Hën. Maj 20th, 2024

Presidenti Biden njofton masa drastike për ndihmat në Gazë, kritikon zotin Trump në fjalimin për gjendjen e vendit

By Rtv Arbëria Mar 8, 2024

Presidenti amerikan Joe Biden shfrytëzoi fjalimin e tij të tretë për gjendjen e vendit të enjten në mbrëmje për të njoftuar një masë dramatike për të lehtësuar dërgimin e ndihmave në Gazë, bëri thirrje për miratimin e ndihmave për Ukrainën dhe paralajmëroi vendin për kërcënimin që paraqet ish-Presidenti Donald Trump, i cili pritet të jetë rivali i tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Ky mund të jetë fjalimi më i rëndësishëm i Presidentit Biden përpara fillimit të zgjedhjeve të nëntorit.

Ashtu si shumë presidentë amerikanë në vitin e fundit të mandatit të tyre të parë, Presidenti Joe Biden mbajti fjalimin e tij për gjendjen e vendit me një qëllim të rëndësishëm në mendje: të bindë popullin amerikan se ai meriton një mandat tjetër katër vjeçar.

“Sonte, me krenari mund të themi se vendi ynë është i fortë dhe po forcohet!”

Ai trajtoi shqetësimet e votuesve mbi moshën e tij të madhe dhe aftësitë e tij mendore, duke e përdorur atë kundër ish-presidentit Donald Trump, i cili pritet të jetë kandidati për president i republikanëve, me të cilin ai do të përballet në zgjedhjet e nëntorit.

“Çështja me të cilën përballet vendi ynë nuk është mosha jonë, por ajo e ideve tona. Urrejtja, zemërimi, hakmarrja dhe ndëshkimi janë idetë më të vjetra. Por ju nuk mund ta udhëhiqni Amerikën me ide të lashta.”

Ndonëse teknikisht nuk është një fjalim fushate, Presidenti Biden kishte një mesazh të qartë për votuesit: zoti Trump është një kërcënim i madh për demokracinë.

Presidenti Biden u kujtoi amerikanëve sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol nga mbështetësit e ish Presidentit Trump, që kërkonin të përmbysnin fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2020.

“Paraardhësi im dhe disa prej jush këtu po përpiqen të varrosin të vërtetën mbi 6 janarin. Unë nuk do ta bëj këtë”, tha Presidenti Biden.

Ndërsa Izraeli vazhdon ofensivën kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës, Presidenti Biden njoftoi një masë dramatike për dërgimin e ndihmave shumë të nevojshme për palestinezët.

“Kam udhëzuar ushtrinë amerikane të udhëheqë një mision për ndërtimin e një porti të përkohshëm në Mesdhe në bregdetin e Gazës, ku mund të ankorohen anije të mëdha të transportit të ushqimit, ujit dhe ilaçeve. Asnjë ushtar amerikan nuk do të dislokohet në terren”, tha zoti Biden.

Nuk është e qartë nëse ky plan do të jetë i mjaftueshëm për të qetësuar demokratët progresivë, arabo-amerikanët dhe votuesit e tjerë myslimanë në Amerikë, të cilët janë të indinjuar nga mbështetja e palëkundur e zotit Biden për Izraelin. Qindra njerëz protestuan jashtë ndërtesës së Kongresit ndërsa ai mbante fjalimin.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *