Hën. Maj 6th, 2024

NGJARJET E DITËS, E PREMTË, 29.01.2021

By Rtv Arbëria Jan 29, 2021

Vjosa Osmani reagon pas vendimit të Supremes për Albin Kurtin: Ja kush do të jetë kryeministër më 14 shkurt

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se më 14 shkurt, me kurajo, guxim dhe me vullnetin e qytetarëve, Albin Kurti do të jetë kryeministër
“Në historinë e popujve vota ka dy funksione: për ta ndëshkuar një model qeverisës dhe për ta hapur një kapitull të ri politik.
Kthesat politike kërkojnë kurajë dhe guxim. Më 14 shkurt me kurajë dhe guxim, e me vullnetin tuaj, Albin Kurti do të jetë kryeministër!” – ka shkruar Osmani në Facebook.
Sot Gjykata Supreme ia ka ndaluar Albin Kurtit të kandidojë në zgjedhjet e parakohshme më 14 shkurt, për shkak të probleme me ligjin.

Demiri: Sondazhet e porositura, LDK e para, do të ketë 39 deputetë – Hoti kryeministër i Kosovës

Kandidatja për deputete e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Kaltrina Demiri, ka thënë se ky subjekt politik në zgjedhjet e 14 shkurtit do të dal e para.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Bota sot”, ajo ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës është shumë e përgatitur për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Demiri ka mohuar sondazhet e fundit, duke thënë se ato janë të porositura, dhe kanë për qëllim dobësimin e shëndetit politik në Kosovë.
Ajo në këtë intervistë, ka folur edhe për largimin e Vjosa Osmanit.
Sipas saj, largimi i Osmanit dhe të tjerëve në kohë dhe hapësirë nuk e dëmtojnë aspak Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ajo ka folur edhe kandidatin e LDK-së për kryeministër, për të cilin ka thënë se e meriton të jetë në krye të ekzekutivit, pasi brenda një periudhe të shkurtër sa qeverisi me vendin, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti bëri shumë për stabilizimin e jetës shoqërore në përgjithësi..

Pesë të vdekur,235 të shëruar dhe 342 raste të reja me koronavirus në Kosovë

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.926 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 342 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Deçan 1 rast (68 vjeç), Ferizaj 1 rast (75 vjeç), Gjilan 1 rast (64 vjeç), Mitrovicë 1 rast (69 vjeç) dhe Prishtinë 1 rast (64 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 59.646 raste nga 229.408 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.487 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 235 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 51.948 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.211.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 85 raste, Prizren 41 raste, Mitrovicë 34 raste, Podujevë 30 raste, Suharekë 29 raste, Ferizaj 18 raste, Pejë 14 raste, Gjakovë 13 raste, Vushtrri 13 raste, Lipjan 11 raste, Fushë-Kosovë 10 raste, Klinë 7 raste, Skenderaj 7 raste, Shtime 6 raste, Deçan 5 raste, Drenas 5 raste, Malishevë 4 raste, Dragash 2 raste, Gjilan 2 raste, Istog 2 raste dhe me nga një rast komunat Graçanicë, Obiliq, Rahovec dhe Viti.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!

Lajmërohet Kurti: Vendimin e Supremes do ta analizojmë

Kandidati për kryeministër nga radhët e LVV-së, Albin Kurti pas vendimit të Gjykatës Supreme është lajmëruar nga qyteti i Prizrenit.
Ai u shprehë se me 14 shkurt Vetëvendosja do të jetë shumicë parlamentare, ashtu siç e ka shumicën qytetare.
“Me 14 shkurt do ta bëjmë LVV-në me shumicë parlamentare, ashtu siç e ka shumicën qytetare. Ne dëshirojmë që t’i ndihmojmë qytetarët që e kanë gjendjen më të vështirë, që janë të papunë, që kanë pagë të ulëta, që s’kanë banim të rregulluar, që s’kanë mundësi për arsim, që kanë probleme shëndetësore. Shteti dëshmohet aty ku nevoja janë më të mëdha, ata që janë multimilionera gjithmonë ia kanë bërë qarën vetit. Kemi nevojë për një qeveri të ri që e shtrinë dorën e ndihmës dhe i shikon ata që s’kanë. Drejtësi dhe punësim është parulla jonë. Me 6 tetor kishte dilema se a ta votojmë LVV-në apo LDK-në, tash s’ka dilema, unë dhe Vjosa jemi në një listë. Ne na duhen 61 deputet e sipër. Të votojmë masivisht, sikurse diaspora e dashur. Të dielën e 14 shkurtit le ta bëjmë festë të fitores së LVV-së.“
“Unë nuk e kam parë atë vendim, kur të vjen në zyrën e LVV-së, e trajtojmë dhe e analizojmë se çfarë hapa do të ndërmarrim më tutje, që të ankohemi nëse është kështu“, tha Kurti….

Eurodeputetja gjermane ka një kërkesë për partitë politike pas vendimit të Supremes

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme të Kosovës për të moscertifikuar disa kandidatë, përfshirë edhe bartësin e listës së Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për shkak të problemeve që kishin me ligjin në të kaluarën.
Ajo ka thënë se partitë politike në Kosovë duhet të respektojnë vendimin e Supremes. Komentet i ka bërë përmes ‘Twitter’-it.
“Pas vendimit të Gjykatës Supreme për të ndalimin e Albin Kurtit nga kandidimi në zgjedhjet e jashtëzakonshme, dua të theksoj se të gjitha partitë politike të Kosovës duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës Supreme dhe shpresoj se ato do të bëjnë një fushatë korrekte në javët e ardhshme”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.
Gjykata Supreme ka vendosur që ta rikthejë në kandidim nga subjekti VV Liburn Aliun dhe Labinotë Demi Murtezin, teksa nuk ia ka mundësuar kandidimin bartësit të listës, Albin Kurtit.
Ndërkaq, institucioni paraprak për dërgimin e ankesave nga subjektet politike, PZAP, nuk ka marrë për bazë ankesat e asnjërës nga subjektet politike, listat e të cilave kanë pasur probleme me ligjin në tri vitet e fundit

Reagon ish-kryetari i Gjykatës Supreme, tregon se si është dashur të merret vendimi për Kurtin dhe të tjerët

Ish kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, ka thënë se vendimi i sotëm i këtij institucioni drejtësie lidhur me kandidaturat për deputetë e sjell vet atë në situatë delikate.
“Më 2017 është shprehur se askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për pjesëmarrje. Tash e ka të vështirë ta arsyetojë këtë vendim. Nuk do të duhej të lëshohej në ligjshmëri dhe kushtetutshmëri por duhej t’i referohej vetëm vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Hasani.
“Një herë thotë se nuk mund t’i merret e drejta [për të garuar] pa vendim gjyqësor, ndërsa pa u ndërruar asnjë nen dhe dispozitë ë e thotë të kundërtën e asaj që e ka thënë para katër vjetësh”.
“Kam mendimin tim që Gjykata Supreme do të duhej të vendoste në bazë të Kushtetutës dhe ligjit. Iu detyrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjit si dhe precedentit të krijuar më 2017”.
Hasani në Info Magazine ka thënë se subjektet e pakënaqura me vendimin e sotëm kanë të drejtën që të ankohen në Gjykatën Kushtetuese, por se ka thënë se kjo do të ishte e pakuptimtë në një formë.
“Të gjitha vendimet e gjyqësorit, nëse personat që preken me vendimet ë gjykatave të rregullta kanë të drejtën që këtë problem ta adresojnë në Kushtetuese. Është thënë disa herë edhe nga ekspertë tjerë se nuk di se si mund të dalë ndryshe Gjykata Kushtetuese nga interpretimi që ka dhënë. Nuk mund të ketë interpretim ndryshe kur çështja e njëjtë adresohet në Gjykatën Kushtetuese”.

Brukseli i bashkohet QUINT-it, kërkon që të mos ketë ndërhyrje në KQZ dhe Gjykata

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen e njëjtë të ambasadave të shteteve të QUINT’it në Kosovë që të respektohet puna e institucioneve të pavarura për certifikimin e kandidatëve për deputetë dhe të mos ndërhyhet në punën e tyre dhe të organeve përkatëse të drejtësisë. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, në një përgjigje tha se procedurat e certifikimit përcaktohen me ligj dhe se për të njëjtat ka mundësi për ankesë.
Shtetet e QUINT’it, me anë të një deklarate të përbashkët të hënën, kanë kërkuar nga subjektet politike që të ndalin sulmet ndaj kryetares së Komisionit Qëndror Zgjedhor Valdete Dakës, teksa kanë bërë thirrje edhe për respektim të vendimeve për certifikim të kandidatëve për deputetë.
Për këtë çështje kanë folur edhe nga Bashkimi Evropian.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero tha se BE’ja pret që institucionet e pavarura dhe organet përkatëse të drejtësisë të lejohen ta kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje.
“Procedurat parazgjedhore, përfshirë ato për certifikimin e kandidatëve, ende janë duke vazhduar. Këto procedura përcaktohen nga ligji dhe e përfshijnë mundësinë për ankesë. Është e rëndësishme që institucionet e pavarura dhe organet përkatëse të drejtësisë të mund ta kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje”, tha zëdhënësja e KE’së, duke shtuar se presin që institucionet e Kosovës ta sigurojnë organizimin e zgjedhjeve të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente, të mbajtura në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Pisonero tha poashtu se përshkak të afatit të shkurtër BE’ja nuk do të mund të dërgojë mision për vëzhgim të zgjedhjeve por që do të dërgojnë një mision ekspertësh për ta përkrahur në zgjedhje sa më transparente.
“Duke e marrë parasysh afatin e shkurtër, nuk do të ketë kohë të mjaftueshme që BE-ja të dërgojë një mision të kompletuar për vëzhgimin e zgjedhjeve për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme që po vijnë. Megjithatë, ne do të dërgojmë një mision ekspertësh për zgjedhje për t’i përkrahur zgjedhjet e besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente. BE-ja ka shfaqur zotim dhe përkrahje të fuqishme për zgjedhjet parlamentare dhe komunale në Kosovë duke dërguar disa misione vëzhguese që nga viti 2013. BE-ja ka lëshuar një grup rekomandimesh dhe vazhdon t’u bëjë thirrje të gjitha palëve përkatëse që të vazhdojnë t’i ndjekin këto rekomandime në mënyrë që të fuqizohet dhe përmirësohet procesi zgjedhor”, tha ajo të premten.
Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate janë disa prej subjekteve politike që kanë dorëzuar ankesë në PZAP.
Këto ankesa u bënë pasi KQZ’ja votoi që të mos lejohen që të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit kandidatët për deputetë që kanë dënime të formës së prerë nga gjykatat, në tri vitet e fundit.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë pjesërisht ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo ka vërtetuar pjesën ku KQZ’ja ia ndalon pjesëmarrjen në garen zgjedhore pesë deputetëve që kanë dënime të formës së prerë, përfshirë këtu edhe bartësin e listës së LVV’së dhe kandidatin për kryeministër Albin Kurtin.
Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme të mërkurën, kundër vendimit të PZAP’së derisa organi gjyqësor pritet të dalë me vendim brenda 72 orëve.
Ndërkaq të shtunën e kaluar në një video-adresim në Facebook, Vjosa Osmani paralajmëroi se do të ndërmarrë masa ndaj anëtarëve të KQZ’së.
“Në rast se përballemi me situata të tilla ku abuzohet me KQZ-në për të shtyrë përpara agjenda partiake nga ana e anëtarëve të KQZ-së, do të detyrohem që të ndërmarr të gjitha masat për integritetin e KQZ-së dhe procesit zgjedhor”, tha Osmani.
Edhe zyrtarë të lartë të VV’së e kanë akuzuar kryetaren e KQZ’së se po merr vendime, sipas preferencave të saj politike..

Varianti i ri i COVID-19 paraqitet edhe në Kosovë

Tre raste të variantit të ri me COVID-19 janë shënuar në Kosovë. Këtë e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Zemaj tha se ditëve të kaluar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka dërguar 30 mostra në institutin gjerman me qëllim të hulumtimit rreth variantit të ri COVID-19.
“Nga interesimi jonë rezultatet e kryera kanë treguar se 3 mostra kanë rezultuar në testimin me variantin e ri”, tregoi Zemaj.
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj në një konferencë për media ka thënë se ditëve të kaluara IKSHPK-ja ka dërguar 35 monstra në Gjermani për variantin e ri të virusit COVID-19.
Zemaj ka thënë se nga 35 mostra, tri mostra janë pozitivë me variantin e ri të Covid-19.
“Nga 35 mostra që i kemi dërguar, 3 prej tyre kanë rezultuar pozitiv”, ka thënë Zemaj.
Ai këtë e ka bërë të ditur në një konferencë për media.

Moti
Të shtunen parashikohet mot pjeserisht i vranët , temperaturat do të lëvizin nga 1 deri në 7 grad celcius.Mot pjeserisht i vranet me mundësi për të reshura të shiut në Tiranë,me temperatura nga 9 deri në 16 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 59646, Të shëruar:51948,të vdekur:1487
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *