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.856 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 372 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 6 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prizren 3 raste (54, 70, 83 vjeç), Ferizaj 1 rast (77 vjeç), Kaçanik 1 rast (87 vjeç) dhe Prishtinë 1 rast (83 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 63.805 raste nga 261.492 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.540 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 333 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 55.224 raste, kurse numri i rasteve aktive është 7.041.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 156 raste, Prizren 33 raste, Pejë 32 raste, Gjakovë 16 raste, Lipjan 14 raste, Obiliq 14 raste, Fushë-Kosovë 13 raste, Istog 10 raste, Mitrovicë 9 raste, Suharekë 9 raste, Deçan 8 raste, Gjilan 8 raste, Ferizaj 7 raste, Podujevë 6 raste, Klinë 5 raste, Vushtrri 5 raste, Dragash 4 raste, Graçanicë 4 raste, Kaçanik 3 raste, Rahovec 3 raste, Drenas 2 raste, Kamenicë 2 raste, Shtime 2 raste, Skenderaj 2 raste, Viti 2 raste dhe me nga një rast komunat Junik, Malishevë dhe Novobërdë.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

LDK-ja heq dorë nga Lëvizja Vetëvendosje, s’ka koalicion paszgjedhor

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Filloreta Berisha.
Berisha ka shpalosur programin që ajo ka nëse do të arrijë të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës, duke shtuar që do të jetë përfaqësimi i politikave publike në nivel nacional, veçanërisht në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe rinisë.
Kandidatja për deputete ka folur edhe në lidhje me situatën politike në vend, ku tha që LDK-ja ka arritur të përfaqësoj shumë mirë situatën pandemike dhe se programin që LDK ofron është alternative për qytetarët.
Nga ana tjetër ajo përmendi edhe arsyen pse pikërisht ka zgjedhur LDK-në duke shtuar që është e vetmja parti e cila nuk vë asnjëherë në dyshim sistemin e demokracisë dhe se përmes LDK-së do të mundohet të arrijë të që të gjithë të kenë pagën që e meritojnë dhe kushtet e punës.
Nuk mbeti pa u përmendur as largimi i Osmanit nga LDK-j,a e që largimin e saj Berisha nuk e sheh aspak të dëmshëm, pasi, sipas saj, largimi i Osmanit nuk ka dëmtuar LDK-në dhe se përzgjedhja e saj është individuale.
Duke biseduar me kandidatën për deputete u përmenden vijat e kuqe të LDK-së me partitë e tjera e që ajo u përgjigjë shumë shkurtë dhe qartë që LDK nuk do të ketë asnjë koalicion me VV-në.
Ndërsa për postin e presidentit ajo u shpreh që duhet të jetë person me kredibilitet të lartë, që i bashkon të gjitha subjektet politike.
Krejt në fund Berisha fton të gjithë qytetarët të dalin të votojnë LDK-në me numër 132, duke ditur se është votë për demokracinë dhe lirinë e këtij vendi..

“Shpëtuesit e qytetarëve të Kosovës janë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani”

Opinionisti nga Maqedonia Sulejman Mehazi, ka ftuar qytetarët që të votojnë për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.
Ai në një reagim për “Bota sot”, ka thënë se Kurti dhe Osmani nuk janë të korruptuar , duke i quajtur ata “shpëtuesë të qytetarëve të Kosovës”.
Reagimi i tij i plotë:
Shpëtuesit e qytetarëve të Kosovës janë, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani!
Korrupsioni te partitë tona është motoja e frymëmarrjes e forcës partiake politika. Mentaliteti ynë politik është që partitë shqiptare të jenë më të fuqishme sesa Republika e Kosovës e qeveria. Pra, si gjithmonë gjatë fushatave zgjedhore partitë tona bëhen armiq më të mëdhenj ndaj korrupsionit, për ta bindur popullatën për vota, sapo marrin votat bëhen miq e më të dashuruarit e korrupsionit. Prandaj, të kota janë premtimet e partive politike se do ta luftojnë korrupsionin, pasi janë bërë të pa besueshme.
Gjatë këtyre zgjedhjeve, popullata si asnjëherë më parë duhet pasur kujdes se kë duhet votuar, qeveritë e mëparshme as më të lehtën nuk e bënë liberalizimin e vizave, që sa kohë e kanë mbyllur popullatën brenda shtëpizës me kocka të breshkave.
Duhet zgjedhur më të mirët, më të pastërtit e të pa korruptuarit, Albin Kurtin e Vjosa Osmanin. Shpëtuese e Republikës së Kosovës do jetë, LVV-ja e Albin Kurtit dhe lista qytetare e Vjosa Osmanit.”.

Haradinaj mesazh Vuçiqit: Unë do t’i kryej punët e vendit duke mos e përfillur Serbinë!

Kandidati për president i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, përpara shumë mbështetësve, ku edhe u prezantuan të gjithë kandidatët për deputetë nga kjo parti, ka thënë këto zgjedhje janë referendum për vendin.
Gjatë fjalës së tij, kreu I AAK-së, tha se lista e kandidatëve për deputetë është listë e atyre që e meritojnë besimin e qytetarëve dhe se është shumë krenar që ka bashkërrugëtuar në këtë fushatë me ta.
Haradinaj nën brorhoritje të mbështetësve të tij, tha se për dy ditë merret vendimi me votë, dhe do vendoset se cilën rrugë do ta merr Kosova.
“Këto zgjedhje janë referendum dhe janë të paktën për dy tema me rëndësi. E para statusi ynë ndërkombëtar ose fati ynë në integrimet euroatlanike. Ka 20 vjet nga çlirimi që të finalizohet shtetësia jonë. Tash kur edhe pas 20 vitesh nuk jemi afër këtyre synimeve atëherë këtë diele vendoset a do të presim edhe 20 vjet dhe si do të kryejmë punë”, u shpreh Haradinaj.
Sipas tij, nëse votohet Aleanca, atëherë votohet edhe ai si president i cili do t’i kryej punët e Kosovës duke mos e përfillur Serbinë.
“Pse jam kaq i sigurt që do të ecim përpara, se nëse deri më 2025 nuk jemi në OKB e NATO atëherë unë do punoj që ne bashkë me votë të vendosim për union me Shqipërinë. Nëse ky drejtim i yni nuk i pëlqen Vuqiqit atëherë i them unë sot përgjigjen. Hiçu prej Kosovës dhe lejoje që të ec në rrugën e vet drejt organizatave ndërkombëtare, njihje Kosovën dhe të kemi paqe”, theksoi Haradinaj.
Ndër tjera, ai tha se vota e tyre të dielën, do e përcaktojë si do të vazhdojë tutje demokracia jonë.
“Nëse votojmë 135, atëherë votojmë për presidentin i cili do jetë aty ta ndihmojë qeverinë dhe kalojë nga kriza ekonomike dhe gjitha punët që e presin. Por edhe do ta korrigjoja dhe parandaloj për gabimet që mund të jenë të dëmshme për demokracinë tonë. Unë jam përcaktuar t’i dalë përball Serbisë dhe në këtë përballje kam përvojë pasi gjithë jetën ia kam kushtuar Kosovës” veçoi kreu i AAK-së Haradinaj.
Siç tha kandidati për president, AAK-ja i siguron Kosovës një president të aftë të siguroj unitetin dhe ta mbroj vendin në etapa të rëndësishme që i kemi para vetës.
“Së bashku do ta bëjmë Kosovën e fortë atë ditë që do të votojmë. Ju falënderoj që edhe pse në kohë pandemie kam pasur nderin të ju takoj në shumë takime. Më 14 shkurt të bashkuar, shkojmë të fortë”, përfundoi ai..

Apeli ja rrit dënimin Pjetër Ndrecajt, 30 vite burgim

Gjykata Themelore e Gjakovës kishte dënuar me 24 vite e gjashtë muaj, Pjetër Ndrecajn i cili vrau ish gruan e tij Valbona Ndrecaj dhe vajzën e tij në gusht të 2018-ës.
Ndërsa sot Gjykata e Apelit të Kosovës ka marrë vendim për të ashpërsuar dënimin e tij duke ja shtuar atë edhe për 6 vite, më saktësisht 30 vite burgim.Siç thotë Apeli deri te ngritja e dënimit erdhi, pasi që Gjykata e Apelit, konkludoi se gjykata e shkallës së parë, nuk i ka vlerësuar drejtë rrethanat lehtësuese dhe rënduese. ”

Moti
Të shtunen parashikohet mot i vranet me mundesi per te reshura te bores , temperaturat do të lëvizin nga minus 11 deri në minus 6 gradë celcius. Mot i vranet dhe me shi parashihet në Tiranë,me temperatura nga -4 deri në 8 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 63805 , Të shëruar: 55224 ,të vdekur:1540
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *