Die. Maj 5th, 2024

Szunyog: Dëshmojmë mbështetje për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor

By Rtv Arbëria Maj 9, 2022

Me rastin e 9 majit, Ditës së Evropës, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog i shoqëruar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama vizituan një grup artistësh grafitësh që janë duke punuar në muralin e Ardhmërisë së Gjelbër dhe Transformimit Digjital te rreth-rrotullimin kryesor në hyrjen e Prishtinës.

Në këtë mural u ngjyrosën flamuri i Kosovës, Bashkimit Evropian dhe ai i Ukrainës.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomash Szunyog u shpreh i lumtur që Ditën e Evropës po e festojnë edhe në Kosovë përmes artit rrugor.

Szunyou deklaroi po ashtu se duke shënuar Ditën e Evropës po dëshmohet edhe mbështetja e tyre për Ukrainën dhe Kosovën, si dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

“Është bërë tashmë tradicionale dhe jam i lumtur për këtë, që po festojmë Ditën e Evropës me artin rrugor në Prishtinë. Shpresoj që ta bëjmë Prishtinën më të bukur. Vitin e kaluar i kemi ngjyrosur shkallët e (lagjes) “Arbëria”, këtë herë kemi planifikuar ta bëjmë këtë murin këtu. Jam shumë i lumtur që kemi artistët nga Belgjika, kryeqyteti i BE-së. Kemi një dizajn që është kombinim i ngjyrave kaltër dhe verdh, me yjet e Evropës”, tha ai.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se Kosova po bën punë të madhe për t’iu bashkuar komunitetit evropian.

Rama po ashtu theksoi se përmes ngjyrosjes së murit me ngjyrat e flamurit ukrainas po tregojnë solidarizimin me Ukrainën dhe popullin e saj, i cili tash e disa muaj po përballet me agresionin rus.

“Duke pas parasysh se Kosova është duke bërë një punë të madhe për t’iu bashkuar komunitetit evropian sot tregon një mbështetje e Bashkimit Evropian drejtë anëtarësimit të Kosovës në BE, dhe po ashtu tregon një mbështetje të madhe edhe për Prishtinën si kryeqytet, intervenimet e ndryshme në kryeqytet që t’i japim një ngjyrë më të mirë një jetë më të mirë qytetarëve të Prishtinës. Ky është një intervenim simbolik këtu”, theksoi ai.

Krahas këtij aktiviteti shënimi i 9 majit, Ditës së Evropës ka vazhduar edhe me disa aktivitete të tjera si “Dita e lëvizshmërisë të së ardhshmes”, “E ardhmja e gjelbër përmes teknologjisë AR”, hapja e mini-ekspozitës “E ardhmja e gjelbër” dhe punëtoria “Krijuesve të së ardhmes”.

Në orën 20:30, Zyra e BE-së në Kosovë do të organizojë pritjen e Ditës së Evropës dhe ceremoninë e ndarjes së Çmimit Evropiani i Vitit.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *