Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherit kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Armend Muja në një intervistë për ka folur rreth Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Muja gjatë intervistës me kryeredaktorin, Muhamet Hajrullahu në emisionin “Përballje” është shprehur i bindur se ky projektligj do të kalojë në Kuvendin e Kosovës.
Ai theksoi se reforma në drejtësi ka qenë një nga prioritetet kryesore programore të LVV-së.
Muja tha se për t’i heq dilemat e opozitës se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme nuk është duke u bërë për qëllime politike, e kanë dërguar edhe për të marrë një mendim në Komisionin e Venecias.
“Reforma në drejtësi ka qenë një nga prioritetet kryesore programore dhe aty janë disa ligje që kanë ardh si pjesë e kësaj pakoje. E njëra nga to ka qenë Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, e dyta ka qenë për deklarimin e pasurisë dhe e treta ka qenë çështja sa i përket Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ka dhe disa tjera që janë pjesë e saj, por mendoj që këto tri janë esenciale. Një nga to ka kaluar dhe dje ishte Ligji për Byronë. Për me i hek dilemat që këto po bëhen për qëllime politike ne e kemi marr mendimin e Komisionit të Venecias. Komisioni i Venecias e pranon një praktikë të tillë dhe mbi bazën e kësaj, ne kemi kërku dje që të kaloj… Besoj që Ligji do të kalojë”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu arsyetoi numrin e paktë të deputetëve në seancën e Kuvendit të Kosovës, e cila u mbajt të mërkurën.
“Dje rastisi që shumë deputetë kanë dhe angazhime të tjera, pasi kuvendi kishte dy seanca këtë javë. Ngjashëm deputetët mund të jenë në udhëtime, por gjithsesi janë numrat për të kaluar ky ligj”, ka thënë Muja.
I pyetur pse abstenoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca për këtë projektligj, ai tha: “Nuk e kam një informacion të qartë, por ajo që unë e di është që Konjufca është deputet por edhe kryetar i Kuvendit. Po ashtu ishte Konjufca që për t’i zgjedh dilemat e opozitës ka insistuar që ky projektligj të shkoj në Komision të Venecias. Mendoj që është çështje parimore për të ruajt konsensusin politik”.
Duke komentuar kritikat e opozitës se ky projektligj do të përdoret nga LVV dhe pushteti kundër kundërshtarëve politik, ai u shpreh se parimisht nuk do donin që të merren me politikanë, por siç tha ai “e vërteta është që hajnia ka qenë e fokusuar te politika në Kosovë”.
“E jona është që ky ligj të bëhet mbi bazën e praktikave më të mira evropiane. Kemi qenë në konsultim të vazhdueshëm me të gjithë partnerët ndërkombëtar të Kosovës, po ashtu e kemi dërgu dhe të Komisioni i Venecias për të demostruar të kundërtën. Sa i përket oponentëve të politikës, nuk besoj që cak i këtij ligji, por në rast se oponentët politik kanë vjedh, atëherë është normale që të jenë dhe subjekt i këtij ligji. Dhe në rast se komponentët politik, x apo y kanë pasuri të pajustifikueshme është shumë normale që të jetë proces i saj. Parimisht nuk do dëshironim të merremi me politikanë, por e vërteta është që hajnia ka qenë e fokusuar te politika në Kosovë”, ka thënë Muja.
Ai në këtë intervistë ka folur edhe për qëndrimet e LVV-së për tërheqjen e trustit pensional dhe për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.