Hën. Dhj 9th, 2024

Osmani: Serbisë t’i dërgohet mesazh i qartë se s’do të tolerohet nxitja e dhunës në veri

Presidentja Vjosa Osmani gjatë një takimi sot me ambasadorin e Gjermanisë Jorn Rohde, ka potencuar se është më rëndësi t’i dërgohen mesazhe të qarta Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar, se nuk do të tolerohet retorika e saj nxitëse dhe veprimet e saj të dhunshme përmes strukturave ilegale në veri të Kosovës.

Osmani ka theksuar se në raport me zhvillimet e fundit në veri institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ta vazhdojnë koordinimin e plotë me partnerët ndërkombëtarë, ashtu siç janë koordinuar edhe deri më tani.

Sipas saj, Kosova është gjithnjë e gatshme që të ndërmarrë hapa, të cilët kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit.

Në takim u diskutua edhe për kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe punën e vazhdueshme në nivele të ndryshme të qeverisjes dhe diplomacisë për ta përmbyllur me sukses këtë proces.

U diskutua, po ashtu edhe rëndësia e përmbylljes sa më parë të procesit për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe për organizimin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nikoqir i të cilit do të jetë presidentja Osmani në tetor të këtij viti në Prishtinë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *