Hën. Tet 7th, 2024

Osmani në SEECP kërkon njohjen e Kosovës nga shtetet pjesëmarrëse që s’e kanë njohur ende

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot mori pjesë në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP). Në fjalimin e saj para përfaqësuesve të vendeve anëtare të këtij forumi, Presidentja Osmani foli mbi sfidat e rajonit, procesin e integrimit në BE, si dhe mbi mundësitë e bashkëpunimit rajonal. Në mënyrë të veçantë ajo foli për rolin që Republika e Kosovës po luan në krijimin dhe ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon.

Duke e falënderuar organizatorin e sivjetmë, Turqinë, për organizimin e samitit të sivjetmë, Presidentja Osmani u shpreh e lumtur që vitin e shkuar, si vend nikoqir, Kosova ia doli ta organizonte samitin e SEECP-së, megjithë sfidat e jashtëzakonshme me të cilat u ballafaquam për shkak të pandemisë Covid-19.

Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, ajo theksoi se bashkëpunimi është i domosdoshëm, por duhet të zhvillohet duke respektuar njëri-tjetrin.

“Bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm, por edhe i mundur”, tha ajo, “nëse mbështetet në njohjen dhe respektimin e tjetrit”.

Sipas saj, rajoni ka bërë përpjekje të mëdha, dhjetëravjeçare, për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë në rajon.

“Ne duhet t’i vazhdojmë këto përpjekje”, tha Presidentja Osmani. “Ne kemi sfida të ngjashme, por mund të ndikojmë në krijimin e një ambienti më të sigurt dhe në rritjen e sigurisë dhe të stabilitetit në rajon”, tha ajo.

Ajo u bëri edhe një herë thirrjeve vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta njohin sa më parë atë, ngase ai është realitet i pakthyeshëm, si dhe ta respektojnë në plotni sovranitetin e saj dhe integritetin territorial të vendit tonë.

“Republika e Kosovës ka krijuar besim të qartë se integrimi euroatlantik është synim i qytetarëve të saj, por ne duam të sigurohemi që ky proces do të përshpejtohet, për ta garantuar paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe për ta rritur mirëqenien e qytetarëve të rajonit”, tha znj. Osmani.

“E ardhmja jonë është në Bashkimin Europian dhe në NATO”, theksoi ajo. Integrimi euroatlantik nuk përbën vetëm një alternativë për ne, ai parqet rrugën e vetme përpara”, nënvizoi Presidentja Osmani.

“Por, përkushtimi ynë ndaj integrimeve duhet të njihet nga Bashkimi Evropian. Siç po lëvizim ne me shpejtësi drejt integrimit të vendit tonë, duke i përmbushur të gjitha kërkesat e parashtruara ndaj nesh, edhe Bashkimi Europian duhet ta vlerësojë angazhimin e qytetarëve të Kosovës dhe ta mbajë premtimin për liberalizim të vizave për qytetarët e vendit tonë, por edhe për integrim më të shpejtë të të gjitha vendeve të rajonit në BE”, tha Presidentja Osmani.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *