Enj. Dhj 5th, 2024

Presidentja Osmani optimiste për liberalizimin e vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shpreson se liberalizimi i vizave për Kosovën të ndodh nën presidencën çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian. Në Slloveni, ku po qëndron për vizitë zyrtare, Osmani tha se Kosova ka plotësuar gjitha kriteret dhe se nuk ka asnjë arsye për kushte të reja.

Në konferencën e përbashkët për medie, me presidentin slloven, Borut Pahor, Osmani, tha se pret që gjatë këtij muaji të ketë takim mes kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

“Tani është në dorën e shteteve anëtare që të finalizojnë dhe përmbyllin këtë proces që është një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës. Ne presim që kjo të ndodhë në muajt e ardhshëm, por pavarësisht sfidave dhe pengesave ne do të vazhdojmë të ecin në atë rrugë si evropianë të vërtetë”, tha ajo.

E para e shtetit tha se Kosova gjithmonë ka qenë konstruktive dhe është angazhuar në mënyrë aktive në dialog.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, procesi po vazhdon, ka pasur takime në nivel të kryenegociatorëve dhe shumë shpejt, besoj gjatë korrikut – por, kjo varet nga lehtësuesit evropianë – ne do të kemi po ashtu një takim në nivel të liderëve. Por, procesi ka vazhduar, ka qenë konstant dhe shumë dinamik dhe po ashtu ka rezultuar në marrëveshjen për udhëzuesin në energji, që mendoj se është një arritje e madhe në proces. Po ashtu ka zhvillime pozitive në çështjen e të zhdukurve me dhunë që është një rrugë e rëndësishme drejt paqes dhe pajtimit në mbarë rajonin”, tha Osmani.

Nga ana tjetër, presidenti Pahor, inkurajoi që procesi i dialogut të vazhdojë dhe dy palët të angazhohen për arritjen e një zgjidhje.

“Ne dëshirojmë të ringjallim dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Sllovenia është mike e mirë e të dyja shteteve dhe ne do të donim që ky dialog të jetë i sinqertë dhe të japë rezultate, jo vetëm në formë të marrëveshjeve, por edhe në zbatimin e tyre. Prandaj, ne do të donim të ringjallnim shpresën që kemi parë në fillim të këtij procesi dhe kjo shpresë do të ishte e rëndësishme jo vetëm për qytetarët në Kosovë dhe Serbi, por do t’iu jepte shpresë të gjithëve në rajon sepse ata do ta shihnin se të gjitha çështjet mund të zgjidhen përmes dialogut”, tha ai.

Krahas kësaj, shprehu mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Pikë së pari, ne presim nga partnerët tanë evropianë të përmbushin premtimet e tyre dhe këtu e kam fjalën për liberalizimin e vizave. Marrëveshja veçse është arritur dhe do të ishte e padrejtë për të rihapur këto diskutime”, tha ai.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *