Sht. Maj 18th, 2024

“Presioni të orientohet të Vuçiqi”/ A do t’i binden Kurti e Osmani kërkesave për shtyrjen e afatit për targat

By Rtv Arbëria Tet 24, 2022

Saktësisht sot një javë përfundon afati i dhënë për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS.

Deri më tash qeveria e Kosovës, por edhe presidentja e vendit nuk kanë dhënë shenja se ky afat do të mund të shtyhet, kërkesë kjo e faktorit ndërkombëtar, shkruan Indeksonline.

Pavarësisht thirrjeve të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, por edhe të ambasadorëve të QUINT-it, institucionet e Kosovës duken të jetë të vendosura për të mos e shtyrë këtë afat, i cili përfundon më 31 tetor.

Në anën tjetër, kërkesë e ndërkombëtarëve është që ky afat të shtyhet për dhjetë muaj.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një konferencë për media ka thënë se presioni duhet të orientohet drejt Vuçiqit.

“Prandaj ne jemi në diskutime me partnerët tanë në mënyrë që të gjithë të mirëkuptojnë që veprimet e institucioneve të Kosovës janë vetëm për rend dhe ligj dhe asnjëherë nuk kontribuojnë për ndonjë tensionim. Të vetmet veprime që kontribuojnë për tensionim janë kërcënimet, frikësimet, djegiet e makinave e të shtëpive që po bëhen nga strukturat ilegale e kriminale të cilat mbështeten dhe financohen nga Vuçiqi, prandaj fokusi duhet të jetë aty, te burimi i tensioneve, te burimi i dhunës, te burimi i kërcënimit, i frikësimit e shantazheve. Ai burim nuk ka qenë dhe as nuk është kurrë në Kosovë, ai burim ka qenë dhe është edhe sot, vetëm e vetëm në Serbi. Aty duhet të drejtohet presioni, jo te institucionet e Republikës së Kosovës që janë shndërruar në shembull për sundim të ligjit, shembull jo vetëm për historinë tonë të re por shembull për gjithë rajonin e më tej“, ka thënë ajo.

Ditëve të fundit në opinion kanë qarkulluar disa dokumente që raportohet të jenë propozime franko-gjermane për çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Zyrtarisht presidenca dhe qeveria kanë mohuar këto dokumente.

Gabriel Escobar, por edhe zyrtarë tjerë vendor e ndërkombëtar kanë thënë se dialogu Kosovë- Serbi është çështje javësh.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *