Die. Tet 6th, 2024

Projektligji për Qeverinë pëson ndryshime

Nën kryesimin e kryetares Doarsa Kica-Xhelili, Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal (KAPPLMZhR) mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën shqyrtoi propozim-ndryshimet e grupit punues në Projektligjin nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Ky komision miratoi dhjetë amendamente shtesë për Projektligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Besim Muzaqi, i cili është edhe kryetar i grupit punues i këtij projektligji, kërkoi që komisioni “t’i votojë të 11 amendamentet e propozuara.

Ai tha se grupi ka mbajtur dy mbledhje dhe një punëtori gjithëditore, ka shqyrtuar projektligjin dhe ka hartuar 11 amendamente për t’ia propozuar komisionit. Kërkojmë që të hartohen amendamentet dhe të dërgohen në Kuvend në seancën plenare”, tha ai.

Megjithatë, deputet i Aleancës për Ardhmërinë (AAK), Besnik Tahiri, propozoi të mos largohet paragrafi 3 i nenit 24, i cili ishte paraparë në amendamentin 10 të grupit punues.

“Mendoj se ky është ligj i rëndësishëm. Te neni 24, i cili lidhet me llogaridhënien e qeverisë si organ i drejtpërdrejtë, e që do të duhej t’u përgjigjej pyetjeve dhe kërkesave”, tha ai.

Sipas tij, ky nen i detyron zyrtarët të japin përgjigje në kërkesat zyrtare.

“Kur flasim për përgjigje nuk po flasim për nivelin politik, por jemi duke folur për një numër të drejtorëve të cilët me këtë nen detyrohen të përgjigjen”, tha Tahiri.

Neni 24 i projektligjit për qeverinë rregullon përgjigjet ndaj çështjeve që i adresohen qeverisë, ndërsa paragrafi 3 i këtij neni përcakton që përgjigjet, pyetjet, nismat, propozimet, peticionet, ankesat që i adresohen kryeministrit, në bashkëpunim me ministritë përgjegjëse, apo kërkohen nga ministria përkatëse, të jepen në afat prej 30 ditëve.

Kryetari i grupit punues i këtij komisioni, Besim Muzaqi, kërkoi që paragrafi 3 i nenit 24 të hiqet.

“Mendoj se paragrafi 3 i nenit 24 duhet të hiqet. Ky është qëndrim i grupit punues”, tha ai.

Por, kryesuesja e komisionit, deputetja Doarsa Kica-Xhelili, kërkoi që të kthehet paragrafi 3, propozim i cili mori tetë vota të anëtarëve të komisionit dhe një abstenim.

Mospajtimet më të mëdha ndërmjet anëtarëve të këtij komisioni kishin të bënin me këshilltarin politik, të cilit, në Projektligjit nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, i ishin dhënë kompetenca të mëdha drejtuese dhe administrative. Gjithashtu, edhe për heqjen e mundësisë për votim për zëvendësministra.

Kryetarja e komisionit, Doarsa Kica-Xhelili, me rastin e hapjes së mbledhjes, bëri me dije se ky komision është ngarkuar për ta shqyrtuar në parim Projektligjin nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Kryetarja Kica, bashkë me disa nga anëtarët komisionit, parimisht u shprehën në mbështetje të këtij projektligji, me disa ndryshime të nevojshme paraprakisht të cilat i kanë propozuar anëtarët e komisionit.

Për paragrafët e këtij projektligji pati propozime të ndryshme nga anëtarët e komisionit të partisë në pushtet dhe nga anëtarët e partive opozitare.

Anëtari i KAPPLMZhR-së, Besnik Tahiri, duke u thirrur në komentin e kryetares Kica-Xhelili për këtë projektligj, tha se më pëlqeu fjala e kryetares që tha se qeveria me këtë projektligj po e rregullon punën e vet e ne si Kuvend, që e kemi detyrë ta mbikëqyrim punën e saj, po ia zvogëlojmë rregullimin. “Ne kemi dy a tri komente minore të cilat nuk e ndryshojnë substancën. Ky ligj ka pasur kuptim të fortë në qoftë se e kemi vendosur numrin e njësive që për shkak të Kushtetutës s’kemi mund të vendosim”, tha Tahiri.

Kryetarja e komisionit, Doarsa Kica-Xhelili, tha se dëshirojmë të shërbejmë në këtë komision për çfarëdo qartësie të normave që na kanë ardhur në komision para vetes. Ajo, me sugjerimin e Departamentit Ligjor të Qeverisë, tha se nga Departamenti Ligjor ka ardhur një sugjerim që ta neutralizojmë pak situatën e dispozitës për këshilltarin politik, ashtu që mos të flasim për sigurim në shërbimin civil, por të themi diçka si: “Këshilltari politik monitoron zbatimin e politikave dhe programin e miratuar të qeverisë nga shërbimi civil në përputhje me paragrafin 7 të këtij neni”.

Më 15 shkurt, në lexim të parë, ky komision i ka dhënë dritën e gjelbër këtij projektligji.

Në fund të dhjetorit qeveria Kurti ka miratuar Projektligjin për Qeverinë.

Ky projektligj pritet të rregullojë organizimin dhe funksionimin e Qeverisë së Kosovës, mënyrën e punës dhe procedurat e vendimmarrjes në qeveri.

Në mbledhjen e KAPPLMZhR-së me ide dhe propozime kontribuuan edhe anëtarët e tjerë të komisionit./RTK/

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *